Kosova ka hyrë në ditët vendimtare. Presidenti i ri i vendit duhet të zgjidhet deri më 4 mars. Nëse kjo nuk ndodh, vendi shkon automatikisht në zgjedhje të jashtëzakonshme. Pa shumë dramë, pa shumë zhurmë, thjesht bie Kuvendi dhe nis një tjetër fushatë.
Si funksionon zgjedhja e presidentit dhe pse duhen 80 vota
Problemi është i thjeshtë në letër, por i ndërlikuar në politikë: në dy raundet e para duhen 80 deputetë në sallë.
Vetëm nëse këto dy raunde “konsumohen” me kuorum të plotë, atëherë në raundin e tretë mjaftojnë 61 vota. Nëse në dy raundet e para nuk janë prezentë 80 deputetë që votojnë, procesi bie dhe nuk vazhdohet fare.
Këtë e ka sqaruar në detaje Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës në aktgjykimin për rastin e Hashim Thaçi, pas polemikave që patën lindur më herët edhe me rastin e Behgjet Pacollit.
Në atë rast, Gjykata Kushtetuese zbuloi shkelje, sepse në raundin e parë kishin marrë pjesë më pak se 80 deputetë dhe nuk kishte dy kandidatë në garë.
Në pikën 64 të të njëjtit aktgjykim thuhet: “Në mënyrë që raundi i parë i votimit të jetë i vlefshëm, të paktën 2/3 (dy të tretat) e të gjithë deputetëve të Kuvendit duhet të jenë të pranishëm dhe të votojnë. Nëse ky kusht nuk plotësohet, raundi i parë do të jetë i pavlefshëm. Rrjedhimisht, nuk mund të mbahet raundi i dytë. Në mënyrë që raundi i dytë i votimit të jetë i vlefshëm, i njëjti numër, pra të paktën 2/3 (dy të tretat) e të gjithë deputetëve të Kuvendit, duhet të jenë të pranishëm dhe të votojnë. Nëse ky kusht nuk plotësohet, raundi i dytë i votimit do të jetë i pavlefshëm. Vetëm atëherë kur raundi i parë dhe raundi i dytë janë të vlefshëm, mbahet raundi i tretë. Për të qenë i vlefshëm, raundi i tretë kërkon të paktën praninë dhe votimin e shumicës së të gjithë deputetëve të Kuvendit.”
Pra, nuk mjafton vetëm të mblidhen 61 vota për një emër. Së pari duhet të sigurohen 80 deputetë në sallë që votojnë. Dhe këtu nis ngërçi.
Asnjë parti s'ka shumicën, nisin negociatat politike
Pas zgjedhjeve të dhjetorit të vitit 2025, asnjë parti në Kosovë sot nuk i ka e vetme 80 votat. As mazhoranca, as opozita. Për këtë arsye kanë nisur takimet intensive mes liderëve.
Në fillim Kryeministri Albin Kurti takoi kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza i cili tha se PDK nuk do të jetë pengesë për procese shtetërore, por nuk do të mbështesë kandidatura që, sipas tij, nuk përfaqësojnë unitet qytetar dhe frymë kushtetuese.
Ai ishte i kujdesshëm sidomos kur u përmend familja Jashari, duke thënë se për atë familje flet gjithmonë me respekt dhe nuk hyn në emra përpara se të ketë një kandidaturë zyrtare në Kuvend.
Nga ana tjetër, Lumir Abdixhiku, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka kërkuar një marrëveshje klasike politike. Ai ka lënë të hapur disa opsione: nga një vendim i përbashkët i partisë, deri te mundësia që deputetët të votojnë sipas bindjes së tyre individuale. Por një gjë ama e ka pranuar, nuk ka ende një orientim për çështjen e presidentit.
Osmani dhe karta pro-amerikane
Në këtë mes është presidentja aktuale Vjosa Osmani, e cila kërkon një mandat të dytë. Ajo synon të qëndrojë edhe pesë vite në krye të shtetit, duke e mbështetur pretendimin e saj te “punët e mira që janë nisur” gjatë mandatit aktual dhe te profili i saj i theksuar pro-amerikan.
Por sinjalet nga shumica nuk janë të qarta. Albin Kurti ka deklaruar se Vetëvendosje nuk ka mbledhur nënshkrime për asnjë emër, përfshirë Osmanin. Sipas raportimeve në media, ai i ka kërkuar presidentes që të sigurojë fillimisht 30 nënshkrime për ta futur kandidaturën në procedurë parlamentare, e më pas do të mund të llogarisë në votat e LVV-së.
