Një ndër misionarët që jetoj për 45 vjet radhazi në Shqipëri ishte P. Camillo Libardi nga Trento. P. Camillo lindi më 7 dhjetor të vitit 1863. Veshi petkun françeskan më 5 mars 1880 dhe u shugurua meshtar më 2 janar të vitit 1887. Më 5 prill 1888 u paraqit në Romë nën thirrjen e Propagandës Fide, e cila e dërgoi misionar në Shqipëri. Shërbeu në Pult për 45 vjet me radhë deri në vitin 1937.
Kjo ka qene për të e për shumë kënd si ai, periudha e vështirë misionare mes maleve përmes të cilave atij i duheshin orë të tëra për të mbërritur familjet të cilat jetonin pothuajse në një gjendje primitive të shpërndara anë e kënd grykave të humbura mes izolimit total prej qytetërimit nën persekutimin e ashpër osman.
Personaliteti i tij i fortë, inteligjenca e spikatur dhe mbi të gjitha energjia dhe vullneti i tij i jashtëzakonshëm për t’iu gjendur pranë besimtarëve të grigjës që i ishte besuar, qe mbi të gjitha vlera e jashtëzakoshme e karizmës françeskane që përcolli frati françeskan përmes zhgunit të murrmë lidhur me konop të bardhë dhe sandaleve pa çorape. Libardi do të vërë re se natyra e egër e shqiptarit të këtyre anëve ishte bërë e tillë jo prej karakterit të tyre, por prej mungesës së qeverimit. Shala, Shoshi, Thethi e Nikaj ishin zhytur në gjakmarrje.
Vetëm në vitin e parë të apostullimit të P. Libardit pati 43 vrasje. Për këtë arsye ai mori nismën për të mbledhur e bërë bashkë krerët e fiseve për 3 ditë radhazi dhë me 5 qershor u 1890 u arrit një marrëveshje mes tyre që të kishte besë mes sosh dhe sidomos për të mbajtur të sigurtë rrugëkalimin mes këtyre zonave që shkonte për në Fushë Kosovë, besë që mbeti në fuqi deri në vitin 1894.
Shpërthimi i kryengritjes në Veri të vendit gjatë vitit 1911 dhe sidomos ofensiva e Shefqet Turgut Pashës mbi Mirditë e Dukagjin dhe sjellja e dyfishtë e Kral Nikollës, bëri që me nismën e P. Libardit më 17 korrik 1911 të arrihej një marrëveshje tjetër mes krerëve të dy besimve në kështjellën e Drishtit, marrëveshje e cila iu konfirmua edhe Valiut të Shkodrës.
Shfaqja e një personaliteti të tillë do të ishte edhe një arsye fortë që ai të propozohej edhe si një ndër 3 kandidatët e mundshëm për ipeshkëv të Pultit, detyrë të cilën ai e refuzoi për shkak të moshës së tij të re. Në vitin 1907 Shenjtëria e tij Papa Piu X e dekoroi me medaljen e mirënjohjes për veprën e tij misionare. Me Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë më 1912 ai qe zgjedhur drejtor i Kryqit të Kuq Shqiptar në nënprekefturën e Dukagjinit ku pat hapur në vitin 1926 edhe një qendër ambulante misionare në famullinë e Shoshit.
Pas kryengritjes së Dukagjinit dhe përgjakjes që i bëri Ahmet Zogu kësaj krahine, si rezultat i hakmarrjes së ashpër monarkike me këshillimin e Propagandës Fide, P. Limbardi në vitin 1932 e lëshon plot pas 45 vjetësh misionin e tij aq shumë të dashur në Shqipëri.
P. Libardi përjetoi konkretish ngjarjet e rëndësishme që rrodhën në Shqipëri në kapërcyll të dy shekujve duke ndjekur me kujdes e vëmendje si dhe duke mbështetur me të gjitha format dhe mënyrat patriotët shqiptarë gjatë dhe pas Shpalljes së Pavarësisë, dëshmia më e mirë e së cilës do të dilte si produkt i kësaj veprimtarie libri i tij voluminz në dy pjesë I primi moti patriottici albanesi nel 1910 - 1911 - 1912: specie nei Dukagini (1935), i cili për habi të madhe ende nuk nuk ka tërhequr vëmendjen e ndonjë botuesi shqiptar për t’u përkthyer në gjuhën shqipe. Libardi njohu nga afër Luigj Gurakuqin, At Gjergj Fishtën, Ernest Koliqin, Bajram Currin, Muharrem Bajraktari, Gjon Markagjoni, Dom Lazër Shantojën, Rexhep Shalën, Imzot Luigj Bumçin, At Bernardin Shllakun, Imzot Lazër Mjedën, Musa Jukë, Gjon Gazullin etj. Në vitet e fundit të jetës qe emëruar “Cavalliere della Corona d’Italia” si dhe anëtar i Comisionit Adriatik për Studimet Shqiptare (Commisssione Adriatica per gli Studi Albanesi). Më 22 dhjetor 1942 u shtrua në infermieri në Trento ku edhe ndërroi jetë më 26 febraio 1943.
