Kombëtarja shqiptare e 21-vjeçarëve do të ketë tre përballje tejet të vështirë në kampionatin evropian, që për herë të parë nga 16 qershori deri më 3 korrik, organizohet në Shqipëri dhe Serbi. Në shortin e hedhur në Beograd, të kuqtë e vegjël ‘peshkuan’ fillimisht Spanjën dhe më pas Italinë e Finlandën.
Tre rivalë jashtëzakonisht të fortë për një kombëtare debutuese edhe pse 21-vjeçarët e Bushit barazuan 0-0 në miqësoren kundër Spanjës pak ditë më parë në ‘Air Albania’. Si ‘La Roha’, ashtu edhe Italia janë rekordmenët e këtij kompeticioni, me nga 5 trofe të fituar. Finlanda ndërkohë këtë verë merr pjesë për herë të tretë në Evropianin e 21-vjeçarëve.
“Bashkëorganizimi i këtij kampionati bashkë me Serbinë ka gjithashtu një domethënie të veçantë. Është detyra jonë e të dy federatave që kemi marrë përsipër këtë përgjegjësi për të treguar që vërtet i ka shërbyer vendeve tona. Ta organizojmë sa më mirë këtë Kampionat Europian dhe t’i bëjmë të gjithë të ndihen të mirëpritur në Shqipëri dhe Serbi,”-u shpreh kreu i FSHF Armand Duka në ceremoninë e shortit në Serbi.
Dy ndeshjet e parë të Kombëtares U-21 do të zhvillohen në ‘Air Albania’, që janë kundër Spanjës me 16 qershor dhe kundër Italisë me 19 qershor, ndërsa ndeshja e tretë më 22 qershor kundër Finlandës në ‘Elbasan Arena’. Nga grupi kualifikohen vendet e para dhe të dyta, ndërsa vendet e treta dhe të katërta eliminohen. Njëjtë si Shqipëria edhe Serbia organizatore të gjithë ndeshjet e Evropianit do t’i zhvillojë në territon e saj, me përjashtim të finales, që nëse e arrin që do të jetë më 3 korrik në stadiumin kombëtar të Tiranës ‘Air Albania’.
Katër grupet e përcaktuara në short.
Shorti e vendosi kombëtaren shqiptare të 21-vjeçarëve në një grup shumë të fortë për Evropianin, por trajneri Alban Bushi thotë se kuqezinjtë do të bëjnë shumë mirë. Sipas Bushit fakti që Kombëtarja do luajë para 22 mijë tifozëve në ‘Air Albania’ do të jetë speciale dhe një faktor shumë i madh ndihmues.
“E dinim që të gjithë kombëtaret në short ishin të forta, të nivelit shumë të mirë teknik dhe fizik. Përsa i përket shortit që ra kemi luajtur në dy vitet e fundit. Me Spanjën luajtëm para dy javësh. Me Italinë kemi bërë miqësore para 3-4 muajsh, ndërsa me Finlandën kemi qenë në të njëjtin grup para 1 viti e gjysëm. Mendoj se është short i mirë duke parë të gjithë ekipet që kanë kualitet. Ne duhet të jemi ambicioz, konkurues çdo ndeshje sepse jo vetëm që ekip të fortë, por edhe do luajmë përballë 20 mijë tifozëve në air Albania. Ky është favor shumë i madh. Shpresoj dhe mendoj se do bëjmë shumë mirë. Do jemi dinjitoz për të përfaqësuar Shqipërinë sa më mirë,”-u shpreh Alban Bushi.







Komente
Komento