Oriana Kurteshi, një yll
i mbushur me dashuri!

Oriana Kurteshi, një yll <br />i mbushur me dashuri!
Nuk është e vështirë të kuptosh se Oriana Kurteshi ndihet e lumtur. Impakti i parë nga foto e saj plot dritë vërtetohet edhe nga fjalët me të cilat gjendja e saj shpirtërore ilustrohet më së miri. Vitet e vështira të fillimit ku krahas talentit duhet shumë mund të gjesh përkrahjen e duhur kanë mbetur pas. Oriana Kurteshi tashmë është në rrugën e saj. Vetëm pak ditë pushimi për të rifilluar axhendën e koncerteve në Paris me “Songe D’automne”. Pak javë më parë përmbylli me sukses koncertet “Summer Evening” dhe “Imagenes”, ndërsa në opera ka vënë gjurmën e saj me “Elisir d’Amore” të Donizetit, në korrik të këtij viti, në Grand Teatro la Fenice të Venecias. Gianneta e saj ishte e duhura sipas kritikës së specializuar e cila këto kohët e fundit duhet thënë se i ka shpeshtuar mjaft lëvdatat për vokalin e sopranos shqiptare. Nëse bëjmë edhe më pas në kohë të përmendim interpretimet e saj ne La Scala (ku deri tani është artistja më e re shqiptare), Nju Jork, Bolonja,Xhenova, Tuluzë, Paris, Strasburg, Pragë në Tel Aviv, Seul, Lisbonë….. Harta skenike prej vitit 2001 sa vjen bëhet edhe më e gjerë për Orianën e cila duket se ka gjetur tashmë paqen dhe qetësinë jo vetëm në skenë, por edhe në jetë.

Oriana kjo verë është mjaft e ngjeshur për ju me aktivitete. Si është të punosh në një stinë kur pothuajse gjithë të tjerët pushojnë?

(Qesh)Por edhe keq nuk është të punosh në verë. Ka avantazhet dhe disavantazhet e veta. Është thjesht një spostim në axhendën tënde. Pikërisht mbas gjithë këtyre aktiviteteve, jam me pushime 5 ditore në Zvicër, duke shijuar natyrën dhe duke bërë ecje të pafundme në ajrin e pastër.

Një verë në punë dhe me kritika të mira. Duket se çdo gjë po ecën mjaft mirë për ju. Jeni e kënaqur apo prisnit më shumë?
Është e vërtetë dhe jam shumë e lumtur që në këtë moment çdo gjë po merr drejtimin e duhur në punën time si artiste. Kritikat kanë qenë të bukura, të sakta për zërin tim, dhe uroj të vazhdoj kështu. Por pres më shumë, dhe kjo jo nga vetja sepse i di aftësitë e mia, por nga të tjerët për të më dhënë atë që meritoj!

“Këngët e vjeshtës” ju çojnë në Paris dhe në krah tuaj pianisti Genc Tukiqi? Si është raporti i koncerteve dhe shfaqjeve operistike në karrierën tënde. Është më pak “artistike”të interpretosh në koncerte sesa në opera?
Është e vërtetë! Së shpejti vjeshta më gjen në Paris me Genc Tukicin.
Kam patur fatin ta njoh Gencin jo më larg se një vit më parë dhe di të them që është një artist në rradhë të parë, dhe një njeri i mrekullueshëm. Kam marrë shumë nga thjeshtësia e tij dhe nga profesionalizmi i tij. Unë uroj vetëm që ky bashkëpunim të vazhdojë edhe më vonë.
Përsa i përket raportit Opera-Koncerte, për mua kjo lidhje është shumë e rëndësishme. Pa njërën nuk ka kuptim tjetra! Të këndosh Melodie Française apo Lieder është shumë më e vështirë se opera për mendimin tim. Së pari sepse publiku shikon dhe dëgjon vetëm formimin tënd të plotë duke filluar nga (teknika vokale, paraqitja, zgjedhja e programit, bukuri zëri etj) kurse ne opera publiku mund edhe të harrohet të regjia apo dhe te dirizhimi i dirigjentit. Thjesht në opera masa është e madhe. Kot nuk thonë që meloditë janë opera në miniaturë.!!!
Në gjeneratën tonë janë me gishta artistët që përveç operave bëjnë dhe recitale. Bëhen të famshëm duke kënduar vetëm një rol apo opera, dhe harrojnë që një artist i vërtetë duhet të ketë një bagazh të pafund veprash dhe kompozitorësh. !!

U bënë vite tashmë që soprano apo tenorë shqiptarë kanë interpretuar në opera me casting botëror e sidomos kanë prekur La Scalën. Mendoni se ky fakt e bën më të lehtë rrugën e artistëve të rinj?

Sigurisht që e bën më të lehtë rrugën për artistët e rinj, por nuk duhet harruar që çdo gjë varet vetëm prej tyre. Prej përkushtimit që ata kanë për profesionin, dhe formimin e tyre muzikor, sepse në kohët që po jetojmë të kesh talent është gjëja e fundit. Në fillim është publiciteti, bukuria, nderlidhjet dhe pastaj po këndove bukur ok. Une jam e sinqertë dhe them atë që po shoh kohët a fundit. Por ne jemi popull egoist dhe punëtor dhe jam shumë e sigurt që emrat ahqiptarë nuk do t’i mungojnë botës së muzikës.

