Investitorë seriozë, të cilët kanë të siguruar një buxhet prej mbi 800 mijë euro në vit për një afat 5-vjeçar. Pra, 4 milion euro në 5 vjet i kanë që në nisje në arkën e klubit, aty të kyçura, të sigurta për vijimësinë e projektit. Në thithjen e investitorëve rol të rëndësishëm luan bashkia. Kjo e fundit duhet të tregohet e ndershme edhe për interesa të vetvetes, duke hequr qafe barrën e rëndë financiare, që paguhet nga taksat e qytetarëve, në mënyrë që klubi të kalojë në duart e privatit/privatëve, përmes një përzgjedhjeje sa më objektive, me pjesëmarrjen e drejtuesve më të lartë të bashkisë, këshillit bashkiak dhe opinionit sportiv.
Pas 5 vjetëve investim nga investitori/investitorët, paràtë e hedhura nga ata duhet të përkthehen në aksione, me një çmim të arsyeshëm dhe real me tregun shqiptar, duke pasur në konsideratë faktin se 10-20 për qind e aksioneve të klubit duhet t’i takojnë bashkisë, pjesa tjetër (80-90% e tyre) duhet të jetë e shpërndarë mes investitorëve. Bashkia duhet të derdhë në arkën e klubit përqindjen e saj detyruese, ashtu sikundër investitorët.
Klubi duhet të drejtohet nga një bord ekzekutiv, duke iu përmbajtur përqindjes së shpërndarjes. Bashkia zë 10-20% e saj, sipas nënshkrimit të kontratës. Drejtuesi i këtij bordi duhet të jetë financuesi më i madh, si rrjedhojë ai që zotëron edhe përqindjet më të mëdha në klub, i cili njëherazi shpallet president i klubit.
Projekti duhet të miratohet me 2/3 e votave të bordit ekzekutiv. Hartimi i projektit është përgjegjësi e këtij bordi, por jo detyrimisht ai duhet të jetë hartuesi i tij. Një grup specialistësh të mirëfilltë të futbollit, të kontraktuar nga klubi, duhet të jenë përpiluesit e kësisoj firmëtarët e projekteve. Disa grupe pune specialistësh do të mund të sjellin disa projekte. Bordi kalon me 2/3 e votave projektin më të pranueshëm, më cilësor sipas optikës së tij. Projekti duhet të jetë afatgjatë.
Pas miratimit, moszbatimi i projektit do të penalizojë, sipas kontratës së nënshkruar, në përputhje me përgjegjësitë, të gjithë investitorët (edhe bashkinë).
Në qendër të gjallimit të një klubi të ri modern, ambicioz dhe pretendent duhet të jenë ekipet zinxhirë, të cilat pa dyshim duhet të jenë pjesë përbërëse dhe të rëndësishme të projektit të hartuar nga specialistët (kostot financiare përfshihen në shumën totale të derdhur në arkën e klubit). Ekipet zinxhirë duhet të jenë nismëtarët e këtij projekti serioz – nga këtu fillon ndërtimi i klubit. Trajnuesit e këtyre ekipeve, pra akademisë, duhet të përmbushin një sërë kriteresh, të cilat duhet të hartohen që në nisje të projektit. Kriteri kryesor, që ka marrë më qafë shumë breza, duhet të jetë integriteti moral i trajnuesve. Për shembull, ta zëmë, në një qytet si Shkodra dihen botërisht trajnuesit kumarxhi, sarhosh dhe të korruptuar; këta, edhe në qofshin specialistë të fushës, duhet të qëndrojnë sa më larg këtij projekti. Te akademia e klubit duhet të vendosen njerëzit më të zotë, madje-madje më të aftë edhe se në ekipin e parë, në mënyrë që rritja e potencialit rinor të jetë disafish më e madhe dhe për së shpejti ekipi i parë i klubit të ketë brumin e vet natyral. Është e këshillueshme që trajnerët e akademisë të jenë në shumicë nga qyteti i klubit (këtë e dikton si të nevojshme kryesisht mjedisi shqiptar).
Sa i përket ekipit të parë, aty ku vëmendja e publikut është tejet e përqendruar, qoftë emërimi i stafit teknik, qoftë blerjet a shitjet e lojtarëve duhet të realizohen në bazë të kritereve të projektit dhe me miratimin e bordit ekzekutiv. Stafi teknik dhe afrimi e largimi i lojtarëve mund të merret me shumicë të thjeshtë nga bordi. Pranë stafit teknik dhe bordit ekzekutiv qëndron me këshilla dhe sugjerime, si strukturë më vete, këshilli i të urtëve (mund të vendosim edhe një emërtim tjetër), i cili mund të përbëhet nga rreth 20 anëtarë, specialistë të futbollit, ish-lojtarë me karrierë të pasur.
Në krye të kësaj strukture, me votat e anëtarësisë së saj, qëndron njëri prej anëtarëve, me mandat 1-vjeçar dhe të drejtë rizgjedhjeje maksimumi deri në 2 mandate. Kjo strukturë mbahet në këmbë financiarisht, me paga të pranueshme për anëtarësinë, nga drejtuesit e klubit. Për një ekip serioz, një trajtesë e tillë, qoftë si analizë formale, në kushtet e aktualitetit sportiv shqiptar, besoj se duhet të merret në konsideratë. Mirëpo, se sa serioze, përgjegjëse dhe të afta janë bashkitë në Republikën e Shqipërisë që drejtojnë ekipet e futbollit të qyteteve respektive, kjo mbetet për t’u parë, ndonëse publiku në masë ndihet mosbesues.
Shkrimi u botua në numrin e sotëm të gazetës "Shqiptarja.com"
Redaksia Online
(xh.k/shqiptarja.com)