P. Camillo Libardi botoi tre vepra: I primi moti patriottici albanesi nel 1910-1911-1912: specie nei Dukagini. (1935); Il missionario Albanese sul campo di battaglia, ovvero ricordi della vita di p. Alberto Craçhi O. M. vescovo di Pulati in Albania. (1935); Come si è fatto re d'Albania Ahmet Zogu (1940); Si u bë mbret u Shqipërisë Ahmet Zogu. Tiranë, 2012.
Pikërisht në kohën e pushtimit italian studiuesi italo-dalmat Giuseppe Praga kishte ideuar projektin e botimit të “Monumenta Albaniae Historica”, pjesë e së cilës do të ishte vepra e tij (Libardit) e lënë dorëshkrim Sylva documentorum et Albaniam pertinentium.
I-III, frut i një punë të madhe e të lodhshme e plot durim në arkivat dhe bibliotekat e ndryshme italiane, dorëshkrimin e së cilës P. Libardi e nisi për botim në Romë. Në vitin 1942, në një artikull të botuar në Rivista d’Albania studiuesja italiane Ferdinanda Granata thekson se për misionet italiane në Shqipëri në gjysmën e parë të shekullit të XVII, është bazuar në pjesën më të madhe mbi burimet e mbledhura nga p.
Libardi në veprën e sipërpërmendur, sipas saj të përmbledhura në 3 vëllime, 2 prej të cilave ajo i citon përgjatë studimit. Periudha e luftës solli peripeci të shumta që dihet që u pasuan me ato të pasluftës dhe dorëshkrimi i p. Camillo-s humbi gjurmët. Kërkimeve tona të shumta të bëra në Shqipëri; në Arkivin Qendror të Shtetit, Arkivin e Institutit të Historisë, Bibliotekën Kombëtare në Tiranë, Bibliotekën “Marin Barleti” në Shkodër dhe bliotekën Françeskane po në Shkodër nuk dhanë rezultat.
Prej vitit të largët 1942, studiuesi i mirënjohur i dokumenteve për Shqipërinë Injac Zamputi ishte mjaftuar vetëm me citimet dhe përkthimin e një dokumneti të transkriptaur në arikullin e Granata-s, ngaqë atij për fat të keq nuk i jepej e drejta e kërkimeve jashtë vendit. Mbas tij një tjetër njoftim na jepte Dom Gjergj Gashi në bibliografinë që i paraprin hyrjes së librit të tij Vatikani dhe Arbëria (1998), ndërsa përmendja e fundit e kësaj vepre madje me disa citime ishte ajo e Artan Fidës (2007), referuar dorëshkrimit, por në fakt sikurse rezulton se ishte një kompilim prej Granata-s dhe asgjë më shumë. Kishim dijeni se këtë dorëshkrim e kishte kërkuar shumë edhe i ndjeri P. Zef Pllumi.
Kërkimet në ish-Centri Studi per l’Albania në Romë qenë edhe ato pa rezultat. Më në fund u drejtuam në Trento, vendlindja dhe njëkohësisht vendpushimi në amshim i fratit françeskan. Aty hasëm dorëshkrimin për të cilin i jemi mirënjohës Dott. Italo Franceschini në Fondazione Biblioteca San Bernardino, i cili në muajin korrik 2016, pasi verifikoi arkivin e bibliotekës na konfirmoi gjetjen e tre doreshkrimeve të P. Libardit, dy prej të cilave tashmë janë botuar në të gjallë të P. Camillo-s dhe një vëllim i Sylva documentorum et Albaniam pertinentium me 257 faqe gjithsej, në format të madh. Çështja është nëse ky ka qenë vëllim i vetëm, apo kanë qenë edhe 2 vëllime të tjera sikurse na thotë Ferdinada Granata dhe Gjergj Gashi? Fakti që ajo citon edhe një vëllim tjetër do të thotë se duhet të kenë ekzistuar 3 vëllime. Pse janë ndarë dy vëllime e tjera?
Mos përfaqëson ky vëllim një fazë fillestare të punës? Nga ana tjetër a mos është ngatërruar qënia e dy dorëshkrimeve të botuara në të njëjtin fond dhe ato janë marrë si tre vëllime me dokumente? Bazuar në përmbajtjen e këtij vëllimi mendojmë se çështja mbetet ende e hapur për kërkime të metejshme, deri në gjetjen e dy vëllimeve të tjera dhe botimin sa më parë të tyre me të gjithë elementët e duhur diplomatikë dhe filologjikë të tekstit sikurse e meriton një botim i tillë.
Në fund të këtij shkrimi do të doja të falënderoja studiuesit Albert Ramaj, Blerina Suta dhe P. Mikel Pllumaj O.F.M.
Redaksia Online
XH.K/shqiptarja.com