Osman Stafa: PD e kapur nga
sigurimsat, luftë për listat e 2017

Osman Stafa: PD e kapur nga<br />sigurimsat, luftë për listat e 2017
Kryetari i shkarkuar i degës së Partisë Demokratike në Durrës, Osman Stafa, gjatë një interviste për Shqiptarja.com, shprehet se vendimi i kryetarit Lulzim Basha për të komanduar deputetin Oerd Bylykbashin në krye të PD në Durrës, është produkt i influencave të disa individëve dhe përplasjeve për listën e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 2017. Sipas tij, se sa e efektshme është kjo lëvizje, do t’a tregojnë zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

I pyetur mbi përgjegjësinë e tij për humbjen e Grida Dumës, në Durrës, përballë Vangjush Dakos, Stafa kujtoi se gjithë lidershipi i PD është përgjegjës për humbjen në Dibër, pasi e gjithë partia u zhvendos dhe u angazhua në Dibër. Ai ka kërkuar se nëse do të ndiqej i njëjti standard, duhet të mbajnë përgjegjësi edhe drejtuesit e fushatës në Dibër për humbjen.

Osman Stafa ka artikuluar edhe një akuzë të fortë, ku sipas tij, eksponentë të Partisë Demokratike kanë qenë bashkëpunëtorë të ish-Sigurimit të Shtetit. Sipas tij, në radhët e PD ka njerëz të Sigurimit dhe të krimit. Në këtë kuadër, Stafa bëri thirrje për hapjen e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit.
 
Z. Stafa, kryetari i opozitës, Lulzim Basha, ka komanduar deputetin Oerd Bylykbashin në krye të PD së Durrësit, duke zyrtarizuar kësisoj largimin tuaj. Si e vlerësoni këtë lëvizje?
E para, komandimet nuk janë në parim dhe në themel të Partisë Demokratike. E dyta, është një vendim totalisht i detyruar, për të rikuperuar nxitimin dhe gabimin që u bë me nxjerrjen e udhëzimit, për një ndërhyrje në strukturat e Partisë Demokratike. PD, në themel të saj nuk ka komandimet dhe emërimet, por ka votën e demokratëve dhe të qytetarëve. Unë uroj që ky vendim t’i shërbejë forcimit të strukturave të PD. Shpejt do të kemi mundësi që të shikojmë se sa i drejtë dhe i padrejtë ishte kjo therje e sforcuar. E jap me shumë qetësi mendimin për këtë çështje dhe si një kryetar i zgjedhur me votën e demokratëve. Kam një qëndrim politik, por edhe një qëndrim moral, i një njeriu, i cili në PD nuk është as prurje dhe as artificë, por jam pjesë e themelimit të PD që në lindjen e saj. Unë deklaroj dhe konfirmoj që, korrektësia ime dhe opozitarizmi pa kompromis ndaj kundërshtarit politik, ka cenuar dhe ka frikësuar individë të caktuar në Partinë Demokratike, të cilët kanë ndërhyrë dhe kanë prodhuar një rezultat të tillë.
 
Këta individë në PD kur kanë ndërhyrë dhe për çfarë interesash?
Ata kanë një kohë të gjatë që kanë ndërhyrë për interesa të kandidaturave për zgjedhjet e 2017. Duke parë forcën, jo të Osmanit si individ, por të kryetarit të zgjedhur nga demokratët, marrëdhëniet e shkëlqyera të mia me demokratët, kjo ka frikuar segmente të caktuara të PD, të cilat e shohin veten jashtë këtij modeli që prezantova unë si kryetar i opozitës në Durrës.
 
Pra, ju e shihni komandimin e Bylykbashit produkt i një përplasje të brendshme dhe luftë e ftohtë për listat e 2017? 

