Drejtori i Kufirit dhe Migracionit, Genc Merepeza sqaron skemën se si funksionon ky mashtrim. Policia po ashtu ka kryer verifikime në disa qytete të vendit me qëllim identifikimin e agjencive të dyshuara që përdorin për fitim mashtrimin e qytetarëve që duan të largohen në drejtim të vendeve të Gjermanisë.
"Në rrjetet sociale përhapen parulla të ndryshme për një udhëtim drejt një jete më të mirë në gjermani. Agjensi të ndryshme të cilat vendosin tabela në autobuzë ku thonë organizojmë udhëtime Shqipëri-Gjermani etj. Pra janë të ndryshme. Njerëzit janë të prirur që të besojnë legjenda të tilla të cilat nuk i çojnë asgjëkundi vetëm pasi bëjnë udhëtimin i kthejnë përsëri në Shqipëri”, u shpreh Merepeza.
Rastet e fundit të organizimit të udhëtimeve masive në drejtim të Gjermanisë, bënë që policia të ndalonte në kufi afërsisht 750 persona që nuk justifikonin udhëtimin. Thirrjet e policisë, dhe dalja e ambasadorit gjerman për A1Report, duket se ulën vrullin e qytetarëve që tentonin të largoheshin drejt Gjermanisë.
Zyrtarë të policisë raportojnë se pas fluksit të ditëve të fundit, refuzimet në kufi janë kthyer në ritmet normale me 40- 50 refuzime në ditë.
Redaksia Online
(g.f/Shqiptarja.com)
