Gjatë fjalës së tij, Didi evidentoi rëndësinë e këtij programi trajnimi për Policinë e Shtetit dhe ndihmesën e çmuar të këtyre trajnimeve në suksesin e operacioneve të Policisë Shqiptare dhe të RENEA-s, sidomos në zonën e Lazaratit e të Dukagjinit.
“Ceremonia e sotme është faza përmbyllëse e një programi trajnues për vëzhgimin në zonat urbane, i cili është zhvilluar me mbështetjen e OSBE-së në repartin RENEA. Ky program është kryer në vazhdim të programit të kryer pak muaj më parë për vëzhgimin në zonat rurale, i cili dha një ndihmesë të çmuar në suksesin e operacioneve të policisë shqiptare dhe të RENEA-s, sidomos në zonën e Lazaratit e të Dukagjinit”, u shpreh Didi.
“Unë jam tepër i kënaqur që OSBE-ja është përfshirë në mbështetje të policisë shqiptare, duke na dhënë ndihmesën për një numër të konsiderueshëm të strukturave tona, pasi janë programe tepër profesionale. Gjithashtu, ka zhvilluar dhe shumë ekspertiza, të cilat na kanë shërbyer shumë në punën tonë”, theksoi Drejtori i Përgjithshëm i Policisë.
Në mbyllje të fjalës së tij, Didi tha se “këto programe trajnimi janë ndër nivelet më të larta profesionale që i janë ofruar policisë shqiptare, pasi ekspertët që vijnë nga OSBE-ja janë ndër ekspertët më të mirë të fushave përkatëse”.
Ndërkohë, Ambasadori Raunig evidentoi progresin e Policisë së Shtetit në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikut të narkotikëve, rëndësinë e forcave RENEA në sfidat me të cilat përballet Shqipëria. Raunig nënvizoi në lidhje me këtë trajnim duke e konsiderar si përmbushje me efikasitet e siguri të plotë të detyrave.
Po ashtu, ai garantoi mbështetjen e Prezencës së OSBE-së për Policinë e Shtetit në luftën kundër të gjtiha formave të krimit. Korrupsioni dhe krimi i organizuar janë dy nga sfidat më kritike me të cilat përballet Shqipëria. Në këtë pikë, RENEA luan një rol kryesor, theksoi ai.
Në vijim të trajnimit të parë të vëzhgimit, ky kurs i dytë i organizuar nga Prezenca e OSBE-se i jep efektivëve të RENEA-s aftësi të shtuara për të zgjidhur operacione të vështira për mbledhjen e informacioneve në kuadër të luftës kundër krimit të organizuar. “Prezenca e OSBE-së do të vazhdojë të mbështesë policinë në luftën kundër të gjitha formave të trafikut, krimeve të rënda dhe krimit të organizuar”, u shpreh Ambasadori Raunig.Pas ndarjes së certifikatave të pranishmit në këtë ceremoni ndoqën një demonstrim të kapaciteteve dhe aftësive taktike të forcave RENEA.
Marrë nga ATSH
Redaksia Online
(g.f/Shqiptarja.com)