Procesi i përsëritjes së votimit në tri qendrat në pjesën veriore të Mitrovicës, u zhvillua pa ndonjë incident dhe nën masa të rrepta sigurie.
Votimi është zhvilluar nën masa të rrepta sigurie, ndërkohë që para qendrave të votimit, përveç pjesëtarëve e të Policisë së Kosovës, pjesëtarëve të EULEX-it dhe KFOR-it, në afërsi kanë qëndruar edhe pjesëtarët e të ashtuquajturës “Mbrojtja civile", strukturë kjo paralele në veri, si dhe persona me veshje të zeza, të cilët nuk janë identifikuar.
Pjesëtarët e Policisë së Kosovës, EULEX-it dhe KFOR-it ishin vendosur në pozicionet, ku më 3 nëntor kishin qëndruar kundërshtuesit e zgjedhjeve.
Komandanti i KFOR-it, Salvatore Farina, i ka vizituar ushtarët e KFOR-it, të cilët kanë ndjekur votimin e përsëritur në Mitrovicën e veriut.
Në paraqitjen e orës 20:00 para mediave, kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, ka theksuar se pjesëmarrja në votime e qytetarëve në tri qendrat e votimit në Mitrovicën e veriut, deri në orën 19:00 është 22.8 për qind ose 5 mijë 231 persona me të drejtë vote, prej të cilëve 997 votues kanë votuar me kusht.
“Dalja e votuesve në tri qendrat e votimit në komunën e Mitrovicës veriore ka qenë 22,38 për qind, ose 5 mijë 231 persona me të drejtë vote, prej të cilëve 997 votues kanë votuar me kusht”, ka bërë të ditur Daka.
Megjithatë, Daka ka theksuar se ka pranuar rekomandimin e misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian që votat nuk do të numërohen në vendvotime, por në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve në Fushë Kosovë.
”Duke u bazuar në rekomandimet e OSBE-së, KQZ-ja ka marrë vendim që procedurat, pas mbylljes së vendvotimeve, të zhvillohen në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve”, ka deklaruar Daka.
Kryetarja Daka ka theksuar se të gjitha vendvotimet në të tri qendrat e votimeve janë mbyllur me kohë dhe nuk është shënuar ndonjë incident apo ndonjë raportim për ndonjë parregullsi që do ta lëndonte procesin zgjedhor.
PËRFUNDOJNË RIVOTIMET NË VERI TË MITROVICËS, NUK RAPORTOHEN INCIDENTE
Në orën 19 janë mbyllur tri qendrat e votimit në Mitrovicën e veriut, ku qytetarët kanë votuar në zgjedhjet e përsëritura.
Zgjedhjet e ditës së diel, në këtë qytet kanë kaluar pa ndonjë incident që do ta lëndonte procesin zgjedhor apo rrezikonte sigurinë e përgjithshme dhe me prani të shtuar të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, EULEX-it dhe KFOR-it.
Në pjesën veriore të Mitrovicës, të dielën në orën 7, ishin hapur tri qendrat e votimeve për zgjedhjet e përsëritura. Votimi është zhvilluar nën masa të shtuara të sigurisë, ndërkohë që para qendrave të votimit, përveç pjesëtarëve e të Policisë së Kosovës, pjesëtarëve të EULEX-it dhe KFOR-it.
Të gjithë ata ishin vendosur në pozicionet, ku më 3 nëntor kishin qëndruar kundërshtuesit e zgjedhjeve.
Qytetarët e Mitrovicës së veriut kanë zgjedhur njërin nga pesë kandidatët për të parin e komunës.
Në garë janë Kërstimir Pantiç nga Iniciativa Qytetare “Serbe”, Oliver Ivanoviç nga Iniciativa Qytetare “Srbija, demokracia, drejtësia”, Dimtrije Janiçeviç nga Partia e Pavarur Liberale, Agim Deva nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Adrijana Hoxhiç, e cila aktualisht është drejtoreshë e Zyrës së Qeverisë së Kosovës për Mitrovicën e veriut.
Ndërkaq, zëdhënësi i misionit të OSBE-së në Kosovë, Nikola Gaon, ka deklaruar se ky mision ka rekomanduar që numërimi i fletëvotimeve të zgjedhjeve të përsëritura duhet bërë në Qendrën për numërim në Prishtinë.
Kryetarja e KQZ-së, Daka ka theksuar se ky komision ka marrë vendim që të gjitha fletëvotimet të numërohen në vendvotime, përveç në rast se paraqiten probleme që rrezikojnë procesin zgjedhor dhe numërimin e votave.
Në Mitrovicën e veriut, ditën e votimeve ka qenë i pranishëm edhe Ministri pa portofol i Qeverisë së Serbisë Aleksandër Vulin. Ai është shprehur i kënaqur me zhvillimin e procesit zgjedhor.
Zgjedhjet u përsëriten për faktin se në këto tri qendra votimi, me 3 nëntor, votimi ishte ndërprerë, kur persona të maskuar sulmuan qendrat, duke thyer kutitë e votimit dhe duke dëmtuar materialin zgjedhor.
Vendimi për përsëritjen e zgjedhjeve është marrë në raundin e fundit të dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, me 6 nëntor.
Marrë nga "Radio Evropa e Lirë"
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)