ZYRIH – Stari i televizionit amerikan, Oprah Winfrey, ka rrëfyer se ka qenë viktimë e racizmit në një dyqan luksi në Zyrih, ku u gjend muajin e kaluar për martesën e Tina Turner.
 
Në një intervistë për Larry King tek Ora.tv, mbretëresha e talk-show-ve amerikanë ka treguar se një shitëse e dyqanit refuzoi t’i tregonte një çantë që kushtonte 35.000 franga (mbi 28.000 euro), duke thënë se "ishte tepër e kushtueshme për të".
 
Shitësja i kishte thënë se çanta prej krokodili ishte krijuar për aktoren amerikane Jennifer Aniston. Sipas revistës “Forbes”, Oprah Winfrey ka një pasuri prej 2,8 miliardë dollarësh.
 
E kontaktuar nga France presse, Trudie Goetz, pronarja e rrjetit të dyqaneve të luksit Trois Pommes (Tre Mollët), ka thënë se bëhet fjalë për një keqkuptim: "Shitësja ime donte të ishte tepër e sjellshme. Ajo ka dashur t’i tregojë versione më pak të kushtueshme, lëkurë e vërtetë dhe kadife”.
 
Nga ana e tij, Suisse Tourisme, agjencia e promocionit turistik ka paraqitur shfajëzimet e saj në Tëitter: "Shitësja ka pasur një sjellje jo korrekte. Kërkojmë ndjesë”.

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)