Kërkesa e ndërkombëtarëve për zhvillimin e kësaj lufte me efektivitet gjithnjë e më të madh ka qenë e vazhdueshme, sidomos pas pështatjes, me ndihmën dhe asistencën e plotë të tyre, të të gjithë legjislacionit tonë të brendshëm me sistemin ligjor europian, në atë që njihet me termin acquis communitaire. Kjo kërkesë përsëritet me theks të ri edhe tani, kur vetëm pak ditë na ndajnë nga vendimi i Këshillit të Ministrave të Shteteve Anëtare të Bashkimit Europian, për t’i akorduar tani (apo jo) Shqipërisë statusin zyrtar të Shtetit aspirant.
Në këtë drejtim, mazhoranca parlamentare dhe Qeveria e dalë prej saj, megjithëse nuk kanë veçse 3 muaj që janë konstitutuar duket ta kenë marrë seriozisht rëndësinë dhe zhvillimin me ritme të shpejta të reformës në drejtësi, si edhe të luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, këtyre dy kritereve të domosdoshme integruese dhe integrale. Ndërsa opozita nga ana e vet, këtij procesi historik po i përgjigjet gjatë këtyre dy muajve veçse me një rezolutë retorike.
Për ta konkretizuar këtë qëndrimi të opozitës mjafton të përdorim për ilustrim një nga debatet parlamentare të këtij muaji, pas paraqitjes nga ana e Qeverisë në Kuvend të një projekt-ligji të ri të ‘Antimafies’, dhe të një tjetri për disa amendime në Kodin e Procedurës Penale të Republikës së Shqipërisë. Në këtë kuadër, një deputete e PD dhe kryetare e Komisionit parlamentar të Integrimit, në krye të javës së shkuar deklaroi që opozita do të binte dakord me nismën e Qeverisë, por ja që brenda dy ditësh Partia Demokratike e ndryshoi deklaratën e ish ministres së saj, deri në invers, duke i qëndruar me konsekuencë kundërshtimit edhe gjatë kësaj jave të dytë të dhjetorit.
Dhe ky kontestim, më tepër se sa mbi një bazë arësyetimi juridik të grupit të deputetëve opozitarë apo të ekspertëve pranë tyre, mbështetjen për pretekst të fortë në braktisjen e reformës e gjeti te krijimi i një rrethane të re. Ishte letra që i dërgonin Ambasada e SHBA dhe specialistët e OPDAT Komisionit të Ligjeve në Kuvendin e Shqipërisë, si edhe menjëherë pas saj një deklaratë e Prezencës së OSBE dhe një komunikatë e BE, që nxitën zhvillimin e debateve mazhorancë–opozitë. A ishin të drejta pretendimet e ngritura në këto dokumente të aleatëve të huaj?
Sigurisht që argumentet e tyre nuk mund të mohohen, ngaqë me mbështetjen financiare e teknike të OPDAT dhe Ambasadës së SHBA në Tiranë janë ngritur prej disa kohësh Njësitë e Përbashkëta Hetimore të specializuara për të vënë në shënjestër dhe ndjekur penalisht korrupsionin, ekipe këto të përbëra nga përfaqësues të agjencive të ndryshme ligjzbatuese dhe të drejtuara këtu prej prokurorëve të rretheve, me ndryshimet e propozuara mund të suprimohen, për të shtuar kompetencat e Prokurorisë pranë Gjykatës së Krimeve të Rënda. Ndërkohë që nga Brukseli shprehej mendimi se, për shkak të natyrës së veçantë të çështjeve zbatimi i reformës në këtë drejtim mund të shpjerë përpara asaj Gjykate disa vepra që nuk janë penale, se projekti nuk është i qartë për harmonizimin e sistemit të ri me Njësitë ekzistuese hetimore, se zgjidhja për të mos u prekur këto Njësi pasi t’u merreen të gjitha kompetencat ndaj korrupsionit nuk është realiste etj.