Në të njëjtën kohë, Osmani është shfaqur pranë presidentit Donald Trump dhe ka vlerësuar përfshirjen e Kosovës në Bordin e Paqes në Davos, si pjesë e angazhimit të saj ndërkombëtar.
Megjithatë, kjo lëvizje nuk ka marrë ndonjë mbështetje publike nga Vetëvendosje. Kurti ka qenë i rezervuar në komente specifike mbi Bordin e Paqes ndërkohë që partia nuk ka dhënë as sinjale se rizgjedhja e saj është punë e mbyllur.
Edhe vetë Osmani, në një paraqitje të fundit publike, është shprehur se “rizgjedhja ime është në duart e deputetëve”, duke e lënë të hapur rezultatin.
Opozita kundër mandatit të dytë
Paralelisht, opozita e sheh të papranueshëm një mandat të dytë për të, çka e bën matematikën parlamentare edhe më të vështirë. Nëse ajo nuk arrin t’i sigurojë 30 nënshkrimet për ta shpallur kandidaturën dhe më pas 80 deputetë në sallë për raundet e para, skenari i zgjedhjeve mbetet plotësisht real.
Analisti Afrim Kasolli e sheh situatën si një përsëritje të vitit të kaluar. Në një intervistë për RTV21, ai tha se partitë opozitare po bëjnë llogari se kush do të ketë më pak faj nëse vendi përfundon në krizë.
Ai vlerëson se LVV nuk ka interes ta mbështesë Osmanin për një mandat tjetër dhe se Kurtit do t’i leverdiste më shumë një president me sfond heroik apo patriotik, sidomos në kontekstin e zotimeve që ka marrë në Bruksel. Sipas tij, mes Kurtit dhe Osmanit ka pasur rivalitet, sidomos në performancën ndërkombëtare.
Emrat nga familja Jashari që përmenden në media
Vijmë tani tek familja Jashari. Ditët e fundit, Kurti ka shkuar në kullën e Jasharëve dhe ka takuar Rifat Jasharin. Vetë ai e ka pranuar vizitën dhe ka thënë se kanë folur për zhvillime politike, por pa dhënë detaje.
Sipas raportimeve të mediave kosovare, preferencat e Kurtit janë për Bashkim Jasharin, komandantin aktual të FSK-së, ose për Bekim Jasharin, ish-kryetar i Skenderajt. Ndërsa Rifat Jashari preferon Murat Jasharin si kandidat për president.
Deri tani, asnjë parti nuk e ka kundërshtuar hapur një emër nga familja Jashari. Por asnjëra nuk është rreshtuar qartë pas një kandidature konkrete.
President i ri ose fushatë e re, skenari final sipas ekspertëve
Ndërkohë, hulumtuesi i KDI-së Eugen Cakolli e thotë qartë për RTV21: zgjedhjet janë opsion real, po aq sa zgjedhja e presidentit. Sipas tij, nëse dështojnë raundet dhe nuk ka kuorum sipas rregullave të vendosura nga Gjykata Kushtetuese, vendi shkon në zgjedhje, me data të mundshme në prill ose maj.
Pra skenari është i prerë. Ose arrihet një marrëveshje politike që siguron 80 deputetë në sallë dhe një emër që kalon në votim, ose 4 marsi e çon vendin drejt një tjetër cikli elektoral. Dhe në këtë fazë, gjithçka duket e hapur, nga mandati i dytë i Osmanit, te një emër nga familja Jashari, deri te zgjedhjet e reja.

Jehona Lushaku Sadriu
Mes diskutimeve për zgjedhjen e presidentit të ri, LDK thotë se është e gatshme edhe për zgjedhje të reja, nëse procesi dështon.
Kryetarja e grupit parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku Sadriu, deklaroi të martën se partia që drejtohet nga Lumir Abdixhiku është e përgatitur për të shkuar në zgjedhje, por theksoi se para kësaj duhet të provohet arritja e një marrëveshjeje për presidentin.
“Si parti jemi të gatshëm me shku në zgjedhje, por njëherë duhet të provohet të arrihet një marrëveshje”, u shpreh ajo.
Deklarata vjen në kohën kur afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit po afrohet dhe partitë ende nuk kanë dalë me një kandidat zyrtar.

