“Ndryshe nga viti 1997, tanimë paqja sundon në mbarë vendin. Shqipëria është tashmë anëtare me të drejta të plota e NATO-s dhe kontribuon në mënyrë aktive në arritjen e objektivave të sigurisë në rajon dhe në nivel global. Viti 2012 do të jetë pa dyshim një vit vendimtar për aspiratat ndërkombëtare të Shqipërisë, dhe me shumë punë për të bërë. Nevojitet përparim i mëtejshëm për të siguruar që institucionet, sistemi demokratik dhe shteti i së drejtës të funksionojnë plotësisht”, nënvizoi Wollfarth në fjalën e tij.
Ambasadori pohoi se Kuvendi luan një rol kyç në këtë drejtim.
“Parlamenti është vendi ku mund dhe duhet të ndodhë debati demokratik. Kjo është fryma e demokracisë. Ne shpresojmë të shohim zhvillim të mëtejshëm të reformës zgjedhore, gjyqësore dhe parlamentare” tha ai.
KUVENDI
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, mikpritëse e takimit festiv prezantoi në 15 vjetorin e marrëdhënieve Shqipëri – OSBE projektin më të ri në administrimin e legjislativit shqiptar: Handbook me të dhënat statistikore për legjislaturën.
“Ofruar si në shqip e në anglisht, handbook është hap i rëndësishëm për statistikat, parlamenti është dhe do të jetë institucioni kyç në plotësimin e demokracisë, të mbrojtjes së të drejtave të njeriut, të mbikqyrjes, transparencës, sigurimit të akteve kombëtare”. Tha Topalli.
Ajo vlerësoi si të shkëlqyer marrëdhënien e deritanishme për Organizatën për sigurim dhe bashkëpunim europian.
Më tej, kryeparlamentarja lajmëroi përdorimin e programit iParlament, një adaptim i programit të qeverisjes elektronike, ku tashmë deputetët do të mund të gjejnë online të gjitha propozimet për miratim ligjesh apo vendimesh.
OSBE NË SHQIPËRI
Më 27 mars 1997, Këshilli i Përhershëm i OSBE-së themeloi me konsensus të plotë Prezencën në këtë vend. Ky organizëm ka ofruar asistencë për të konsoliduar dhe forcuar institucionet shqiptare. Që nga viti 1997, Prezenca ka qenë e angazhuar në promovimin e demokracisë, shtetit të së drejtës dhe të drejtave të njeriut në linjë me parimet, standardet dhe angazhimet e OSBE-së. Që nga ajo kohë, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri ka punuar në fushën e reformës zgjedhore, legjislative, gjyqësore, të pronës dhe reformës administrative, në ngritjen e kapaciteteve të parlamentit, në luftën ndaj trafikimit dhe korrupsionit, në zhvillimin e medias, promovimin e qeverisjes së mirë, si dhe ka ofruar asistencë në fushën e policisë dhe sigurisë, barazisë gjinore dhe zhvillimit të shoqërisë civile.
(aq/shqiptarja.com)