Odisea e Christopher Nolan është një kryevepër! Një film gati 3 orë që duhet parë e dëgjuar pa kokoshka nëpër dhëmbë e duar. Duke lënë mënjanë polemikat e interpretimit të saktë apo të gabuar të luftës së Trojës dhe impaktit që pati tek Odisea dhe luftëtarët e tij, realizimi i regjisorit “çmim oskar” të mban mbërthyer nga fillimi në fund. Isopolifonia shqiptare dhe fyelli i mjeshtrit Vendim Kapaj janë përdorur me një delikatesë mbinjerëzore; si të ishte efekti i prekjes së një pëlhure mëndafshi të vyer, nga puhiza më e lehtë e një nate vere.
Dy momentet tepër të shkurtra, por shumë të thella kur ne dëgjojmë atë që vjen nga thellësia e tokës ku kemi lindur janë: 1) këndimi që del nga shpirti i luftëtarëve të Odisesë në anije pas një furtune jashtëtokësore, iso që zgjat sa një e hapur goje, por që ka shekuj thellësi dhe 2) Fyelli i pëshpëritur i Vendim Kapajt kur Odiseja prek tokën e tij në Itakë. Tingujt e Labërisë sonë janë në dhimbjen dhe gëzimin më të thellë njerëzor dhe dy artistë si regjisori Christopher Nolan dhe kompozitori Ludwig Göranson i kanë kapur, kuptuar dhe vendosur në pikat më kulminante që një qenie njerëzore mund të perceptojë.
Odisea e Nolan nuk duhet parë, duhet përthithur, dëgjuar, shijuar… Është një realizim në të cilin u përdorën jo pa qëllim teknologjitë më të avancuara në kinematografi, aq sa në pak salla të specializuara kinemaje mund të shfaqet (për fat dhe largpamësi ka të tilla në Shqipëri).
Sa për Labërinë dhe sekretet e pafundme që ajo ruan në thesaret e saj, dikush, disa, në kohët që do të vijnë herë pas here do t’i zbulojë e do t’i prezantojë. Nuk janë thesare që ulëritën nëpër social media, apo në sipërfaqe të jetës sonë, janë vlera që të zbresin në thellësi, në thesare të njerëzores që ruhet e del në sipërfaqe vetëm nga “arkeologë” të së bukurës dhe të mirës. Odisea e Nolan përbuz kodet që njeriu shkeli në emër të luftës dhe hakmarrjes dhe vendos në piedestal shpirtin e pastër, të rindërtuar pas vuajtjeve. Duhet të jemi të lumtur që tingujt shqiptarë janë pjesë e këtij melhemi universal të së mirës e të bukurës!
Komente







