Opozita malazeze bllokon seancën e Kuvendit dhe miratimin e buxhetit

Opozita malazeze bllokon seancën e Kuvendit dhe miratimin e buxhetit

Opozita malazeze bllokon seancën parlamentare

Opozita në Mal të Zi, e udhëhequr nga Partia Demokratike e Socialistëve (DPS), e bllokoi seancën e 21 janarit në Kuvend, ku në rend dite ishte diskutimi dhe miratimi i buxhetit të vitit 2025.

Pasi kryetari i Kuvendit, Andrija Mandiç, hapi seancën, deputetët e opozitës u ngritën nga vendet e tyre dhe dolën para tij.

“Shikoni se në çfarë kushtesh punojmë, ndërkohë që duhet të diskutojmë një çështje të rëndësishme. Autoriteti i Kuvendit po vihet në pikëpyetje”, tha Mandiç.

Ai paralajmëroi se deputetët që u ngritën nga vendet e tyre, do të marrin masa ndëshkuese me shkrim.

Mandiç nuk specifikoi se kur do të vazhdojë seanca.

Opozita i ka penguar seancat parlamentare që nga 20 dhjetori, duke kërkuar që të anulohet vendimi për pensionimin e gjyqtares së Gjykatës Kushtetuese, Dragana Gjuranoviç, i marrë po atë muaj.

Sipas opozitës, ky vendim ka qenë i paligjshëm.

BE-ja ofron ndihmë

Bllokimi i punimeve në Kuvendin e Malit të Zi u diskutua edhe gjatë vizitës zyrtare të komisionares evropiane për Zgjerim, Marta Kos, në Mal të Zi, e cila ofroi ndihmën e Komisionit Evropian për normalizimin e punës së Kuvendit.

Delegacioni i BE-së propozoi përfshirjen e Komisionit të Venecias - një organ këshillues i Këshillit të Evropës - në zgjidhjen e krizës kushtetuese dhe parlamentare.
Edhe pse DPS-ja nuk e refuzoi publikisht këtë propozim, kryeministri malazez, Millojko Spajiq, e akuzoi atë për aktivitete antievropiane.

Deputeti i opozitës nga Social-demokratët, Nikolla Zirojeviç, tha se nuk ka vend për kompromis kur shkelet Kushtetua.

“Nuk e di se si duhet ta komunikojmë, ta shkruajmë, ta vizatojmë, ta këndojmë, si me shumicën parlamentare, ashtu edhe me Delegacionin e BE-së: nuk negociojmë për respektimin e Kushtetutës së Malit të Zi në Kuvendin e Malit të Zi”, tha Zirojeviç.

Kërkesat e opozitës

Përveçse anulimin e pensionimit të gjyqtares Gjuranoviq, opozita kërkon edhe nënshkrimin e marrëveshjes me pushtetin për të mos e ndryshuar Kushtetutën në fushën e çështjeve të identitetit dhe as Ligjin për shtetësinë malazeze.

Ndryshime të tilla kërkojnë partitë e ish-Frontit Demokratik prorus, i udhëhequr nga Andrija Mandiç.
Konkretisht, ato kërkojnë që serbishtja të bëhet gjuhë zyrtare, duke u barazuar kështu me gjuhën malazeze, dhe liberalizim të shtetësisë, përkatësisht t’u mundësohet edhe shtetasve të vendeve fqinje të bëhen shtetas malazezë.

Përveç opozitës, këto kërkesa i kanë kundërshtuar edhe partitë shqiptare në Qeverinë e Malit të Zi.

Spajiç tha se për to do të vendoset me konsensusin e të gjitha palëve.

Opozita, në anën tjetër, tha se nuk do të lejojë mbajtjen e seancës së Kuvendit deri në plotësimin e kërkesave./REL

Xh.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 21 Janar, 08:38

    14 vite nga vrasja e 4 protestuesve, do bëjë SPAK drejtësi për 21 janarin?



×

Lajmi i fundit

Politikani gjerman i surprizon të gjithë, taktikë për të marrë votat e shqiptarëve: Kam vendosur të mësoj shqip! BILD: S'ka ndodhur kurrë më parë

Politikani gjerman i surprizon të gjithë, taktikë për të marrë votat e shqiptarëve: Kam vendosur të mësoj shqip! BILD: S'ka ndodhur kurrë më parë