Konferenca e Kryetarëve/ PS rrëzon komisionin hetimor për Ballukun, lidhur me Porto Romanon! Bardhi: Aferë korruptive! Balla: Kërkoni 6 muaj hetim, s'ka kohë

Konferenca e Kryetarëve/ PS rrëzon komisionin hetimor për Ballukun, lidhur me Porto Romanon! Bardhi: Aferë korruptive! Balla: Kërkoni 6 muaj hetim, s'ka kohë

Konferenca e Kryetarëve

TIRANË - Shumica socialiste në Konferencën e Kryetarëve rrëzon kërkesën për Komisionin Hetimor për Portin e Durrësit, e mbajtur sot (23 Dhjetor). 

Në përfundim të saj, kreu i grupit të PD reagoi ashpër duke akuzuar mazhorancën për shkelje të Kushtetutës dhe ligjit.

"Refuzimi i mazhorancës dëshmi e qartë se projekti nuk i shërben interesave të qytetarëve", tha Bardhi.

Opozita kishte kërkuar ngritjen e një komisioni hetimor për të shqyrtuar veprimet e ministres Belinda Balluku në lidhje me Porto Romanon, por Partia Socialiste ka kundërshtuar këtë kërkesë në Konferencën e Kryetarëve, raporton gazetarja Esiona Konomi.

Ministri për Parlamentin, Taulant Balla, ka argumentuar se çështja ndodhet në Gjykatën Kushtetuese dhe ngritja e një komisioni hetimor do të përbënte interferencë.

“Ju keni kërkuar 6 muaj hetim, por nuk ka kohë. Ne kthehemi më 20 janar, pastaj ikim në mars dhe kthehemi në maj,” tha Balla, duke nënvizuar se periudha e kërkuar për hetim nuk përputhet me kalendarin parlamentar.

Kjo deklaratë ka ngjallur reagime nga opozita, e cila këmbëngul për transparencë mbi këtë çështje.

Grupi Parlamentar i PD ka bërë një kërkesë për ngritjen e Komisionit Hetimor të Kuvendit për Kontrollin e Ligjshmërisë në Procedurat e (i) Miratimit të projektit “Marina & Jahtet e Durrësit”; (ii) Shitjes së koncesionit të menaxhimit të portitkompanisë Schapha d.o.o.; dhe (iii) Ndërtimit të portit të ri në Porto Romano. Kërkues janë 35 deputetë nga opozita që i janë drejtuar me një shkresë kryeparlamentares Elisa Spiropali.

Bardhi në fjalën e tij në Konferencën e Kryetarëve u shpreh se kemi të bëjmë me një aferë korruptive miliona euro:

'Kërkesa për komision hetimor është çështje konkrete. Një aferë korruptive qindra miliona euro. Faljen e tokës publike bashke me portin tek një firme private dhe ndërtimi i një porti te ri. Objekti i hetimit është konkret dhe puna e Kuvendit është pikërisht kjo. Është çështje e interesit publik dhe ne e kemi detyre të bëjmë transparencë. Aty mund të jenë para të pista që po investohen dhe Kuvendi ka të drejtë të hetojë, siç ka të drejtë të kontrollojë prishjen e të gjitha marrëdhënieve kontraktuale të mëparshme. Kuvendi ka të drejtë të hetojë edhe se ça po ndodh me portin e ri.

Na u tha që do jetë me faturë zero nga buxheti i shtetit sot na thuhet do kushtojë 1 miliardë. Nuk ka asnjë vendim të gjykatës kushtetuese, ku thuhet se në qofte se çështja është në Strasburg nuk mund të ketë hetim parlamentar. E kundërta është thënë. Gjithashtu i dashur koleg ti lexon gjëra që si kupton se kështu ti kanë dhënë. Nuk ka asnjë opinion të Venecias për këtë çështje siç ti pretendon. Në çdo vendim thuhet se Kuvendi ka rol kontrollues dhe duhet të bëjë kujdes që të mos ketë mbivendosje kompetencash.'

Ndërsa i kthen dhe një përgjigje Taulant Ballës.

'Vjen qeveris këtu dhe i thotë kuvendit rrëzoni komisionin hetimor. Ja kjo është veshtje. Taulant Balla ketu përfaqëson qeverinë. I tregon kuvendit se çfarë duhet të bëjë', tha ai.

Projekti sipas kërkesës së opozitës ngre shqetësime për balancën midis përfitimeve të investitorit dhe kontributit të shtetit. Diferencat e mëdha midis vlerës së ofruar dhe asaj të përfituar nga shteti janë kritikuar si mungesë e transparencës dhe mbrojtjes së interesave publike.