Si kanë qenë fillimet tuaja në këto skena të huaja? Ndonjë ngjarje e vogël që e kujtoni shpesh? Protagonistë të njohur të skenës klasike me të cilët ndani kujtime të bukura?
Edhe për mua nuk ka qenë e lehtë për të mos thënë shumë e vështirë. Por në ato kohë talenti çmohej akoma. Duke qenë në një moshë shumë të re kur jam larguar për herë të parë 17-18 vjeçe, përgatitja që kisha në atë kohë ishte e avancuar për ato role qe unë mund të beja. Dhe pikërisht rezultatet e para i kam marrë nga konkurset që kam bërë ( kanë shumë) dhe audicionet. Këto të fundit më çuan në La Scala të Milanos për të debutuar në moshën 22 vjeçare. Me e reja e te gjithe artisteve shqiptare, duke u rikthyer per 5 here radhasi, dhe asnjehere nuk kam bere BUJE ne mediat shqiptare sepse mendoj qe gjithçka që bëj e bëj për veten time dhe për pasionin tim, dhe jo për tu thënë njerezve kush jam!!

Në statusin tuaj në facebook ndër të tjera shkruani….. kur këndoj jam një grua e pasur edhe kur nuk paguhem ,dhe kjo është mënyra ime për të mbështetur dicka. Këndoj kundër botës, sepse kjo është mënyra ime me për ta bërë më të bukur....”. E gjeni veten në këto fjalë? Cila është kredoja juaj?

Sigurisht që do ta doja ta bëja më të bukur... Kohët e fundit neper Mediat TV, FB etc shoh shume negativitet dhe pakenaqesira; Kolegë që vuajnë të jenë në qendër të vëmendjes. Mua keto gjera nuk më interesojnë më. Mbas shumë vitesh të vështira kam gjetur qetësinë time dhe jam e lumtur. Dhe dua ta ndaj këtë lumturi me të gjithë, dua që të gjithë të shohin njëri -tjetrin me dashuri dhe respektin që meriton. Kredoja ime është “Nesër është ditë e re”

Dihet tashmë se të qenit këngëtar, dhe për më tepër me një kalendar të pasur aktivitetesh, nuk është një favor i madh për jetën familjare. Deri ku keni arritur ta ruani një balancë mes karrierës që ju kërkon në lëvizje të përhershme dhe familjes?

Deri para disa vitesh kjo balancë nuk ishte e mundur për mua. Dhe kjo jo sepse nuk doja sepse për dashurinë kam sakrifikuar karrierën time. Por thjesht nuk ishte e thënë. Kurse tani pa këtë balancë unë nuk jam e qetë. Për një karrierë të bukur dhe jo histerike balanca është gjëja kryesore e çdo artisti. Dhe këtë besoj se nuk e them vetëm unë.

Thuhet se pas çdo burri të suksesshëm qëndron një grua e suksesshme Në rastin e artisteve apo më saktë në rastin tuaj cili është roli i bashkëshortit?

Bashkëshorti im është një engjëll që Zoti ma solli në një moment shumë delikat të jetës time. Karriera ime është shumë më bukur dhe më e qetë falë përkushtimit të tij. Të ndihesh e dashuruar dhe e respektuar është një ndjenjë e mrekullueshme.

Sipas jush cili është eliziri i vërtetë i dashurisë?

Elizir i dashurisë për mua është respekti dhe të jesh vetja jote!
Marrëdhëniet tuaja me kuzhinën ……recetat, enët,drekat apo dietat ndoshta….

Nuk e njoh fjalën dietë… Adhuroj të gatuaj, adhuroj veren si shumë të tjerë besoj. Të gatuarit për mua eshte art. Dhe në rastin tim më pëlqen të gatuaj gjëra të ndryshme, kuptohet kur jam në shtëpi. Specialiteti im i preferuar është “Rizoto”, dhe shumë kuzhinë italiane duke patur fatin të jetoj ne Venecia për një periudhe 10 vjeçare.
Por..... nuk rri dot pa bërë 40 minuta vrap tre herë në javë. Kam shumë nevojë të heq energji negative apo pse jo edhe kile të shumta.

Mes qyteteve që keni parë kë preferoni më shumë dhe për cilat arsye?

Praga është qyteti që më ka pëlqyer më shumë,dhe kjo për bukuritë e saj dhe arkitekturën.

Cfarë nuk honepsni dot në jetën e përditshme?

Nuk honeps dot çregullin e përditshëm.

Oriana cila do të ishte sfida më e madhe për ju?

Sfida ime më e madhe do të ishte një karrierë a pasur e bukur dhe interesante dhe një familje e lumtur.
Shkrimi u botua ne suplementin FUNDJAVA te gazetes Shqiptarja.com
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Borsh/ Gomonia pësoi defekt, 9 familjarëve iu rrezikua jeta, mes tyre edhe fëmijë! Policia iu vjen në ndihmë

Borsh/ Gomonia pësoi defekt, 9 familjarëve iu rrezikua jeta, mes tyre edhe fëmijë! Policia iu vjen në ndihmë