OSBE e SHBA, gjyqësori
zvarrit proceset, minohet besimi

KORÇË- OSBE dhe SHBA theksojnë se vonesat e proceseve gjyqësore minojnë sistemin e drejtësisë dhe besimin e qytetarëve. Gjatë takimit të zhvilluar në Korçë me rastin e përurimit të projektit “Drejtësi pa Vonesa” në Gjykatën e Korçës, dy ambasadorët, ai i SHBA dhe OSBE-së bënë vërejtje të forta ndaj sistemit të drejtësisë kryesisht vonesave të proceseve gjyqësore. Në fjalën e tij, kreu i prezencës së OSBE-së në Tiranë theksoi se ky është nj problem serioz në besimin e qytetarëve tek drejtësia.

“Proceset e stërzgjatura gjyqësore po dëmtojnë besimin te drejtësia në Shqipëri. Siç tregoi edhe raporti i Prezencës së OSBE-së “Drejt Drejtësisë”, gjykimet e çështjeve civile në gjykatat kryesore të shkallës së parë zgjasin mesatarisht 280 ditë. Kjo do të thotë që në ato seanca nuk ka ndodhur asgjë thelbësore, as nuk është paraqitur asnjë argument apo akt, as nuk është marrë ndonjë provë dhe as nuk është bërë ndonjë kërkesë. Kjo, jo vetëm që ul besimin dhe respektin e publikut për gjykatat dhe për sistemin e drejtësisë në tërësi, por përbën, gjithashtu, një humbje të konsiderueshme kohe, si për gjyqtarët edhe për palët. Nuk e kam fjalën teorikisht, kjo situatë ka pasoja serioze dhe praktike për qytetarët shqiptarë.

Që Shqipëria të mbijetojë e të ecë përpara si demokraci, duhet të ketë një drejtësi ku njerëzit besojnë”,- theksoi ambasadori i OSBE-së, Florian Rauning. Fjalën në konferencë e mori edhe diplomati amerikan Aleksandër Arvizu i cili në fjalën e tij theksoi se vonesat në gjyqësor e shqetësojnë atë. “Shqiptarët përballen me vonesa në seanca gjyqësore, kjo gjë më shqetëson dhe më zemëron për shqiptarët. Duhet të përpiqemi të bëjmë ndryshime pozitive e kjo nuk është e pamundur. Mungesa e përgjegjësisë e ka penguar zhvillimin e sistemit gjyqësor. Shqipëria tani e ka statusin e kandidatit. Ka shumë avantazh dhe mundësi që duhen kapur jo vetëm nga drejtuesit por dhe qytetarët”, deklaroi Arvizu.

Naço-Nishani
Pjesë e takimit ishte edhe Presidenti i Republikës, Bujar Nishani si edhe Ministri i Drejtësisë Nasip Naço të cilët patën edhe replika në distancë përsa i përket reformës në drejtësi. Kreu i shtetit theksoi se duhej ndërmarrë nj reformë në drejtësi por që politika duhet të qendrore jashtë saj duke lënë të kuptohet se këtë iniciativë duhet ta bëjë vetë KLD. Për këtë gjë, vetë Nishani do të organizoi në datën 6 tetor nj tryezë ku do të jenë të ftuar shumë aktor të drejtësisë dhe politikës.

“Bazuar mbi këtë koncept, në ushtrim të rolit kushtetues të Kreut të Shtetit dhe Kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, kam ndërmarrë nismën për organizimin të një tryeze të rrumbullakët “Për reformën gjyqësore në Shqipëri” në datën 6 tetor 2014. Kjo tryezë synon të hedhë shtyllat kryesore, mbi të cilat do të udhëhiqet reforma në drejtësi, të bashkojë të gjithë aktorët e drejtpërdrejtë dhe të interesit dhe të përmbyllet me një platformë të qëndrueshme, në shinat e së cilës do të ecë ky proces”,- theksoi Nishani.

Në fjalën e tij, Ministri i Drejtësisë i kërkoi gjyqtarëve që të mos vonojnë proceset gjyqësore duke shtuar se Ministria e Drejtësisë është e vendosur në realizimin reformës në drejtësi. “Me këtë rast më lejoni të ritheksoj se Ministria e Drejtësisë mbetet e vendosur në realizimin e reformave të cilat çojnë drejt konsolidimit të shtetit të së drejtës, rritjes së transparencës, përgjegjshmërisë dhe profesionalizmit të aktorëve të pushtetit gjyqësor”,- tha Naço.

Nishani përshëndet Llallën pa qenë i pranishëm
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani ka vijuar serinë e tij të gafave edhe në aktivitetin e zhvilluar në Korçë. Duke mbajtur fjalën e tij përpara të pranishmëve, kreu i shtetit përshëndeti edhe Prokurorin e Përgjithshëm për pjesëmarrjen e tij, ndonëse nuk ishte fare në takim. Në vend të tij kishte vajtur drejtori i hetimit në Prokurori, Adnand Xholi. Disa ditë më parë, Nishani gjatë një takimi e cilësoi Preshevën si Serbinë Jugore.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 11 Shtator 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com) 


 

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Kamëz/ Kërcënoi gruan dhe fëmijët se do i digjte me benzinë! Më pas i vuri flakën banesës, arrestohet 54-vjeçari (EMRI)

Kamëz/ Kërcënoi gruan dhe fëmijët se do i digjte me benzinë! Më pas i vuri flakën banesës, arrestohet 54-vjeçari (EMRI)