Opozitarët serbë kërkojnë sqarim për rolin e Serbisë në Banjskë

Opozitarët serbë kërkojnë sqarim për rolin e Serbisë në Banjskë

Gjatë seancës së parë të sesionit vjeshtor, një pjesë e deputetëve opozitarë në Kuvendin e Serbisë më 23 tetor ngritën çështjen e rolit të udhëheqjes serbe në sulmin në Banjskë në veri të Kosovës.

Më 24 shtator, një grup i armatosur serbësh sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku. Gjatë përleshjeve u vranë edhe tre sulmues serbë.

Kosova ka fajësuar Serbinë për sulmin, por kjo e fundit ka mohuar çdo përfshirje. Përgjegjësinë për sulmin në Banjska e ka marrë Millan Radoiçiç, ish-nënkryetari i Listës Serbe, partisë më të madhe e serbëve në Kosovë, e cila ka mbështetjen e Beogradit.

“Prandaj le të pyesim tani [drejtorin e Agjencisë për Siguri dhe Informacion – BIA, Aleksandar] Vulinin, [presidentin e Serbisë, Aleksandar] Vuçiçin, dhe [ministrin serb të Punëve të Brendshme, Bratisllav] Gashiçin, si është e mundur që nuk e dinit se çfarë po bënte Radoiçiqi në Banjskë me persona të armatosur me mitraloz, pushkë që asnjë qyteti të Serbisë nuk i lejohet t’i mbajë privatisht”, tha Nebojsha Zellenoviç, bashkëkryetar i partisë opozitare Së bashku, teksa iu drejtua deputetëve në seancë plenare.

Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Progresive Serbe (SNS) në pushtet, Millenko Jovanov, u kundërpërgjigj duke thënë se Zellenoviç për gjithçka fajëson serbët, pa e shikuar përgjegjësinë e palës tjetër.

"Ai thotë se është e tmerrshme që Aleksandar Vuçiç nuk dinte asgjë, por për të nuk është e tmerrshme që vdiqën tre serbë. Ai këtë nuk e tha kurrë”, tha Jovanov.

Një pjesë e opozitës në Serbi ka kërkuar më 3 tetor një seancë urgjente të Kuvendit, në të cilën, përmes formimit të Komisionit Hetimor, do të përcaktohej përgjegjësia e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, si dhe roli i Millan Radoiçiç, për ngjarjet në Banjksë. Por, një propozim i tillë nuk është pranuar.

Ky zhvillim vjen në ditën kur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se sulmi në Banjskë u krye nga “Klani i Novi Sadit, i udhëhequr nga ministri i Mbrojtjes së Serbisë, Millosh Vuçeviç”.

“Para dy dekadave në Serbi sundonte Klani i Zemunit, kurse tash vendin atij ia ka zënë Klani i Novi Sadit. Kriminelë në luftë, kriminelë në paqe; kriminelë në Serbi, kriminelë në Kosovë. Presidenti i shtetit, Aleksandar Vuçiç, porsi një capo-di-tutti-capi, ndodhet aty për të dëshmuar që ndonëse krimi e dikton shtetin, në fakt, është shteti që e dikton krimin”, shkroi Kurti në Facebook të hënën.

Vuçeviç i ka hedhur poshtë si “gënjeshtra plotësisht të neveritshme dhe flagrante” deklaratat e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti. Kosova ka kërkuar që të kryhet një hetim ndërkombëtar për Serbinë, në mënyrë që të përcaktohet roli i Beogradit në sulmin që Prishtina e cilëson si terrorist. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian e kanë dënuar ashpër sulmin dhe kanë kërkuar që përgjegjësit të përballen me drejtësinë./REL

S.S/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se do realizohet vota e diasporës për zgjedhjet e ardhshme?



×

Lajmi i fundit

Fitorja me Romën, Granit Xhaka: Duhet të shënonim më shumë gola

Fitorja me Romën, Granit Xhaka: Duhet të shënonim më shumë gola