Vendin e njerëzve të letrave dhe politikës së moderuar e zunë njerëz pa asnjë vlerë politike e publike, përveçse mjeshtra të përdorimit të pushtetit për shumëfishim të pasurisë personale, të njohur për aftësinë e tyre në “qeverisjen autonome” lokale në periudha krizash të rënda sociale, të “laureuar” përmes akteve publike si individë të fortë, që ruajnë votat, i shtojnë ato dhe sigurojnë mandate partiake edhe nëse qytetarët nuk i votojnë.
Ky zhvillim e deformoi sistemin e përfaqësimit, ndaj edhe në parlamentin aktual nuk gjen më shumë se 10-15 deputetë të aftë të bëjnë debate politike, të prezantojnë një program dhe të mbrojnë me argumente një alternativë politike.
Pjesa tjetër ose është anonimë, turmë që brohoret, shan, fyen, bërtet dhe sillet siç i urdhëron shefi politik ose janë imitime të shefit, me të njëjtën gjuhë, të njëjtën sjellje, të njëjtën mimikë dhe të njëjtin produkt politik konfliktual pa dobi publike.
Për herë të parë po mbyllim një legjislaturë parlamentare me një trupë deputetësh me më pak juristë dhe profesorë sesa bodigardë, persona të njohur për skandale të dhunshme publike, skafistë apo individë me të kaluar kriminale.
Më 2005 dhe 2009 SHBA, OSBE dhe misione të tjera diplomatike u investuan direkt dhe indirekt pranë partive kryesore politike për të larguar nga listat e kandidimit elementë të tillë, kryesisht me lidhje dhe skeda korruptive dhe kriminale.
Në listën e të padëshiruarve ishin 15 kandidatë për deputetë, por asnjë prej tyre nuk u tërhoq nga partia propozuese, dhe në fund, 10 prej tyre arritën të hyjnë në parlament. Argumenti kryesor refuzues i palëve politike ishte efekti negativ në elektorat e struktura nëse tërhiqen emra që kanë investuar gjatë, që kanë financuar strukturat dhe që fitojnë mandate të sigurta.
Premtimi i tyre informal ishte i njëjtë: ata do të jenë deputetë, por nuk do të lejohen të ndikojnë në vendimmarrjet ekzekutive dhe as në vendimet e mëdha politike. Një premtim në rërë.
Sistemi aktual i përfaqësimit i dha peshë specifike çdo mandati individual, duke ia dyfishuar rëndësinë dhe peshën, dhe për pasojë, edhe ndikimin në vendimmarrjet politike dhe ekzekutive. Ata që janë në qeveri i dhanë jetë biznesit të emërimeve të parapaguara në drejtori rajonale, drejtori qyteti dhe poste të tjera publike, deri edhe në listën e asistencës sociale, efektivave të policisë apo të edukatorëve në kopshte.
Ata që janë në opozitë bënë të njëjtën gjë në njësitë lokale ku drejtojnë. Dy palët, në qeveri dhe në opozitë janë frekuentuesit kryesorë të salloneve politike, jetës mondane plot skandale dhe dhunë. Njëherësh dy palët kanë shumëfishuan të ardhurat financiare për shkak të monopolit mbi çdo projekt publik, kontrollit mbi çdo tender, imunitetit ndaj tatimeve dhe presionit për kufizimin e konkurrencës ekonomike.
Kjo është arsyeja që gjatë katër viteve nuk ka asnjë politikan të penalizuar, asnjë zyrtar të ndaluar për kurrupsion, asnjë drejtues politik të përjashtuar nga partia e tij për sjellje joetike apo akte korruptive dhe mbi të gjitha, që në asnjërën nga partitë tradicionale nuk ka më votime, as formale.
Sistemi aktual i karrierës në Shqipërinë në NATO i ngjan sistemit të dhuratave korruptive të fundshekullit XVIII në Perandorinë Otomane. Të gjithë paguajnë diçka, sa më lart karriera aq më e lartë pagesa, kush ankohet dhunohet dhe më të suksesshmit janë “më të fortët”, - ata që kanë ushtarë nën komandë, që bëjnë pjesë në oborrin e sundimtarit, që janë mbi ligjin dhe që mendojnë se gjithçka në këtë botë blihet e shitet.
Në dallim nga ky sistem denigrues dhe korruptiv përfaqësimi ndodhen nevojat e Shqipërisë për një demokraci funksionale, shtet të së drejtës, sistem të vlerave, zgjedhje të lira dhe institucionale të besueshme dhe efektive. Janë 12 raporte ndërkombëtare të dala nga Uashingtoni apo Brukseli nga tetori 2012 që theksojnë këto nevoja jetike për shoqërinë dhe shtetin shqiptar.
