Organizata terroriste: Ne vendosëm
bomba në banesat e gazetarëve grek

Organizata terroriste: Ne vendosëm <br />bomba në banesat e gazetarëve grek
GREQI - Me anë të një komunikate në mediat elektronike greke, organizata e re “Qarqet e Shkelësve të ligjit/ Bërthama pakicës luftarake” ka marrë përsipër aktin e vendosjes së bombave në banesat e pesë gazetarëve grekë dje në mëngjes herët.

Në komunikatën e tyre grupi i saposhfaqur terrorist dhe anarkist akuzon gazetarët dhe krejt median për qëndrim të njëanshëm dhe informacion të gabuar qëllimisht ndaj opinionit publik grek, për një media, e cila dizinformon dhe terrorizon popullin grek dhe që është vënë krejtësisht në shërbim të sistemit politik aktual.

Komunikata çelet me një poezi të poetit të njohur grek Titos Patrikios. Më pas vazhdon me deklaratën e grupit për arsyet e shfaqjes së tyre në kushtet aktuale në Greqi.

PJESE NGA KOMUNIKATA

“Ekzistojmë edhe ne. Në mes të turmave, mes jush. Lëvizim, marrim frymë në të njëjtën botë, përjetojmë të gjitha trajtat e saj në sëmundje. Zjarrvënësit e djeshëm jemi ne pra, të revoltuarit e sotëm, skllevërit e indinjuar. Ata që rrezikojnë- dhe këtë dëgjojeni mirë- jo si një tregues vetëheroizmi, por si një klithmë e dëshpëruar lirie. Në mes të botës së hijeve, ku të veshurit me kostume përfaqësojnë ligjin fshihen pas buzëqeshjeve fajtore të dëshirave e qëllimeve të mira, të gjithë ata vrasin në emër të drejtësisë, barazisë dhe demokracisë, të transparencës dhe të pastrimit shtetëror, të bashkimit kombëtar, të rregullit dhe sigurisë, të shoqërisë së konsumit. Kasapë të lumtur që kamuflojnë veglat e tyre mes dosjeve, librave ligjorë, arritjeve teknologjike. Kriminelët nuk eshin vetëm uniformën e policit, por gjenden të fshehur gjithandej, në panelet televizive, ne rajonet e policive, ne zyrat e shumëkombësheve, në laboratorët shkencore, në kolltukët ministrorë, në gishtin e spiunëve, në vilat e të pasurve.

Po diku atje ekzistojmë edhe ne. Në botën e punës që ndërton kontratat e saj, në bankat e shkollave apo ne auditorët e universiteteve, në shoqëritë në lokale apo nëpër shtëpira, në parqe e lulishte. Në idetë tona, në kundërshtitë, në zhgënjimet e në rrugët tona pa krye. Me një ndryshim të vogël, një vendim të madh dhe me një dëshirë të madhe, atë të zgjedhjes së luftës. Të luftës kundër shoqërisë aktuale të konsumit, të izolimit, individualizmit, të shtypjes së dhunshme. Të burgjeve të vogla e të mëdha të stepës sociale, të getove... Diku atje ne kryejmë “mëkatin” e paligjshëm të lirisë...

Njerëz të ndryshëm, nga të gjitha cepat e qyteteve dhe të gjithë anëve të botës, të ndërgjegjësuar për pozicionin tonë në këtë ndërtesë moderne, vendosim veten tonë në një pozicion mbrojtjeje dhe në vazhdim të sulmit, me karakter antipushtetar, duke ndërtuar në të njëjtën kohë themelet e botëve tona utopike në marrëdhëniet tona. Marrëdhënie sinqeriteti, respekti reciprok... ”
Më pas komunikata vazhdon me sulmin e drejtpërdrejtë kundër mediave greke, të cilat i konsideron si shërbëtore, papagall dhe zëdhënës së regjimit dhe mbrojtës të zjarrtë të sistemit. Thuhet:

“Le të ndryshojë vendndodhjen frika. Mediat përbëjnë përfaqësimin zyrtar të sistemit. Në kushtet e reja që po krijohen, roli i tyre rivlerësohet nga ruajtës të ekuilibrave ndërmjet shoqërisë dhe sistemit politik në administratorët kryesorë të planeve e projekteve shtetërore e qeveritare, duke manipuluar analogjikisht edhe shoqërinë. Në demokracitë perëndimore gjithmonë nevojitej një lloj gjasme kritizer realist, i cili të kontrollojë kuadrin ligjor dhe gjasme liritë demokratike, duke nënvlerësuar e varrosur në të njëjtën kohë luftërat e vërteta për liri. Dygjuhësia e tyre ruan një lloj retorike “dashamirësie” për shtresat e varfra, punëtorët e të shtypurit, duke u shkelur në të njëjtën kohë syrin shtypësve, politikanëve dhe bosëve të tyre. Duke derdhur lot krokodili për vuajtjet e popullit.

Në epokën e krizës ekonomike dhe jo vetëm, shteti blindohet dhe vendos si objektivin kryesor prodhimin e frikës, jo vetëm tek ata që e luftojnë, por edhe më gjerë në shtresat e gjera të shoqërisë. Operacionet shtypëse policore këtë objektiv kanë, mbjelljen e frikës dhe një karakter komunikativ. Mediat janë shtylla kryesore e kësaj strategjie shtetërore. Krijojnë e ndërtojnë fajtorë ikonikë dhe paralelisht mbushin pamjet vizive televizive me pamje, të cilat ndikojnë në instiktet konservatore të opinionit publik...”

(Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Modena/ Dy ‘skifterët’ shqiptarë grabitën 400 mijë euro mall në tetë ditë, 19 vjedhje në seri! Njëri i dënuar dhe për plagosje, plaçkitjet me orar

Modena/ Dy ‘skifterët’ shqiptarë grabitën 400 mijë euro mall në tetë ditë, 19 vjedhje në seri! Njëri i dënuar dhe për plagosje, plaçkitjet me orar