OPPENHEIMER/ Mes shkencës dhe shkatërrimit

OPPENHEIMER/ Mes shkencës dhe shkatërrimit

Duhet thënë menjëherë: Oppenheimer, filmi i ri i Christopher Nolan është një kryevepër. Jo vetëm kaq: është një film esencial. Ai tregon jetën dhe kërkimin obsesiv të Robert J. Oppenheimerit, fizikanit amerikan të konsideruar si babai i bombës atomike, i cili, duke filluar nga viti 1942, bashkëpunoi me një grup shkencëtarësh në projektin e famshëm Manhattan, për krijimin e një arme mjaft të fuqishme, për t’u përdorur si parandaluese ​​kundër nazistëve dhe aleatëve të tyre japonezë. Parandaluese? Ne e dimë se si shkoi.

Që nga fillimi, filmi përzien dy plane kryesore: është i riu Oppenheimer (Cillian Murphy), për miqtë e tij Oppie, një student i fizikës që kërkon mentorin e duhur për të testuar terrenin e paeksploruar të mekanikës kuantike dhe më vonë një profesor që studion një grup gjithnjë e më të madh akolitësh.

Dhe më tej është heroi kombëtar, i cili falë shpikjes së tij ndihmoi për t’i dhënë fund Luftës së Dytë Botërore, por që hetohet në vitin 1954 nga një komision i posaçëm qeveritar, i cili synon të verifikojë lidhjet e tij me komunistët, në një gjyq i cili gjithashtu përfundon duke tërhequr edhe presidentin e Agjencisë Atomike Amerikane, Lewis Strauss (në film, Robert Downey Jr.).

Në mes, Nolan përshkruan përpjekjen për të ndërtuar dhe testuar bombën atomike në Los Alamos, një qytet i ndërtuar nga e para në shkretëtirën e Nju Meksiko, në një ndërmarrje të vënë në zbatim nga këta shkencëtarë, nën drejtimin e Oppenheimerit dhe nën komandën e gjeneralit Lesley Groves (Matt Damon).

“Fillova të dëgjoj për çarmatimin bërthamor në vitet 1980 kur isha fëmijë,” thotë Nolan. “Terrori i Apokalipsit atomik ishte i jashtëzakonshëm në atë kohë. Dhe më pas në vitin 1985 erdhi kënga e Sting, Russians, ku ai i referohej bombës si lodra vdekjeprurëse e Oppenheimer-it”.

Për shumë vite, ky emër kumbonte në kokën e autorit të ardhshëm të filmave si trilogjia Dark Knight, Inception dhe Interstellar, derisa u bë i vetëdijshëm për një informacion kyç: «Ishte një moment kur Oppenheimeri dhe kolegët e tij, të paktën në një nivel teorik, hodhën hipotezën se shpërthimi i bombës atomike mund të shkaktonte një reaksion zinxhir të aftë për t’i vënë flakën atmosferës dhe për të shkatërruar jetën në Tokë”, shpjegon regjisori, i cili shkroi skenarin e frymëzuar nga libri “Robert Oppenheimer – Babai i bombës atomike”, nga Kai Bird dhe Martin J. Sherwin. “Pavarësisht rrezikut që ky eventualitet të ndodhte, i konsideruar i ulët por jo i përjashtuar tërësisht, ata vazhduan gjithsesi eksperimentin”.

Rastësisht, ndërkohë që Nolan po punonte për filmin, frika nga apokalipsi bërthamor jehoi sërish në shoqëri, për shkak të pushtimit të Ukrainës nga Rusia dhe kërcënimeve të përsëritura të Putinit për të përdorur bombën atomike nëse e detyronte NATO: “Natyrisht që do ta kisha shmangur me kënaqësi një hipotezë të tillë”, thotë Nolan. “Por në këtë kuptim, filmi nuk është gjë tjetër veçse një mjet për t’i kujtuar të gjithëve atë që kemi parë, kur është përdorur ajo armë”.