Janë qindra apele, këshilla dhe deklarata publike nga politikanë e institucione të huaja mike me Shqipërinë, siç janë mijëra zëra qytetarësh brenda e jashtë vendit që kërkojnë mekanizma për ti dhënë fund këtij modeli të dështuar.
Nisma e dy presidentëve është lëvizja më e re publike. Një apel fisnik, qytetar, atdhetar dhe evropian, që vjen në kohën e duhur, me tonin e duhur, edhe pse në veshin e gabuar. Sepse dy palët politike nuk kanë ndërmend të bëjnë asnjë hap reflektues.
Kur dëgjon emrat e disa kandidatëve të rinj apo emra të disa deputetëve të rikandiduar nga dy kampet politike dhe shtojca e tyre korruptive (LSI), pritshmëria dihet: kriter kryesor janë emrat që “marrin” mandate, që kanë fuqi financiare, që kanë lidhje të forta klanore dhe nderesh me “ata” që vendosin, - pra emra pa identitet politik, pa merita profesionale dhe as vlera qytetare, pa respekt për zgjedhësin dhe sistemin demokratik të votimit, pa luajalitet ndaj ideve kritike apo ideve reformatore, të gatshëm për sherr në seanca parlamentare kur u preket lideri, të gatshëm të ndryshojnë emrin e titullarit, por të ruajnë të paprekur sistemin abuziv, korruptiv dhe mesjetar të përfaqësimit.
Cila është zgjidhja? Në Itali erdhi nga revolta qytetare dhe një sistem gjyqësor kurajoz dhe antikorrupsion, në Poloni erdhi nga vetëdija politike e liderëve për të pastruar politikën nga pjesa e keqe e saj, në Greqi po shohim sesi palët bëjnë publike skandalet politike dhe distancohen ashpër ndaj tyre, në Kroaci listën e të burgosurve për korrupsion e kryeson kryeministri, në Slloveni kryetari i partisë fituese dhe sfidanti i tij kryeministër aktualisht ndodhen përpara drejtësisë për korrupsion.
Po në Shqipëri? Liderit nuk ndryshojnë dhe nuk dallojnë mes tyre. Gjyqësori është pjesë e sistemit korruptiv. Shoqëria civile nuk ka zë. Media është shtojcë e pushtetit. Vetë partitë kryesore janë firma private biznesi, në interes të shefit, familjes, besnikëve të tij. Sistemi i votimit është i mbyllur, imponues dhe jo përzgjedhës me një parlament 70% të emëruar paraprakisht.
Zgjidhja mbetet afatshkurtër: pakt politik të imponuar nga BE që kandidatët të publikojnë kartelat me raportet e tyre me organet e drejtësisë dhe zbatimit të ligjit, detyrim me ligj që partitë të bëjnë zgjedhje dhe votime të brendshme konkurruese, presion kryetarëve të partive të decentralizojnë vendimmarrjen politike si dhe zbatim real i nenit kushtetues mbi financimet politike dhe elektorale.
Nga ana tjetër, çdo alternativë e re politike që promovon sjellje e forma të reja votimit, përfaqësimi dhe administrimi, - të kundërt nga partitë e vjetra, - do ti ndihmonte realist zgjidhjes me ndikim të menjëhershëm pozitiv për periudhën para dhe sidomos paszgjedhore.
Zgjidhja mund të bëhet afatgjatë duke zgjeruar demokracinë direkte, demokracinë përfaqësuese, duke liberalizuar kandidimin e pavarur, duke ndaluar me ligj hyrjen në politikë dhe promovimin në poste të individëve me precedentë penalë, duke demokratizuar partitë dhe duke zbatuar paketën ligjore antikorrupsion (konflikti i interesit, sistemi i emërimeve në poste publike, sistemi i financimit politik, sistemi i dhuratave dhe raportit të individit me zyrat e shtetit) etj.
Mbi të gjitha një revolucion moral që bëhet, mbështetet e frymëzohet nga morali civil, qytetar dhe perëndimor i elitës së re shqiptare. Një sistem i ri përfaqësimi e vendimmarrje, jo thjesht ndryshimin e individëve në krye të tij.
Deri atëherë duhet shumë punë, vizion qytetar, kurajë civile dhe guxim politik për të folur drejt, me zë të lartë dhe pa ndrojtje, siç dëgjuam të flasin gjatë ditëve të fundit, dy presidentët shqiptarë, SHBA, BE dhe OSBE.
Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 13.02.2013
Redaskia Online
(b.m/shqiptarja.com)