Shqetësim tjetër ka qenë ndërprerja e kontratës për menaxhimin e terminalit lindor me kompaninë gjermane EMS Shipping Trading GMBH, e cila paditi shtetin shqiptar në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit në 7 prill 2023.

Rezultati është se, me Schapha d.o.o. si fasadë, një oligark lokal shqiptar mund të sigurojë të drejtat ekskluzive për menaxhimin e portit të ri për 45 vitet e ardhshme, me mbështetje nga menaxherët rajonalë të kompanisë multinacionale MAERSK. Opozita dyshon se procesi i tenderimit, i pashpallur ende zyrtarisht, është i manipuluar dhe i paracaktuar për aktorë të caktuar.

Fillimisht, kryeministri Edi Rama dhe ministrja Belinda Balluku deklaruan se ndërtimi i portit të ri nuk do t’i kushtonte asnjë lekë taksapaguesve shqiptarë, pasi do të financohej nga investime private. Megjithatë, më pas u bë e ditur se ndërtimi do të financohet me fonde nga Buxheti i Shtetit. Kjo do të thotë se, përveç faljes së sipërfaqeve të tokës dhe atyre ndërtimore, përjashtimit nga detyrimet fiskale, shteti shqiptar do të përballojë edhe koston për ndërtimin e portit të ri në Porto Romano, një projekt që ka një vlerë të konsiderueshme.

'K Ë R K O J M Ë:

1. Ngritjen e një Komisioni Hetimor të Kuvendit për Kontrollin e Ligjshmërisë në Procedurat e (i) Miratimit të projektit “Marina & Jahtet e Durrësit”; (ii) Shitjes së koncesionit të menaxhimit të portit kompanisë Schapha d.o.o.; dhe (iii) Ndërtimit të portit të ri në Porto Romano.

2. Komisioni ka për objekt të veprimtarisë së tij: (i) shqyrtimin e të gjitha problematikave lidhur me miratimin e projektit “Marina e Durrësit & Jahtet”, prishjen e kontratës me kompaninë gjermane EMS dhe shitjen e koncesionit te kompania kroate Schapha d.o.o., si dhe projektimin e ndërtimin e portit të ri tregtar në Porto Romano; dhe ii) vlerësimin e nevojës për marrjen e masave, përfshirë ndërhyrjet ligjore nëpërmjet miratimit, korrigjimit apo plotësimit të legjislacionit relevant për garantimin e parimeve të ligjshmërisë, barazisë, konkurrencës, meritokracisë, eficencës ekonomike, mbrojtjes së pronës publike dhe ruajtjes së buxhetit të shtetit në të gjitha kontratat publike që angazhohet qeveria shqiptare.

3. Komisioni do të përbëhet nga 11 (njëmbëdhjetë) anëtarë, nga të cilët kryetari dhe katër anëtarë i përkasin Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike dhe gjashtë anëtarë Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste.

4. Komisioni e ushtron veprimtarinë për një afat 6-mujor nga data e miratimit të këtij vendimi.

5. Mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve për shqyrtimin e kësaj kërkese dhe caktimin e datës së miratimit në Kuvend në seancën plenare më të afërt.

Duke ju falënderuar për bashkëpunimin.', thuhet në kërkesën e PD-së.

Lajmi ne perditesim...

Kërkesa për ngritjen e Komisionit Hetimor për Portin e Durrësit

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:10
PS rrëzoi kërkesën, Bardhi me akuza: I shërben Ballukut dhe interesave të saj, qëllim fshehja e aferës korruptive, do mbahet përgjegjësi!

1732192492_gazmentbardhi.JPG

Gazment Bardhi, kreu i grupit të PD

Rrëzimi i kërkesës së opozitës për ngritjen e Komisionit Hetimor në Konferencën e Kryetarëve sot me votat e shumicës së mazhorancës, ka sjellë reagimin e ashpër të kreut të grupit të PD, Gazment Bardhi. 

“Refuzimi i mazhorancës për hetim parlamentar për aferën e Portit të Durrësit nuk është thjesht antikushtetues, por është dëshmi e qartë se projekti nuk i shërben interesave të qytetarëve, por vetëm interesave të Edi Ramës, Belinda Ballukut dhe klientëve të tyre. Një mazhorancë që ka bindjen se projekti është në interes të zhvillimit, pse ka frikë nga transparenca, pse ka frikë nga hetimi parlamentar, pse pengon ushtrimin nga opozita të të drejtës së saj për kontroll parlamentar?”, shprehet Bardhi.

Më tej ai thekson se pengimi ka qëllim fshehjen e aferës korruptive.

