OSBE-ODIHR mbërrin në
Tiranë, takim me Bashën e Ramën

Në ditën e 18-të protestës së opozitës në kërkim të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, ka mbërritur në Tiranë  në kuadër të përgatitjeve për vëzhgimin e zgjedhjeve parlamentare të 18 qershorit, një Mision i Vlerësimit të Nevojave nga OSBE/ODIHR-it.

Gjatë kësaj vizite, delegacioni do të njihet nga afër me situatën e përgjithshme para-zgjedhore dhe përgatitjet e deritanishme për zhvillimin e zgjedhjeve. Pas përfundimit të vizitës, delegacioni do të hartojë një raport gjetjesh i cili do të përmbajë edhe rekomandimin mbi llojin dhe përmasën e Misionit (të pritshëm) të Vëzhgimit të Zgjedhjeve. Kjo vizitë ndërmerret në përgjigje të ftesës së bërë nga qeveria shqiptare për të vëzhguar zgjedhjet parlamentare dhe në përputhje me mandatin e OSBE/ODIHR-it.

Ata u takuan dje me kryeministrin Edi Rama dhe me kryeopozitarin Lulzim Basha. Reforma zgjedhore dhe vonesa në ndërhyrjet në Kodin Zgjedhor kanë qenë shqetësime të misionit faktmbledhës gjatë këtyre dy takimeve. Delegacioni përbëhet nga Richard Lappin Zëvendës-Shef i Departamentit të Zgjedhjeve, Ana Rusu Këshilltare e Lartë për Zgjedhjet dhe Alexey Gromov Këshilltar për Zgjedhjet, të OSBE/ODIHR-it. Gjithashtu, pjesëtar i delegacionit do të jetë edhe Francesco Pagani, Këshilltar i Lartë Politik në Asamblenë Parlamentare të OSBE-së.

Kryetari i Grupit Parlamentar të LSI-së, Luan Rama, priti në një takim përfaqësuesit e misionit monitorues të OSBE-ODIHR-it. Të pranishëm në këtë takim ishin edhe dy deputetet e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Kejdi Mehmetaj dhe Silva Caka. Gjatë diskutimeve në lidhje me zgjedhjet e ardhshme, Luan Rama u tha përfaqësuesve të misionit të OSBE-ODIHR-it se mungesa e besimit është një problem i madh dhe se në Kodin Zgjedhor nuk janë reflektuar rekomandimet e OSBE-ODIHR-it.

Gjithashtu, Rama u shpreh se Lëvizja Socialiste për Integrim është e hapur për bashkëpunim me OSBE-ODIHR-in dhe se kasa politike është përgjegjëse për mungesën e besimit. Kryetari i Grupit Parlamentar të LSI-së theksoi se listat e hapura mundësi reale që qytetarët të zgjedhin, jo vetëm të votojnë. “Problemi më i madh është mungesa e besimit.

Nuk janë reflektuar rekomandimet e OSBE-ODIHR-it në kodin zgjedhor. Lëvizja Socialiste për Integrim është e hapur për bashkëpunim me OSBE-ODIHR-in. Klasa politike është përgjegjëse për mungesën e besimit. Gjithashtu, listat e hapura mundësi reale që qytetarët të zgjedhin, jo vetëm të votojnë”, - deklaroi ndër të tjera Kryetarit i Grupit Parlamentar të LSI-së, Luan Rama gjatë takimit me misionin e OSBE-ODIHR-it.

Gjatë ditës së djeshme  delegacioni i OSBE-ODIHR-it zhvilloi me takim edhe me bashkëkryetarin e Komisionit të Posacëm të Reformës Zgjedhore, deputetin Taulant Balla. Mësohet se Balla është shprehur: “Është për të ardhur keq që opozita bllokoi përmes bojkotit të komisionit dhe më pas edhe të Parlamentit adresimin e rekomandimeve të dala nga raportet (2013/2015) të OSBE/ODIHR-it.

Kuadri ekzistues ligjor për zgjedhjet gëzon besimin e palëve, sepse është miratuar me konsensus të plotë dhe KQZ si autoriteti përgjegjës për organizimin e zgjedhjeve po ecën si pas afateve të Kodit”. Gjithashtu nënkryetari i Grupit Socialist Taulant Balla e ka njohur Misionin e Vlerësimit të Nevojave nga OSBE/ODIHR me dy projektligjet e propozuara nga PS për Kodin Zgjedhor dhe Ligjin për Partitë Politike, të cilat janë hartuar në bazë të rekomandimeve të raporteve të OSBE/ODIHR. Balla e njohu delegacionin edhe me propozimin e PS-së për moslejimin e përfshirjes në listat elektorale të gjyqtarëve dhe prokurorëve të cilët nuk kanë kryer vettingun.

Delegacioni ka zhvilluar një takim edhe me kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Denar Biba dhe nënkryetarin, Hysen Osmanaj. Gjatë takimit, Biba ka njohur delegacionin e OSBE/ODIHR me veprimtarinë që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë për përgatitjen e procesit zgjedhor, zbatimin e ligjit të dekriminalizimit dhe financimit të fushatave zgjedhore.

“Vizita e Misionit të Vlerësimit të Nevojave të OSBE/ODIHR ndërmerret në përgjigje të ftesës së bërë nga qeveria shqiptare, për të vëzhguar zgjedhjet parlamentare dhe në përputhje me mandatin e OSBE/ODIHR-it”, thuhet në njoftimin e KQZ-së. Pas përfundimit të vizitës, delegacioni do të hartojë një raport gjetjesh, i cili do të përmbajë edhe rekomandimin mbi llojin dhe përmasën e Misionit (të pritshëm) të Vëzhgimit të Zgjedhjeve.
 
Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Të shtëna me armë zjarri në Bulqizë! Policia gjen një motor të djegur

Të shtëna me armë zjarri në Bulqizë! Policia gjen një motor të djegur