Deputeti i PDK-së Enver Hoxhaj
Nëse për postin e presidentit të Kosovës propozohet dikush nga familja Jashari, Enver Hoxhaj thotë se vota e tij do të jetë “pro”.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës u shpreh se personalisht do ta mbështeste një kandidat të tillë, por theksoi se qëndrimi zyrtar i partisë vendoset nga Kryesia.
“Vota ime është çdo herë pro familjes Jashari, por përtej kësaj i takon kryesisë së PDK-së që ta japë një qëndrim të tillë”, deklaroi Hoxhaj.
Deklarata e tij vjen në kohën kur po përmenden emra të ndryshëm për postin e presidentit dhe kur partitë politike ende nuk kanë dalë me një kandidat zyrtar.
Shtatë ditë para afatit kushtetues, shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci tha të martën se Lëvizja Vetëvendosje nuk ka ende një emër për presidentin. As për Vjosa Osmani, as për ndonjë kandidat të përfolur nga familja Jashari.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Nagavci deklaroi se aktualisht nuk ka një qëndrim zyrtar për një kandidat specifik. Sipas saj, prioritet është sigurimi i të paktën 80 deputetëve që do të jenë në sallë dhe do të votojnë në dy raundet e para, në mënyrë që procesi të mos dështojë dhe vendi të mos shkojë në zgjedhje.
“Po, aktualisht nuk kemi një emër konkret për të cilin e dimë se ka mbështetje të plotë për sigurimin e 80 votave. Kryeministri Kurti do të vazhdojë diskutimet me të gjithë ata që mund të ndikojnë në këtë proces, në mënyrë që deri në afatin kushtetues të kemi së paku 80 deputetë në sallë”, tha ajo.
Nagavci rikujtoi se ndryshe nga viti 2021, kur gjatë fushatës ishte përmendur hapur kandidatura e Osmanit për presidente, në zgjedhjet e vitit 2025 nuk është paraqitur paraprakisht asnjë emër për këtë post. Sipas saj, kjo e bën të domosdoshëm një diskutim më të gjerë politik dhe një konsensus më të fortë në Kuvend.
Ajo theksoi se vendi ka kaluar shumë zgjedhje në vitin e fundit dhe se institucionet kanë funksionuar për një kohë me qeveri në detyrë, ndaj tani, sipas saj, është e rëndësishme që stabiliteti të vazhdojë me mandat të plotë.
E pyetur për emrat që po qarkullojnë në publik, përfshirë edhe nga familja Jashari, Nagavci tha se “secili mund të flasë për emra”, por nuk ka asnjë qëndrim zyrtar nga VV apo partnerët e saj. Emri, sipas saj, do të bëhet publik vetëm pasi të përmbyllen konsultimet me deputetët dhe grupet tjera parlamentare.
Sa i përket faktit që në raundin e parë të diskutimeve nuk është ftuar Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ajo tha se gjithçka lidhet me raportin e forcave në Kuvend dhe me nevojën për të garantuar 80 vota të sigurta, për të shmangur çdo befasi që do ta çonte vendin në zgjedhje.
Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot
Zgjedhja e presidentit është përgjegjësi e vetë partive politike në Kosovë. Kështu u shpreh ambasadori i Francës në Prishtinë, Olivier Guerot, në një deklaratë për KosovaPress, ndërsa vendi po hyn në ditët vendimtare para afatit kushtetues.
Guerot e cilësoi si zhvillim pozitiv faktin që partitë kanë nisur takime mes tyre për këtë çështje. Sipas tij, është e domosdoshme që ato të flasin me njëra-tjetrën, pasi vetë kuadri kushtetues i Kosovës e kërkon këtë.
“ Kuadri institucional i Kushtetutës së Kosovës e bën të nevojshme që partitë politike të bisedojnë me njëra-tjetrën”, tha ai duke refuzuar të komentojë emra konkretë me argumentin se këto janë çështje të brendshme politike.
“Si diplomat i huaj, nuk dua të komentoj për politikën e brendshme. Kemi punuar shumë që Kosova të bëhet një shtet sovran dhe jemi të lumtur të shohim që institucionet po funksionojnë qetësisht me njëra-tjetrën”, u shpreh ai.
Guerot shtoi se është i bindur që partitë dhe institucionet do të punojnë qetësisht për zgjedhjen e kreut të shtetit, duke theksuar se Franca ka marrëdhënie shumë të mira me institucionet e Kosovës dhe pret vazhdimin e bashkëpunimit.
Komente