“Pengimi ka vetëm një qëllim: Të fshehë për pak kohë aferën korruptive të Portit të Durrësit, edhe pse ajo po del në sipërfaqe dita ditës. E vërteta mund të pengohet të dalë plotësisht për pak kohë, siç u pengua për vite e vërteta për inceneratorët, por ajo nuk mund të pengohet përjetësisht. Përgjegjësit e kësaj afere do të mbajnë përgjegjësi të plotë, sado të përpiqen, që në kundërshtim me Kushtetutën dhe më votë politike, të refuzojnë hetimin parlamentar”.

Ora 14:15
Konferenca e Kryetarëve/ Bardhi akuzon Spiropalin: Keni 2 muaj që s’mblidhni Këshillin për mandatin e deputetit Vullnet Sina, po e mbroni me procedurë

Gazment Bardhi gjatë një mbledhje të Konferencës së Kryetarëve

Opozita këmbëngul në Konferencën e Kryetarëve që të ngrihet Komisioni Hetimor për Portin e Durrësit, kurse mazhoranca argumenton se duhet të shprehet Kushtetuesja që ka një padi për këtë çështje, teksa edhe periudha e zgjedhjeve e kufizon ngritjen e Komisioneve.

Pasi akuzoi PS se “s’i konkurrojnë dot për vjedhje dhe populizëm’, kreu i grupit të PD iu kthyer kryeparlamentares Elisa Spiropali, se prej dy muajsh bllokonte Këshillin e Rregullores dhe Mandateve për deputetin socialist Vullnet Sina.

“Keni 2 muaj që nuk mblidhni Këshillin e Rregullores dhe Mandateve për mandatin e Vullnet Sinës. Zonja kryetare duhet të mblidhni Këshillin e Rregullores dhe mandateve. Nuk mund të shkelni Kushtetutën dhe rregulloren në tentativë për të mbrojtur me procedurë ata që kanë shkelur rregulloren. Është e papranueshme", u shpreh deputeti demokrat gjatë fjalës së tij ndër të tjera.

Në fund, Konferenca e Kryetareve nuk arriti dakordësi dhe çështja do t’i kalojë seancës së parë plenare, pas çeljes së sesionit të ri.

Ora 13:58
Konferenca/ Peleshi: Bardhi e interpreton ndryshe, Parlamenti s’kontrollon vetveten! Duket veprim politik, periudha e zgjedhjeve s’e lejon ngritjen e Komisionit

Niko Peleshi gjatë një mbledhje të Konferencës së Kryetarëve

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Niko Peleshit, dha qëndrimin e tij në Konferencën e Kryetarëve të ditës së sotme, duke argumentuar pse Komisioni Hetimor i kërkuar nga PD nuk mund të ngrihej.

“Së pari, kërkesa e depozituar nga deputetët e opozitës është formuluar dhe interpretuar ndryshe nga Z. Bardhi. Në thelb, kërkesa është për kontrollin e ligjshmërisë së procedurave, ndërsa Z. Bardhi e interpretoi atë si të lidhur me efektet e zbatimit të kontratës, duke e trajtuar kërkesën si të gabuar në mënyrë të tërthortë. Parlamenti nuk mund të ngrejë një komision hetimor për të kontrolluar vetveten, pasi këtë kompetencë, sipas Kushtetutës, e ka Gjykata Kushtetuese. Është e njohur që Gjykata Kushtetuese do të shqyrtojë ligjshmërinë e këtyre procedurave në janar”, tha Peleshi.

Ai shtoi më tej se ‘ngritja e komisionit hetimor në këtë rast shkel hapësirën kontrolluese të Gjykatës Kushtetuese dhe tejkalon kompetencat e Kuvendit’. 

“Ky duket si një veprim politik në prag të zgjedhjeve, për të krijuar një situatë të pavërtetë dhe të paqëndrueshme. Gjithashtu, është fakt që procedurat e këtij projekti kanë kaluar të gjitha hapat e kontrollit parlamentar gjatë miratimit në Kuvend. Së fundmi, periudha zgjedhore kufizon funksionimin e komisioneve hetimore, pasi Parlamenti “ngrin” gjatë kësaj kohe, duke e bërë të pamundur ngritjen dhe funksionimin e komisionit në kushtet e propozuara”, përfundoi Peleshi.

