Foto ilustruese

Organizatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, OVL-UÇK, kanë shprehur shqetësim të fortë për mënyrën se si Prokuroria në Hagë ka folur për UÇK-në në fjalët e saj përmbyllëse.Sipas OVL-UÇK-së, përdorimi i termit “Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale” për udhëheqjen e UÇK-së është i papranueshëm dhe përbën përpjekje për ta paraqitur luftën çlirimtare si kriminale.

“OVL UÇK shpreh shqetësim të thellë dhe kundërshtim të fuqishëm ndaj përmbajtjes dhe gjuhës së përdorur në fjalët përmbyllëse të Prokurorisë në Dhomat e Specializuara në Hagë. Pretendimet e paraqitura, përfshirë etiketimin e udhëheqjes së UÇK-së si pjesë e një “Ndërmarrjeje të Përbashkët Kriminale”, përbëjnë një tentativë të papranueshme për kriminalizimin e luftës sonë çlirimtare dhe për rishkrimin e historisë së rezistencës së drejtë të popullit të Kosovës"thuhet në deklaratë.

Në reagim thuhet se UÇK-ja ka qenë ushtri çlirimtare, e krijuar për mbijetesë dhe liri, e mbështetur nga populli i Kosovës dhe e njohur si palë legjitime në luftë.

"UÇK-ja ishte dhe mbetet ushtri çlirimtare, e lindur nga nevoja për mbijetesë dhe liri, e mbështetur nga populli dhe e njohur nga bashkësia ndërkombëtare si palë legjitime në luftën kundër regjimit gjenocidal serb. OVL UÇK riafirmon bindjen se kjo gjykatë po zhvillon një proces selektiv dhe të njëanshëm, duke injoruar krimet shtetërore të Serbisë dhe duke u fokusuar padrejtësisht mbi drejtuesit e luftës çlirimtare. Ne do të vazhdojmë të mbrojmë të vërtetën historike, dinjitetin e luftës sonë dhe figurën e bashkëluftëtarëve tanë. Drejtësia e vërtetë nuk ndërtohet mbi shtrembërim faktesh, por mbi të vërtetën e plotë”, përfundon deklarata


Lajmi kryesor:

Gjyqi në Hagë/ Prokurori: Thaçi maskoi të vërtetën, Rubin-Clark u gënjyen! Veseli zgjidhte torturuesit