Organizimi, ​PS nis evidentimin e
emigrantëve të brendshëm për votime

Organizimi, ​PS nis evidentimin e<br />emigrantëve të brendshëm për votime
Partia Socialiste po ngre një sistem të fuqishëm të dhënash mbi votuesit e saj të pritshëm për zgjedhjet e vitit 2017, dhe për këtë nuk po punon vetëm me emigrantët jashtë vendit, por edhe me emigracionin e brendshëm. Në mbledhjen e fundit e Sekretariatit të Partisë Socialiste, Shqiptarja.com mëson se është lënë porosi që për çdo qark, një strukturë e veçantë të punojë në këtë drejtim.

Porosia është lënë Sekretares për Koordinimin Elektoral, Blerina Gjylameti nga Sekretari i Përgjithshëm, Gramoz Ruçi. Kjo nevojë ka ardhur pas fenomenit të vrojtuar në zgjedhjet e Dibrës ku më shumë se 600 votues, kishin ardhur nga Tirana, ose nga zona të tjera për të marrë pjesë në votime. Këta njerëz ishin organizuar individualisht, ndaj PS sheh nevojën që në zgjedhjet e tjera, të koordinojë dhe të mundësojë transportimin e emigrantëve të brendshëm për në zonat e tyre të votimit. E thënë ndryshe, në çdo qark të vendit, pritet që shtabi i Partisë Socialiste të ngrejë nga një grup pune që evidenton se ku banojnë votuesit e saj.

Pra, psh. Dega e qarkut Fier do të listojë të gjithë votuesit e këtij qarku që jetojnë në Tiranë apo qytete të tjera por të drejtën e votës e kanë në Fier. Ky evidentim do të pasohet pastaj me kontaktimin e tyre, përfshirjen në fushatë, dhe mbi të gjithë, PS do të ketë mundësinë të dijë se ku i ka votuesit e saj dhe të mundësojë pjesëmarrjen e tyre në zgjedhje. Në këtë mënyrë, PS po përpiqet të skanojë mirë radhët e saj dhe të mos humbasë asnjë votues, i cili për arsye nga më të ndryshmet, qoftë nga kostoja e transportit, apo mungesa e logjistikës, të mos mungojë në votime. Kjo është hera e parë që një parti të kujdeset për emigracionin e brendshëm duke krijuar një bazë të saktë të dhënash. Thuajse të gjitha partitë  deri më tani kanë punuar fort për të konsoliduar degët në emigracion, kryesisht në Itali e Greqi.

Herë pas here janë parë dhjetëra autobusë që një ditë para zgjedhjeve kanë sjellë në atdhe emigrantë nga jashtë vendit për të votuar dhe më pas i kanë kthyer ata në vendet e punës.  

Siç Shqiptarja.com ka raportuar në fillim të javësh, në këtë mbledhje që më pas u pasua edhe me mbledhjen e kryesisë, Edi Rama ka urdhëruar nisjen e menjëhershme të punë për ngritjen e shtabeve elektorale. Rama kishte urdhëruar anëtarët e kryesisë e po ashtu edhe deputetët që të zbrazen të gjithë në zona dhe të nisin punën për zgjedhjet e ardhshme.

Kryetari i PS-së ka kërkuar që të ngrihen shtabet elektorale, të evidentohen problemet për çdo zonë, të shihet se çfarë mund të rregullohet dhe të ndërhyhet nga qeveri, si dhe në bashkëpunim me ministrat të listohen veprat publike të kryera nga qeveria për çdo zonë, në mënyrë që të ballafaqohen me elektoratin. Pjesë e këshillës së kryeministrit ka qenë qëndrimi sa më pranë anëtarësisë tani e deri ditën e zgjedhjeve, duke shtuan numrin e tyre për të arritur objektivin e 150 mijë anëtarëve, objektiv ky jo vetëm i lidhur me angazhimin partiak, por i lidhur me votat për zgjedhjet e ardhshme elektorale.

Duke e cilësuar si model funksionimin zgjedhor dhe fitoren e Dibrës, Rama ka kërkuar që të implementohet në të gjithë qarqet. Siç ka bërë që në shtator, Edi Rama do të fillojë turin e bashkëbisedimit me qytetarët, ku përveçse do të ndajë certifikatat për tokat bujqësore, do të prezantojë pranë qytetarëve rezultatet e reformave. Deputetët tashmë kanë marrë zyrat e reja elektorale ku do të mblidhen shtabet e zonave.
 

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Partitë proruse përfshihen në qeverinë e riorganizuar të Malit të Zi

Partitë proruse përfshihen në qeverinë e riorganizuar të Malit të Zi