TIRANE-Komisioni i Reformës Zgjedhore që drejtohet nga Damian Gjiknuri nga PS-ja dhe Rudina Hajdari si përfaqësuese e opozitës në Kuvend miratoi kalendarin e punimeve për periudhën Maj-Nëntor 2019.
Komisioni pas diskutimeve vendosi që brenda muajit korrik të hapen konsultimet publike për çështjen e sistemit zgjedhor, nëpërmjet një tryeze gjithëpërfshirëse me pjesëmarrjen e partive politike, partnerëve ndërkombëtar, shoqërisë civile dhe gjithë aktorëve të interesuar. Opozita e re në Kuvend, deputetët që u futën nga listat e PD-së dhe LSI-së që dogjën mandatet kanë kërkuar ndryshimin e sistemit zgjedhor.
Gjithashtu komisioni u dakordësua që brenda 31 Korrikut të ketë përfunduar dhe miratuar ndryshimet në kuadër të rekomandimeve bazë të OSBE/ODIHR-it. Brenda 30 Shtatorit do të përmbyllet shqyrtimi i çështjes së votës së emigrantëve dhe teknologjitë e reja në procesin e votimit.
Sipas kalendarit, deri në 31 Tetor komisioni parashikohet që të ketë një produkt për çështjen e financimit të partive politike. Brenda 28 Nëntorit, komisioni do duhet të ketë përmbyllur edhe diskutimet mbi çështjen e sistemit zgjedhor.
Komente