Mirë, po përse që prej afro dy javësh vazhdon e ngritur kaq shumëballëshe dallga e debateve parlamentare, pa mbërritur ende në bregun e shpresës, që do të mundësojë një luftë efikase ndaj korrupsionit, sidomos në nivelet e larta të organigramës shtetërore. Kjo pyetje mund të konsiderohet aq më tepër me vend, kur nga Ambasada Amerikane deklarohet gjithashtu vlerësimi që qeveria shqiptare është e hapur dhe e gatshme për të diskutuar opsione të ndryshme, sikurse Brukseli ka komunikuar (përveçse çka përmendëm më lart), se centralizimi i hetimit të korrupsionit te prokurorët pranë Gjykatës së Krimeve të Rënda mund të rrisë pavarësinë dhe efiçencën e këtij procesi. Mirëpo, nga të dy krahët e politikës sonë nuk jepen përgjigje të qarta për arësyen e vërtetë të këtij sherri, prandaj na mbetet që në vijim të hedhin paksa dritë mbi tallazin e rradhës të politikës shqiptare, pa pretenduar zgjidhjen e problemit.
Siç vihet re nga vërejtjet e aleatëve tanë strategjikë, një nga nga nyjet kryesore të këtij ngërçi e përbën fati i mëtejshëm i Njësive të Përbashkëta Hetimore ndaj korrupsionit. Më saktë, nga krahu i majtë pabesueshmëria në përgjithësi për integritetin e personave, të cilët numërohen në listat e Palës shqiptare të këtyre Njësive, dhe nga e djathta insistimi për t’i mbajtur gjallë këto struktura. Por, përpara se të shpjegojmë telegrafisht kush i hartoi listat e tyre, na duhet t’i bëjmë një redaktim apo modifikim proverbit që përmendëm në fillim. Fjala është “për ca “mëlçi që “ujku” vetë i vari në qafë””.
Pra, personat e zgjedhur për specializim pranë ekspertëve amerikanë të OPDAT janë ngarkuar me funksionet e investigimit ndaj korrupsionit qysh gjatë ushtrimit të pushtetit të Sali Berishës. Ishte besniku, dikur truproja e tij, ai që u ngarkua t’i drejtonte këto struktura nga pozicioni i Zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Dhe rezultati i deritanishëm i tyre deri në dorëzimin e detyruar të pushtetit te e majta politike dihet fare mirë, ato rezultate i përgjigjen portretit të disa gjahtarëve, të cilët ndonjëherë mbulojnë nga frika, nga lodhja apo edhe nga dashja gjurmët e ujkut.
Duke iu drejtuar njëkohësisht statistikave zyrtare të fundit, nuk mund të mos mbahet parasysh, gjithashtu, që rreth 12 për qind e punonjësve të Policisë së Shtetit, nga rradhët e të cilëve kanë qenë edhe ata të ngarkuar me investigimin ndaj korrupsionit, në detyrën e tyre kanë ndenjur më pak se sa një muaj, ndërsa 20 për qind - më pak se sa dy muaj. Atëhere, përse nga opozita turbullohen ujërat me kaq shkumëzime, kur nevojitet më tepër se kurrë një gjithëpërfshirje për zgjidhje produktive konsensuale edhe në lidhje me përmbushjen, apo së paku me vullnetin e palakueshëme dhe të pakthyeshëm në përmbushjen e një prej dy kritereve kokëforta, për akordimin Shqipërisë të statusit zyrtar të Shtetit kandidat për në Bashkimin Europian? Makthi i ndonjë lideri dhe i ndonjë ish ministri të opozitës së djathtë, për fundin personal të paralelshëm me atë të kolegut Imami, kurrësesi nuk mund të jetë justifikim i besueshëm. Ndryshe, Shqipëria rrezikon mundësinë e dhënies së statusit nga Brukseli edhe më 2014-n, çka do të bëjë që ndëshkueshmëria ndaj atyre personave të mandatuar, që realisht vazhdojnë të pengojnë të ardhmen e këtij vendi dhe të popullit të tij do të jetë edhe më e rëndë, edhe më komplekse.
Shkrimi u publikua sot (14.12.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)