Përgjigja e tij erdhi në kuadër të kërkesës së 35 deputetëve të opozitës për ngritjen e Komisionit Hetimor të Kuvendit për kontrollin e ligjshmërisë në procedurat e:

-Miratimit të projektit “Marina & Jahtet e Durrësit”;
-Shitjes së koncesionit të menaxhimit të portit kompanisë Schapha d.o.o.;
-Ndërtimit të portit të ri në Porto Romano.
Ora 13:44
Debate te Konferenca/ Zhupa: Argumenti juaj s’qëndron, Kushtetuesja lejon Komisionet Hetimore! Bardhi: Në vjedhje e populizëm s’ju konkurrojmë dot

Ina Zhupa, deputete e PD

Deputetja e Partisë Demokratike Ina Zhupa kundërshtoi argumentet e PS në Konferencën e Kryetarëve se Komisioni Hetimor për Portin e Durrësit s’mund të ngrihet për shkak se çështja ndodhet në Kushtetuese.

Së bashku me kreun e grupit, Gazment Bardhi, ajo u shpreh se Kushtetuta përcakton ngritjen e Komisioneve.

“Po harxhoni një kohë që nuk është produktive, ju s’keni asnjë të drejtë të rrëzoni një komision hetimor, sepse keni detyrimin që i jep Kushtetuta, Neni 77 e thotë qartë. Argumenti i Z. Balla, i cili në fakt është në konflikt interesi sepse përfaqëson qeverinë në konferencën e kryetareve dhe duhet fliste në fund, se ky është objekt hetimi i Gjykatës Kushtetuese, nuk qëndron”. 

Më tej shpjegoi edhe vendimin e Kushtetueses për kërkesat që depozitohen për komisione hetimore:

“Gjykata Kushtetuese është shprehur në vitin 2014 që ekzistenca e një procesi hetimor/gjyqësor për të njëjtën çështje, nuk përbën pengesë, sepse Komisionet Hetimore ndjekin qëllime të ndryshme. Siç kemi hetuar edhe çështje që gjykon SPAK dhe gjykata e posaçme, që prapë janë pushtet gjyqësor”.

Në fund Zhupa u tha kolegëve socialistë se në këtë pikë mund të diskutohej vetëm për afatin dhe jo nëse ngrihet apo jo komisioni.

“E vetmja gjë që mund të diskutojmë është nëse keni sugjerime për afatin, 6 a 5 muaj dhe hajde të punojmë. Sepse interesi publik duhet të jetë i pari për punën e Kuvendit dhe jo interesi klientelist”.

Kurse kreu i grupit të PD, Bardhi, u shpreh: 

“Në populizëm dhe në vjedhje të grupit të strukturuar kriminal nuk ju konkurrojmë. Kjo është fusha juaj. Ne kujdesimi për qytetaret dhe jemi krah shqetësimit dhe interesit të tyre”.

Ora 13:29
Kërkesa për komision hetimor për Portin e Durrësit, Çuçi: S'mund të marrim vendim derisa çështja është në Kushtetuese! Parlamenti në limitet e punës

Bledi Çuçi, nënkryetar i Kuvendit

Në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve ditën e sotme, lidhur me kërkesën e opozitës për ngritjen e një komisioni hetimor për projektin zhvillimor të Portit të Durrësit, nënkryetari i Kuvendit, Bledi Çuçi, tha se një kërkesë e tillë e opozitës nuk mund të miratohet. 

Çuçi tha se opozita e ka çuar çështjen në Gjykatën Kushtetuese dhe duhet pritur kjo e fundit që të shprehet. Më poshtë pjesë nga fjala e Çuçit. 

"Ne kurrë s'kemi thënë që jemi kundër komisioneve hetimore. Kur ju i bëni komisionet hetimore me objektin e duhur janë miratuar. Pak a shumë ishin shteruese argumentet e grupit tonë parlamentar. Por dua të shtoj se sa herë që lexoj kërkesën ëe duket edhe e vonuar, edhe e shpejtuar, sepse jemi në limitet e punës së këtij Parlamenti. Në pjesën e fushatës, Parlamenti nuk mund të funksionojë. Më duket e vonuar se mund ta kishit bërë më përpara këtë komision nëse do ta donit”, tha deputeti socialist. 

Më tej ai shpjegoi se kjo çështje po shqyrtohet në Kushtetuese dhe nuk mund të merret një veprim tjetër pa pritur atë vendim. 

“Më duket e shpejtuar se jemi përpara vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Të presim njëherë Gjykatën Kushtetuese se çdo të thotë për këtë çështje. Ju keni kërkuar shfuqizim e të gjithë korpusit ligjor për çështjen e Portit te Durrësit në Gjykatën Kushtetuese. Të paktën sot ne nuk mund të marrim një vendim për ngritjen e një komisioni të tillë hetimor, pa folur gjykata", deklaroi Çuçi.

G.K/A.Q/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Vendos trajneri i ri, dy yjet e Manchester United dalin në shitje

Vendos trajneri i ri, dy yjet e Manchester United dalin në shitje