Lidhur me Shqipërinë, Mijatovic nuk solli shembuj keqtrajtimi, por theksoi se "programi i Qeverisë shqiptare në këtë fushë premton shumë."
Mijatovic kritikoi vonesën e kalimit të disa vendeve të rajonit në transmetime dixhitale, përfshirë Shqipërinë, që e shëndrrojnë rajonin në "gropën e zezë" të Europës, por vlerësoi si pozitiv, aktivitetin e gjerë të "mediave online."
Përfaqësuesja e OSBE-së për Lirinë e Medias, Dunja Mijatovic ishte sot e pranishme në konferencën e organizuar nga OSBE-ja në Tiranë me temë "Media në Evropën Juglindore", ku ishin të pranishëm Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Robert Wilton, Ministri i Jashtëm i Shqipërisë Ditmir Bushati dhe ekspertë të fushës.
MIJATOVIC: SITUATA E MEDIAS ESHTE PERKEQESUAR, GAZETARET SULMOHEN E BURGOSEN
Znj.Mijatovic theksoi në fjalën e saj se "situata e medias është përkeqësuar në të gjithë rajonin e OSBE-së, përfshirë Ballkanin. Gazetarë që keqtrajtohen e rrihen si në Bosnje, sulme ndaj dy gazetarëve në Maqedoni...Dhe nuk janë gjetuar e as dënuar vrasësit e dy gazetarëve në Serbi.
Në momentin që ne jemi ulur këtu në Tiranë për të përmirësuar situatën, një gazetar në Maqedoni është duke fjetur në qeli prej tre muajsh i arrestuar; kam kërkuar lirimin e tij, kam përdorur gjithë kanalet diplomatike, por ai është ende në burg. Kjo nuk është thjesht liri e medias, por liri e njeriut.
E inkurajoj Qeverinë shqiptare për programin e saj, se nuk mjafton të flasësh e të ankohesh me gjithë shoqërinë civile në plan të gjerë, duhet bërë shumë më tepër për të parë dritë në fund të tunelit. Duhet të ketë një lidership që të mbështesë lirinë e medias dhe shprehjen e saj. Ka ardhur koha të mos mohojmë atë që duket sheshit, megjithëse është e vështirë: shumë shpesh politikanët e shohin median si një aset që mund të trajtohet prej tyre.
Gazetarët duhet të përpiqen të bashkëpunojmë me njeri - tjetrin. Shpesh ata nuk e kanë këtë solidaritet. Marrë shembull vendin tim, Bosnje Hercegovinën, ku një grup gazetarësh ishte në gjyq kundër një grupi tjetër pak kohë më parë. Pra, kjo konferencë për ne është një tjetër mundësi që të flasim për çështje të rëndësishme.
"VONESAT NE DIXHITALIZIM NA KTHEJNE NE GROPEN E ZEZE TE EUROPES"
Lidhur me dixhitalizimin, Mijatovic theksoi: "Fakti që ky rajon nuk ka kaluar ende në transmetim dixhital, do mbetet "gropa e zezë" në mes të Europës. Ne duhet të zgjohemi në këtë rajon për këtë.:
"MEDIA ONLINE, GJEJA ME POZITIVE NE BALLKAN, POLITIKANET TE MOS GUXOJNE TA PREKIN"
Një tjetër temë e prekur nga Përfaqësuesja e OSBE-së ishte "media online", të cilën ajo e konsideroi pozitive: "Median online do ta përmendja si të mirë në Ballkanin perëndimor se të paktën interneti është i lirë; nuk ka raste të bllokimit të tij. Do të shkurajoja çdo nismë të politikanëve të këtij rajoni në këtë drejtim që do të kishte ndikim shumë negativ për lirinë e medias. Jam shumë e gëzuar që ka shumë bloger e gazetarë që punojnë online këtu."
MINISTRI BUSHATI: DO ÇLIROJME AMA-n NGA KONTROLLI POLITIK, JO ME REKLAMA ME FONDE SHTETERORE
Në konferencën për median e mori fjalën edhe Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, i cili theksoi se "media në Shqipëria ka qënë në ballë të luftës kundër korrupsionit. Unë jam krenar që jam pjesë e një qeverie që mori votë plebishitare në zgjedhje. Politikbërësit kanë për detyrë të zbatojnë lirinë e medias, por edhe ta garantojnë atë duke krijuar ambientin e përshtatshëm. Lexo: Bushati: Do të çpolitizojmë AMA-n
Redaksia online
(Shqiptarja.com)