OSBE: Korrupsioni në gjyqësor
pengesë kyçe për demokracinë!

OSBE: Korrupsioni në gjyqësor<br />pengesë kyçe për demokracinë!
VIENE - Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Florian Rauning paraqiti sot raportin për Shqipërinë, përpara Këshillit të Përhershëm të OSBE-SË në Vienë. Raporti ka prekur pikat kryesore të aktualitetit në vendin tonë përgjatë vitit të fundit, ndërsa një vëmendje të veçantë ka marrë sistemi i drejtësisë, si dhe korrupsioni në nivelin e lartë.

Raporti i paraqitur nga Rauning, thekson se korrupsioni në gjyqësor, është kthyer në pengesë themelore për demokracinë në Shqipëri.

Duke iu referuar edhe reformës në drejtësi, raporti veçon se ka një përplasje mes Ministrisë së Drejtësisë dhe Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ku theksohet se “Presidenti akuzon qeverinë se po dobëson pavarësinë e gjyqësorit”.

“Pranohet gjerësisht, në shkallë kombëtare dhe ndërkombëtare, se korrupsioni në gjyqësor është një nga pengesat themelore për një demokraci plotësisht funksionale në Shqipëri. Megjithatë, reforma në drejtësi është bërë gjithnjë e më shumë një çështje përplasjesh të hapura mes Ministrisë së Drejtësisë dhe Këshillit të Lartë të Drejtësisë (KLD) – kryesuar nga Presidenti i Republikës – i cili, për çështje si masat disiplinore kundër gjyqtarëve dhe kompetencat e Presidentit në lidhje me gjyqësorin, ka akuzuar qeverinë se po përpiqet të dobësojë pavarësinë e gjyqësorit.” thuhet në raport

OSBE: Vrasja e Santos dhe vjedhja e BSH, drejtësia e brishtë
Në veçanti raporti nënvizon faktin se asnjë prej zyrtarëve të lartë, të akuzuar për korrupsion, nuk është dënuar nga ana e drejtësisë. Referuar kësaj, raporti i OSBE-së shprehet se duke u nisur nga vrasja e ish-banierit Artan Santo dhe skandalit të vjedhjes në Bankën e Shqipërisë, sistemi i drejtësisë në Shqipëri është i brishtë.

“Megjithëse autoritetet kanë nisur hetimin dhe ndjekjen penale të disa zyrtarëve për akuzën e korrupsionit, ende nuk ka ndonjë historik të identifikimit dhe dënimit të zyrtarëve të korruptuar të nivelit të lartë. Një sërë vrasjesh të nivelit të lartë të personaliteteve të biznesit dhe zbulimi i një vjedhjeje të konsiderueshme në Bankën e Shqipërisë kanë vazhduar të japin përshtypjen se shteti i së drejtës është ende i brishtë. Megjithatë, Prokurori i Përgjithshëm deklaroi në shtator 2014 se prokurorët shqiptarë po hetojnë një numër zyrtarësh të lartë të dyshuar për korrupsion dhe shpërdorim të detyrës. Nën drejtim të ri që prej shkurtit 2014, Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave po bën përpjekje të bashkërenduara. Nga marsi deri në korrik 2014, Inspektorati i referoi 33 raste.” thekson OSBE
 
Raporti: Betejë politike mes palëve për të kapur institucionet e pavarura
Në raport flitet edhe për pavarësinë e gjyqësorit, duke u shprehur se ekziston një betejë politike mes mazhorancës dhe opozitës ku sipas raportit secila palë akuzon tjetrën se po përpiqet të marrë apo të mbajë në kontroll ente të caktuara, për arsye politike.
 
“Debati i vijueshëm rreth ndikimit politik në institucionet e pavarura shtrihet përtej sistemit gjyqësor dhe përfshin institucione të tjera që merren me çështje si mbikëqyrja e medias, antikorrupsioni, siguria shtetërore dhe statistikat zyrtare. Po zhvillohet një betejë politike për pavarësinë e këtyre institucioneve, ku secila palë akuzon tjetrën se po përpiqet të marrë apo të mbajë në kontroll ente të caktuara, për arsye politike.” nënvizohet në raport

OSBE: 'Lazarati' dhe 'Territorialja' i dhanë statusin kandidat Shqipërisë
Në raport theksohet se nismat e ndërmarra nga ana e qeverisë në këtë vit të parë qeverisë, veçanërisht aksionin antikanabis në Lazarat si dhe ndarja e re administrativo-territoriale i dhanë Shqipërisë, statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Evropian, në qershor të 2014.

“Më të dukshmet ishin arritjet në hapat e hershëm kundër kultivimit të drogës: përpjekja e suksesshme për të rivendosur kontrollin në Lazarat, qendra famëkeqe e kultivimit dhe trafikimit të kanabisit, është pasuar nga operacione të ngjashme në zona të tjera të vendit. Qeveria, po ashtu, ka dëshmuar qëndrueshmëri në drejtimin e një reforme strategjike dhe aq të domosdoshme në strukturën e qeverisjes vendore. Ky vrull çoi në arritjen më domethënëse gjatë periudhës së raportimit: vendimin e Këshillit Evropian, në qershor 2014, për t’i dhënë Shqipërisë statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian.” thuhet në raport

Në raportin e paraqitur nga ana e Rauning, vlerësohet qëndrueshmëria e qeverisë në drejtim të reformës territoriale, ndërsa nënvizohet fakti se qeveria dhe opozita nuk punuan bashkë për këtë reformë, duke shtuar faktin se opozita s’ka marrë pjesë në disa reforma të rëndësishme.

Gjithashtu raporti veçon polarizimin politik në vend, duke e cilësuar si një dëm në punën e parlamentit, ndërsa thuhet se pas dhunës së shfaqur në parlament, opozita ka bojkotuar edhe seancat e radhës së Kuvedit. 

PDF - Raporti i ploë i OSBE-së për Shqipërinë

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Ish gjyqtarja Pajtime Fetahu porositi vrasjen e gazetarit Saimir Kodra, krimi do të kryhej nga grupi Çopja

Ish gjyqtarja Pajtime Fetahu porositi vrasjen e gazetarit Saimir Kodra, krimi do të kryhej nga grupi Çopja