Osmani për BBC: Edhe vetë kam qenë refugjate! Brenda dy-tri ditëve bëhet publike data e mbërritjes së afganëve! Mes kaosit, Kosova evakuon 4 shtetas të saj

KOSOVË- “Janë skena që ta thyejnë zemrën. Edhe unë kam qenë refugjate dhe e ndjejmë këtë çdo ditë”, tha Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë për BBC, e pyetur në lidhje me situatën e popullit afgan pasi ky i fundit ra nën pushtetin e talebanëve.

Pas deklaratave se Kosova është përgatitur që një muaj për ardhjen e afganëve, Osmani ka thënë se informatat i kishin më herët nga SHBA-ja dhe punonjësit e ushtrisë amerikane në Afganistan, por se saktësisht nuk e kanë ditur që do të vinte kjo situatë dhe se ende nuk ka një numër të saktë pë rata të cilët do të strehohen në Kosovë.

“Por ne jemi të gatshëm dhe e treguam këtë gatishmëri pa hezitim. Numri i saktë është ende duke u diskutuar, por ne s’mund të jemi vendi që i themi jo këtyre refugjatëve, të këtyre njerëzve në nevojë kur ne kemi hapësirën dhe sa më shumë hapësirë që kemi do ta shfrytëzojmë atë për t’i strehuar ata. Me shumë gjasë ne do t’i kemi ata më shpejt se që e presim. Në fillim menduam se ata do të vinin për nja dy javë dhe se mund të kemi më shumë kohë për t’u përgatitur. Brenda dy-tri ditëve do të merret vesh edhe për datën e saktë se kur do të vijnë ata,” tha presidentja.

Në fjalën e saj ajo theksoi se në asnjë rast dikur nuk do ta braktiste shtëpinë e vet, në rast se do kishte mundësi dhe përmendi edhe rastin e Kosovës kur u çlirua nga regjimi gjenocidal i Serbisë.

“Nëse ne nuk punojmë së bashku nuk do të jemi në gjendje të korrim sukses. Edhe në rastin e Kosovës u tregua kjo. Vetëm kur SHBA-ja, Mbretëria e Bashkuar dhe anëtarët e tjerë të NATO-s së bashku mundën regjimin e Millosheviçit dhe sollën paqe në gjithë Ballkanin Perëndimor, ” theksoi ajo.

Osmani , në fjalën e saj nuk kurseu apelin për ndihmë të vendeve perëndimore, duke u theksuar se është koha të tregojnë të njëjtën shkallë solidariteti si dikur me Kosovës dhe qytetarët e saj.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:34
Mes kaosit dhe rrëmujës, Kosova evakuon 4 shtetas të saj nga Afganistani

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë (MPJD) ka njoftuar se katër shtetas të Kosovës janë evakuuar nga Afganistani.

“Që nga përshkallëzimi i situatës atje, MPJD-ja ka qenë e angazhuar për të identifikuar dhe ndihmuar shtetasit e Kosovës me qëllim të largimit sa më të shpejt nga Afganistani”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

Sakaq, Kosova pritet të pranojë edhe një numër të afganëve që kanë punuar me forcat amerikane, por të cilët do të evakuohen nga Afganistani për shkaqe sigurie, derisa atyre t'iu përgatiten vizat amerikane.

/B.K./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Qëndrimi i mbrojtjes së Erion Veliajt: 8 pikat që tregojnë se hetimi është keqdashës, i qëllimshëm dhe në kundërshtim me ligjin

Qëndrimi i mbrojtjes së Erion Veliajt: 8 pikat që tregojnë se hetimi është keqdashës, i qëllimshëm dhe në kundërshtim me ligjin