Shtatë ditë para afatit kushtetues, shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci tha të martën se Lëvizja Vetëvendosje nuk ka ende një emër për presidentin. As për Vjosa Osmani, as për ndonjë kandidat të përfolur nga familja Jashari.

Në një intervistë për Ekonomia Online, Nagavci deklaroi se aktualisht nuk ka një qëndrim zyrtar për një kandidat specifik. Sipas saj, prioritet është sigurimi i të paktën 80 deputetëve që do të jenë në sallë dhe do të votojnë në dy raundet e para, në mënyrë që procesi të mos dështojë dhe vendi të mos shkojë në zgjedhje.

“Po, aktualisht nuk kemi një emër konkret për të cilin e dimë se ka mbështetje të plotë për sigurimin e 80 votave. Kryeministri Kurti do të vazhdojë diskutimet me të gjithë ata që mund të ndikojnë në këtë proces, në mënyrë që deri në afatin kushtetues të kemi së paku 80 deputetë në sallë”, tha ajo.

Nagavci rikujtoi se ndryshe nga viti 2021, kur gjatë fushatës ishte përmendur hapur kandidatura e Osmanit për presidente, në zgjedhjet e vitit 2025 nuk është paraqitur paraprakisht asnjë emër për këtë post. Sipas saj, kjo e bën të domosdoshëm një diskutim më të gjerë politik dhe një konsensus më të fortë në Kuvend.

Ajo theksoi se vendi ka kaluar shumë zgjedhje në vitin e fundit dhe se institucionet kanë funksionuar për një kohë me qeveri në detyrë, ndaj tani, sipas saj, është e rëndësishme që stabiliteti të vazhdojë me mandat të plotë.

E pyetur për emrat që po qarkullojnë në publik, përfshirë edhe nga familja Jashari, Nagavci tha se “secili mund të flasë për emra”, por nuk ka asnjë qëndrim zyrtar nga VV apo partnerët e saj. Emri, sipas saj, do të bëhet publik vetëm pasi të përmbyllen konsultimet me deputetët dhe grupet tjera parlamentare.

Sa i përket faktit që në raundin e parë të diskutimeve nuk është ftuar Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ajo tha se gjithçka lidhet me raportin e forcave në Kuvend dhe me nevojën për të garantuar 80 vota të sigurta, për të shmangur çdo befasi që do ta çonte vendin në zgjedhje.


Lajmi kryesor:

Osmani në garë për mandatin e dytë, Kurti me sytë nga familja Jashari, ngërçi për presidentin e shtyn Kosovën drejt një krize të re politike