Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e cilësoi veprimin e kryeparlamentares Vjosa Osmani, që hoqi nga zyra fotografinë e tij, papjekuri politike dhe se sjella e saj duhet të jetë në raport me ligjin, ndërsa shtoi se një akt i tillë nuk e shqetësoi aspak.

'Sjellja e kryetares së Kuvendit duhet të jetë në raport me institucionet dhe me ligjin. Të gjithë duhet të jemi shembull të sjelljes institucionale, dhe jo të sjelljeve të inateve politike, apo sjelljeve artificiale, me pretendim elektoral. Njeriu kur e merr përgjegjësinë institucionale, shtetërore, prioritet e ka respektimin e Kushtetutës dhe ligjeve. Nuk dëshiroj të merrem me personin në fjalë. Më së paku sjellja joinstitucionale i takon partisë që ajo i takon, dhe filozofisë së presidentit Ibrahim Rugova. Nuk më brengos në rrafshin personal dhe privat, por duhet të kemi pjekuri politike.'

Osmani e zëvendësoi fotografinë e Thaçit me atë të Ibrahim Rugovës, një ditë pas marrjes së detyrës si kryeparlamentare.