“Ne i bëjmë tirrje anëtarëve të Komisionit Qendror Zgjedhor të marrin përsipër pa vonesë detyrat dhe përgjegjësitë e tyre për një proces elektoral të qetë. Institucioni i administrimit të zgjedhjeve duhet të funksionojë i ndarë nga politika, duke garantuar se vullneti demokratik i votuesve të respektohet nga të gjitha forcat politike dhe të implementohet nga autoritetet. Kundërshtitë ligjore nuk duhet të pengojnë punën e vështirë dhe kritike të institucioneve demokratike-" thuhet në deklaratën e përbashkët të kreut të delegacionit të misionit vëzhgues afatshkurtër të OSBE-së, ai i Parlamentit të OSBE-së, si dhe kreu i delegacionit të vëzhguesve të Këshillit Europian.
Deklarata është publikuar sot, dy ditë para zgjedhjeve të 23 qershorit në faqen zyrtare të Asamblesë parlamentare të OSBE-së.
Deklarata është firmosur nga Roberto Battelli, kreu i misionit vëzhgues afatshkurtër të OSBE-së, João Soares, kreu i delegacionit të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së dhe Luca Volontè, kreu i delegacionit vëzhgues të Këshillit të Europës.
TE HENEN E 24 QERSHORIT RAPORTI PARAPRAK
Raporti paraprak i vëzhguesve ndërkombëtarë, që monitorojnë zgjedhjet parlamentare në Shqipëri, do të prezantohet të hënën në një konferencë për shtyp.
Deklarata do të mbahet nga Roberto Battelli, Kordinatori i Veçantë që drejton misionin afatshkurtër të vëzhgimit të OSBE-së, duke vijuar me Luca Volontè, Kreun e delegacionit PACE, João Soares, Kreun e delegacionit të OSCE PA, dhe Conny McCormack, Kreun e misionit afatgjatë të vëzhgimit të zgjedhjeve të OSBE/ODIHR-it.
Misioni ndërkombëtar i vëzhgimit është një përpjekje e përbashkët që përfshin OSBE-në, Zyra për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (OSBE/ODIHR), Asamblenë Parlamentare të OSBE-së (OSCE PA) dhe Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës (PACE).
Kjo përpjekje e përbashkët përbëhet nga më shumë se 380 vëzhgues nga 43 shtete, duke përfshirë 48 vëzhgues dhe ekspertë afatgjatë nga OSBE/ODIHR-i dhe 240 vëzhgues afatshkurtër të deleguar ose të financuar nga shtetet pjesëmarrëse me kërkesë të OSBE/ODIHR-it, si dhe 48 parlamentarë dhe staf nga OSCE PA, dhe 24 nga PACE
Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)