Opozita e Kosovës: Më 17 shkurt
protesta e radhës kundër qeverisë

Opozita e Kosovës: Më 17 shkurt<br />protesta e radhës kundër qeverisë
Opozita e bashkuar në Kosovë ka mbajtur sot konferencën për media ku u bë e ditur data e protestës së ardhshme kundër “Zajednicës”, kundër Demarkacionit me Malin e Zi, dhe për largimin e kësaj qeverie që e ka shkelur Kushtetutën. 

Kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, tha se më 17 shkurt, në ditën e pavarësisë së Republikës së Kosovës, në ora 14:00, do të mbahet protesta gjithëpopullore.

Të bashkohemi në mbrojtje të Republikës, në mbrojtje të Kushtetutës, dhe në kërkesën tonë për largimin e kësaj qeverie që është shkelëse e Kushtetutës. Kemi zgjedhur këtë datë simbolike për të çuar mesazhin se qytetarët e Republikës së Kosovës, tetë vite pas pavarësisë, janë të pakënaqur. Tetë vite pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, në krye të Qeverisë vazhdojnë të jenë ata që kanë shkelur aktin më të lart juridik të shtetit, Kushtetutën. Qytetarët e Kosovës nuk pranojnë të udhëhiqen nga këta shkelës të Kushtetutës”, theksoi Limaj. 

Visar Ymeri, Kryetar i VETËVENDOSJE!-s, tha se Qeveria e Kosovës që nga 9 janari është dashur ta kuptojë që populli i Kosovës nuk e ka ndërmend ta tolerojë një qeveri të tillë që e cenon rendin kushtetues për t’ia mundësuar Serbisë ndërhyrjen politike, ekonomike e territoriale në Kosovës, e as ta tolerojë faljen e tokave të Kosovës.

Kjo Qeveri ka një afat të shtyrë deri më 17 shkurt, që ta kuptojë këtë gjë, që të largohet nga këto marrëveshje dhe të largohet nga pushteti i uzurpuar. Përndryshe, qytetarët e Republikës do të mblidhen prapë në sheshin e kryeqytetit të Republikës në Prishtinë, për të insistuar në këto kërkesa. Tetë vite më parë, në këtë shesh janë mbledhur qytetarë të shumtë të Republikës për ta festuar shpalljen e shtetit të pavarur të Kosovës ashtu siç ata e kishin pritur dhe ashtu siç ata e mendonin. Sot, pas tetë viteve, u kuptua që ky shtet nuk ka dalë ashtu siç donin qytetarët, por ashtu siç po e duan pushtetarët: shtet i dobët, me sovranitet të cunguar, me integritet territorial të paqenë, dhe që keqpërdoret nga klikat e pushtetarëve dhe bizneseve të tyre që të pasurohen për vete dhe ta varfërojnë edhe Republikën edhe popullin e kësaj Republike”, u shpreh Ymeri.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, theksoi se kundërshtimi i opozitës i përkrahur prej shumë qytetarëve u vërtetua se po fuqizohet më 9 janar.

Ne kemi qenë në këtë shesh më 9 janar, dhe të gjithë jemi ndier edhe krenar edhe të sigurt që ky kundërshtim po fuqizohet. I falënderojmë të gjithë ata që e kanë fuqizuar këtë kundërshtim të vendimeve të gabuara, si dhe kërkesën për llogaridhënie nga Qeveria që ka shkelur Kushtetutën. Nuk ka ditë më domethënëse në kalendarin tonë që po vjen sesa 17 shkurti, që ta rrisim edhe më tej këtë kundërshtim. Prandaj, i ftojmë të gjithë qytetarët e vendit, pa dallim, që të bashkohemi më 17 shkurt, dhe ta fuqizojmë edhe më tutje këtë kundërshtim. Këta që janë në pushtet, dikur janë betuar për shtet me sovranitet. Ata e kanë thyer këtë betim, dhe e kanë shkelur Kushtetutën. Më 17 shkurt, qytetarët duhet t’iu japin përgjigje atyre”, tha në fund Haradinaj. 


Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)

 

  • Sondazhi i ditës:

    Himara, i kujt është faji që 6 mijë votues ishin me karta të skaduara?



×

Lajmi i fundit

Kukës/ Emigrantët kthehen për pushime, gjallërojnë Shishtavecin

Kukës/ Emigrantët kthehen për pushime, gjallërojnë Shishtavecin