Disa polemika të kota në këtë drejtim u shkaktuan nga fakti se imazhet eksplicite të efekteve të shpërthimeve në Nagasaki dhe Hiroshima nuk shihen kurrë në film (“Doja të përshkruaja shtrirjen e tyre përmes vizionit subjektiv të Oppenheimerit”, shpjegon regjisori), por në realitet ajo që tregohet është shumë më rrëqethëse sesa trupat e djegur, të njohur për shumicën prej nesh, dhe është dialogu me dyer të mbyllura gjatë të cilit politikanët, ushtria amerikane dhe vetë Oppenheimeri debatonin se në cilin qytet japonez mund të hidhnin bombën.

“Ai dhe shkencëtarët e tjerë nuk e konsideruan këtë mundësi si reale,” thotë Nolan. “Por fakti që ngjarja mund të ndodhte nuk i bëri të tërhiqen në përpjekjen për të kënaqur etjen e tyre për dije, sepse ata mendonin se ndjekja e këtij zbulimi ishte një fakt i natyrshëm, në një farë mënyre i pashmangshëm”.

Sipas regjisorit, kjo ka ndryshuar përgjithmonë rrjedhën e historisë, e që shumëkush sot e lidh me ardhjen e inteligjencës artificiale gjeneruese, e cila do të depërtojë gjithnjë e më shumë në çdo aktivitet njerëzor dhe hipotetikisht edhe në menaxhimin e armatimeve. “Pa kërcënimin atomik sot do të jetonim në një botë krejtësisht të ndryshme. Dhe shumë shkencëtarë e kanë krahasuar shpikjen e Oppenheimerit me atë të AI, që tani e kemi në dispozicion, por pa e ditur se cilat do të jenë zhvillimet e ardhshme.”

Përtej “biografisë” së pastër që na tregon Oppenheimerin si një bashkëshort pa besim, një aktivist politik, një idealist i aftë për pragmatizëm ekstrem, një bashkëpunëtor aq besnik sa të rrëshqasë në një naivitet politik pothuajse fëminor, thelbi i historisë qëndron në rindërtimin e Projektit Manhattan: duke mos qenë më në gjendje të xhironte në Los Alamos, që ka ndryshuar shumë me ndërtesat moderne krahasuar me ato origjinale, regjisori e rindërtoi qytetin në Ghost Ranch, një sipërfaqe prej 8,500 hektarësh në New Mexico. Sa i përket kantierit të testit bërthamor, ai u rikrijua duke mbajtur parasysh atë realin, ku sot ndodhet një bazë ushtarake. Në atë moment, megjithatë, ishte e nevojshme të filmohej i ashtuquajturi Testi i Trinitetit, i cili i dha Oppenheimerit dhe ushtrisë konfirmimin se shpërthimi ishte shkatërrues, por disi i kontrollueshëm.

“E dija se do të ishte një nga gjërat më të vështira për t’u filmuar”, thotë Nolan: “Dhe nuk doja t’i drejtohesha grafikës kompjuterike siç bëra tek The Dark Knight, sepse besoj se efektet digjitale në perceptimin e shikuesve largojnë një ndjenjë reale kërcënimi nga ajo që shihet në ekran”. Kështu regjisori i besoi ekspertit të efekteve vizuale Andrew Jackson dhe ekspertit të efekteve speciale Scott Fisher detyrën për të kryer një sërë testesh praktike, për të filmuar live diçka e cila kujtonte atë moment që ndryshoi historinë e njerëzimit.

“Në një farë mënyre ishte si të kryeja eksperimente shkencore pa e ditur nëse do të kisha sukses në qëllimin tim”, thotë regjisori. “Një objektiv që më bëri të ndihem pak më afër me atë se si duhet të jetë ndjerë vetë Oppenheimeri.”

Domethënë një njeri jashtëzakonisht i fuqishëm dhe krenar, por i tmerruar në të njëjtën kohë. Si dikush që e di se ka krijuar një armë të shkatërrimit në masë, të cilën herët a vonë dikush mund ta përdorë./ Bota.al

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen