VLORË- Tre persona kanë rënë në prangat e policisë Vlorë, pas një aksioni të zhvilluar për goditjen e veprimtarisë së paligjshme të lojërave të fatit. Tre të arrestuarit u kapën në një lokal në lagjen “Osman Haxhiu”, i cili ishte përshtatur për vënien e lojarëve të fatit.
Ndërkohë, është shpallur në kërkim edhe pronari i lokalit Xhimi Llanaj, 39-vjeç. Ndaj tij rëndon akuza "Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra fati të palejuara", "Organizimi i lotarive të palejuara" dhe "Fshehja e të ardhurave".
Tre të arrestuarit janë identifikuar si Olsi Llanaj, 18 vjeç, Nertil Llanaj 38 vjeç dhe Eduart Veizaj, 51 vjeç.
Policia ka sekuestruar edhe 4 kompjuterë dhe 2 celularë që shërbenin për vendosjen e lojërave të fatit.