Normalisht që po, sepse po të shikojnë udhëzimin e nxjerrë nga Kryesia e PD dhe të konfirmuar nga kryetari Basha, të paktën ky udhëzim duhet të ishte zbatuar që në qershor. U shty për në korrik dhe sot ne jemi në mesin e nëntorit. Nëse ky udhëzim apo ai qëndrim i Kryesisë së PD dhe i kryetrarit Basha do të kishte gjetur mbështetjen dhe përkrahjen nga strukturat e PD, dega Durrës, kjo do të ishte të ishte realizuar, duke zbatuar afatet që kishte parashikuar udhëzimi. Por, kur panë, u njohën dhe u bindën se udhëzimi binte ndesh me mendimin dhe qëndrimet e strukturave të PD, u detyruan të bëjnë një therje dhe ndërhyrje të tillë, që nuk është pjesë dhe model i Partisë Demokratike. Modele të tilla nuk janë në frymë të PD nga lindja e saj deri më sot.
 
E gjithë kjo situatë ka ardhur për shkak të humbjes në Durrës në zgjedhjet e 2017. A i njihni ju vetes një pjesë të përgjegjësisë për humbjen e zonjës Duma? 
Nëse ndërhyrja e Kryesisë së PD do të ishte realizuar në shtator të 2015, do të isha plotësisht dakord, pavarësisht se jam personi që nuk kam aspak përgjegjësi politike dhe morale, për çfarë ka ndodhur në 2015, me kandidaturën e zonjës Grida Duma në Durrës. Nëse do të qëndronte kjo, e kujt është përgjegjësia për një humbje drastike në Dibër? Kush e drejtoi fushatën e PD në Dibër? A u vendos e tërë PD në Dibër? Unë kam qenë kundër hyrjes së degës së PD në Durrës në zgjedhjet e 2015. Dhe kanë qenë pikërisht kryetari Basha, Edmond Spaho dhe zonja Duma, të cilët kanë qenë dakord për të hyrë në zgjedhje. Sepse në Durrës nuk është kryer një masakër zgjedhore, në Durrës, me votën e qytetarëve durrsakë është kryer një krim. E kam denoncuar me fakte dhe dokumente, të cilat i ka njohur prokuroria, gjykata, KQZ dhe Kolegji Zgjedhor. Mjafton të shikosh denoncimet e kryetarit të PD, dega Durrës, ndaj pushtetit lokal dhe pushtetit qendror, atëherë do të shikosh se kush është parimi, mënyra dhe forma e të bërit opozitë. Nga unë dhe nga bashkëpunëtorët e mi janë bërë 136 denoncime referuar pushtit lokal dhe pushtetit qendror. Pra, disa individë të caktuar, me influencë tek kryetari Basha, nuk ju ka pëlqyer modeli i të bërit opozitë i Osman Stafës. Unë jam një model jo i kapur, as nga krimi dhe as nga Sigurimi i Shtetit. Unë nuk jam model Enno Bozdo, unë jam model tjetër dhe përfaqësoj idealet e Dhjetorit ’90.
 
Pse ju mendoni se në PD ka elementë të kapur apo të lidhur me Sigurimin e Shtetit? 

Kam kërkuar me këmbëngulje që të hapen dosjet. Edhe para se të bëhesha kryetar i PD, edhe pasi u bëra kryetar i PD, kam kërkuar që PD duhet të këmbëngulë urgjentisht për hapjen e dosjeve. Për aq kohë sa PD nuk këmbëngul për hapjen e dosjeve dhe të procesit të lustracionit, PD ka një sërë bashkëpunëtorësh të ish-Sigurimit të Shtetit në radhët e saj.

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Pronat shtetërore mund të shkëmbehen me private, si e vlerësoni ligjin?



×

Lajmi i fundit

Sulmohen me gurë 2 autobusë me tifozë të Skënderbeut, nga Tirana po ktheheshin në Korçë! Thyhen xhamat (FOTO)

Sulmohen me gurë 2 autobusë me tifozë të Skënderbeut, nga Tirana po ktheheshin në Korçë! Thyhen xhamat (FOTO)