37 deputetë të opozitës depozituan një padi në Gjykatën Kushtetuese për ligjin për tatimin mbi të ardhurat, duke e konsideruar në kundërshtim me kushtetutën. Ndryshimet e bëra në këtë ligj dhe të miratuara gjatë vitit të kaluar, kanë bërë pjesë të sistemit të taksimit progresiv me fasha edhe 29 mijë profesionistë të lirë.

 

Opozita në padinë e bërë kërkon nga Gjykata Kushtetuese shfuqizimin e pikës 2 të nenit 24 ku parashikohen fashat 15% dhe 23% e tatimit të profesionistëve të lirë. Si dhe kërkohet shfuqizimi i fjalisë së dytë të germës D të nenit 69 ku përcaktohet tatimi i profesionistë që ofrojnë shërbime profesionale.

Pas depozitimit të padisë deputetja Jorida Tabaku tha se taksimi i kësaj kategorie është i padrejtë, dhe se gjykata kushtetuese duhet të ngrihet në nivelin që i takon dhe të bëjë një të mirë publike. Kurse deputetja Emilia Koliqi tha se i është bashkuar kësaj padie pasi godet shtresën e mesme duke e rënduar me taksa në vend që ta mbështesë.

"Shpresoj shumë që Gjykatat Kushtetuese të ngrihet në nivelin që i takon, dhe të mos caktoj precedentë që janë të rrezikshme për besueshmërinë e saj, e të jap  një vendim në të mirë publike, që në këtë rast shkon me shtresën e mesme.

I bëj thirrje kujtdo që do t’i bashkohet kësaj padie si palë, të jap mendimin e vet, nga institucioni i avokatit të popullit, e institucionet e tjera, që duan t’i bashkohen kësaj nisme të grupit parlamentar të PD. Ne besojmë tek forca që kanë institucionet dhe tek ligji, shpresojmë që Gjykata Kushtetuese të mos zhgënjejë", tha Tabaku. 

Prej 1 janarit të këtij viti profesionistët e lirë që ofrojnë shërbime profesionale (26 lloje aktivitetesh, të ndara në 169 profesione) janë bërë pjesë e taksimit me fasha, dhe nuk trajtohen më si biznes i vogël me 0% tatim.  Ata që sigurojnë të ardhura vjetore deri në 14 milionë lekë do të tatohen me 15% ndërsa ata që kanë të ardhura mbi 14 milionë lekë do të paguajnë 23% tatim.

Për ekspertët tatimi në mënyrë progresive i profesioneve të lira, krijon premisa për korrupsion, shkaktohen diferencime dhe diskriminim midis biznesit që deri në 14 milionë lekë nuk paguan tatim kundrejt një profesionisti.