OSBE, projekt për edukimin e grave rome dhe egjiptiane si zgjedhëse

/ATSH-Gjergji Mima/ - Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Romëve, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri njoftoi sot fillimin e një projekti, që synon edukimin e zgjedhëseve rome dhe egjiptiane, në prag të zgjedhjeve vendore të 21 qershorit.

Mbi 140 gra do të marrin pjesë në shtatë trajnime, në të tërë vendin, të cilat do të përqendrohen te tema që lidhen me të drejtën e votës, votimin familjar dhe blerjen e votës.
Raporti i OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e vitit 2013 në Shqipëri konstatoi se komunitetet jo të favorizuara, si ato rome dhe egjiptiane, sipas raportimeve, u bënë më shpesh objekt i praktikave të jashtëligjshme, duke përfshirë blerjen e votës, të rënduara nga praktika e shumëpërhapur e votimit në bllok në këto komunitete.

"Gratë rome dhe egjiptiane nuk kanë qenë të përfaqësuara në nivelin e duhur në zgjedhje, as si zgjedhëse, as si kandidate. Zhdukja e diskriminimit dhe përkrahja e politikave që u japin mundësi të barabarta në të tërë aspektet e jetës - përfshirë pjesëmarrjen në jetën publike dhe politike - janë mjete kryesore për të siguruar integrimin e plotë të romëve dhe egjiptianëve në shoqërinë shqiptare", tha Kryetari i Prezencës së OSBE-së, ambasadori Florian Raunig.

Raunig mirëpriti ndryshimet e fundit në Kodin Zgjedhor, që përcaktojnë një kuotë gjinore prej 50 për qind, në listat e kandidatëve për këshillat bashkiakë, si dhe refuzimin e listës, nëse partitë s'e zbatojnë këtë kriter. "Këto ndryshime historike janë një shans i artë për gratë në Shqipëri, përfshirë ato rome dhe egjiptiane, për t'u bërë pjesë e institucioneve vendimmarrëse vendore dhe për të kontribuar në jetën e komuniteteve të tyre", tha ai.

Projekti për edukimin e grave rome dhe egjiptiane si zgjedhëse zbatohet nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, me fonde të qeverisë së Australisë. Ai mbështetet në rezultatet e projektit të OSBE/ODIHR-it "Praktikat më të mira për integrimin e romëve", i cili u zhvillua në vitet 2012-2013, në vendet e Ballkanit Perëndimor.

  • Sondazhi i ditës:

    Arrestohet Beqaj, po i përmbush SPAK pritshmëritë në luftën e korrupsionit?



×

Lajmi i fundit

Stoltenberg: Ukraina në 10 vite të jetë pjesë e NATO-s, ta mbështesim me armë