Xhelal Staravecka mbetet një nga figurat më të debatueshme të historisë shqiptare të Luftës së Dytë Botërore. Por një botim i ri i studiuesit dhe botuesit Naim Zoto synon të rikthejë figurën e Staraveckës përmes dokumenteve arkivore dhe verifikimit të kujtimeve të tij.

Libri bazohet në një punë kërkimore shumëvjeçare, ku kujtimet e Staraveckës ballafaqohen me dokumente shqiptare dhe të huaja, në përpjekje për të ndarë propagandën nga faktet historike.

“Kur kujtimet verifikohen me dokumentacion historik dhe përputhen me të, atëherë kemi të bëjmë me kujtime plotësisht të besueshme dhe që mund të shërbejnë si referencë edhe për historianët.”, tha gjatë prezantimit të librit, redaktori shkencor i këtij botimi, historiani Marenglen Kasmi.

Në qendër të debatit mbetet edhe Masakra e 4 Shkurtit 1944, një nga ngjarjet më të errëta të periudhës së luftës. Për dekada, Staravecka është përmendur si komandant i Xhandarmërisë së Tiranës në kohën e masakrës, por sipas dokumenteve të paraqitura në këtë studim, ai e ka marrë detyrën vetëm më 13 shkurt 1944, disa ditë pas ngjarjes.

“Ky libër karakterizohet nga ndershmëria shkencore dhe këmbëngulja kritike për të krahasuar burimet. Është një përpjekje për të rindërtuar historinë pa mitizime dhe pa demonizime.”, tha studiuesi Shaban Sinani.

Sipas autorit, rasti Staravecka është edhe një shembull se si historia e individit mund të deformohet nga propaganda politike dhe versionet zyrtare të kohës. Përmes mijëra dokumenteve arkivore, libri sjell një lexim ndryshe të ngjarjeve dhe figurave të Luftës së Dytë Botërore, duke rikthyer debatin mbi mënyrën se si është shkruar historia shqiptare.