TIRANË - Megjithëse në gjëndje të rëndë shëndetësore, prokurori i Krujës Haxhiu Giu është dërguar si i pandehur në gjykatë, për akuzën e korrupsionit, pasi u ka premtuar 3 personave të arrestuar për drogë, se në këmbim të 29 mijë eurove do u ndryshonte akuzat. Vendimi për dërgimin e Giut në gjykatë, është marrë pak ditë më parë nga njësia antikorrupsion.

Në dosjen e prokurorisë thuhet se një hetim për trafik droge ku kanë qënë në përgjim dy persona nga Kruja, ka hapur një dosje paralelele duke sjellë arrestimin e prokurorit të Krujës Haxhi Giu, që njihet ndryshe dhe si ish-kryetari i grupit hetimor i çështjes së hetimit të dosjes së vrasjes së ish-deputetit të PD Azem Hajdari. Giu është arrestuar pasditen e 2 dhjetorit 2015 me një vendim të njësisë antikorrupsion pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda, teksa ishte duke u kthyer nga Kruja në Tiranë.

Së bashku me prokurorin Giu në pranga e policisë ka rënë dhe shtetasi Aleks Shpori, personi që ka ndërhyrë tek prokurori duke i premtuar atij se kishte 29 mijë euro në dorë, me qëllim ndyshimin e veprës penale për vëllain e tij Paulin Shpori dhe dy persona të tjerë. Ky i fundit i arrestuar për prodhim dhe shpërndarje të një sasi prej 36 kg drogë dhe tashmë i dënuar me 8 vite heqje lirie

Nga droga tek prokurori
Hetimi që solli arrestimin e prokurorit Haxhi Giu kanë nisur kryesisht, fill pas përgjimeve që janë kryer ndaj dy personave që dyshoheshin për trafik droge. Aleks Shpori, tashmë i arrestuar së bashku me një shokun e tij kanë qënë në përgjim nga prokuroria si të dyshuar për trafik droge. Pas dyshimeve të arsyeshme pak ditë më parë, prokuroria dhe policia kanë vendosur të arrestojnë dy personat, ku brenda në makinën e tyre është gjetur një sasi prej 23 kg lëndë narkotike cannabis.

Brenda në makinë janë sekuestruar dhe 29 mijë euro. Fillimisht është menduar se këto para kanë qënë pagesa për drogën, por pas marrjes në pyetje i arrestuari Aleks Shpori, ka treguar se shumën e eurove e kishin tërhequr nga një exchange, pasi ishte parapagesa që ata kishin bërë tek prokurori i Krujës Haxhi Giu, për ndryshimin e akuzës për tre persona nga prodhim dhe shpërndarje droge në moskallëzim krimi.

Sipas Aleks Shpori, prokurori Giu i kishte premtuar se do kryente ndryshimin e akuzës, por si fillim lekët duhet të ngriheshin në një vend të sigurt, pasi në të kundërt ai nuk do merte asnjë nisme për të bërë kualifikimin e kundërt të akuzës. Ky ndryshim akuze kërkohej pasi në çështjen penale kanë qënë 5 të pandehur,ku dy janë kapur në flagrancë me 36 kg drogë dhe 3 të tjerë nuk kanë qënë me drogë në momentin e kapjes, dhe për pasojë synohej ndryshimi i akuzës, me qëllim lirimin e plotë të tyre.

Prokurori do i’a hidhte shefave
Sapo ka marrë garancinë e bllokimit të sasisë prej 29 mijë euro në një exchange në Tiranë, prokurori Haxhi Giu para se të mbyllte hetimet ndaj 5 personave dhe ti dërgonte ata në gjykatë, ka dërguar një memo tek drejtori i gjykimeve pranë Prokurorisë së Përgjithshme ku ka sqaruar pozicionin penal të secilit prej të pandehurve.

Për sa i përket 3 të pandehurve ku ishte ndërhyrë kundrejt 29 mijë eurove, prokurori propozonte që ata me veprimet e tyre ishte në kushtet e veprës penale të “Moskallëzimit të krimit” dhe jo të “Prodhimit dhe shparndarjes së lëndës narkotike”. Me këtë memo, prokurori Giu ka dashur që “qokën” për tre të rinjtë ta kryejë duke përdorur dhe firmën e shefave të tij në Prokurorinë të Përgjithme, por këta të fundit kanë refuzuar opsionet e tij.

Për pasojë ata kanë vendosur të mos marrin në konsideratë kualifikimin e akuzave dhe kanë urdhëruar prokurorin Giu që të dërgojë dosjen në gjykatë ndaj 5 të pandehurve për akuzën e “Prodhimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike” kryer në bashkëpunim. Dosja ka përfunduar në gjykatë dhe autorët janë dënuar me burg, ndërkohë që vëllai i Aleks Shporit, Paulin Shpori është dënuar me 8 vite heqje lirie.

Spiunimi. Kush e nxori emrin e prokurorit Giu në aferën korruptive
Në pamundësi për të mbyllur premtimin e dhënë dhe i pafuqishëm për t’ia hedhur shefave të tij, Haxhi Giu,ka telefonuar Aleks Shporin, që të tërhiqnin lekët nga exchange, pasi nuk mund t’i bënte punë. Në fakt ashtu ka ndodhur. Ditën kur janë tërhequr lekët, Shpori dhe shoku i tij janë arrestuar nga policia me një sasi droge në makinë, dhe brenda në mjet janë gjetur 29 mijë euro.

Fillimisht është menduar se këto para kanë qënë pagesa për drogën, por pas marrjes në pyetje i arrestuari Aleks Shpori, ka treguar se shumën e eurove e kishin tërhequr nga një exchange, pasi ishte parapagesa që ata kishin bërë tek prokurori i Krujës Haxhi Giu, për ndryshimin e akuzës për tre persona nga prodhim dhe shpërndarje droge në moskallëzim krimi.

Mund të lirohet nga burgu. Giu probleme me zemrën, 1 javë i shtruar në spital
Dy muaj nga arrestimi për akuzën e korrupsionit ish prokurori i Krujës Haxhi Giu sëmuret nga zemra dhe kërkon lirimin në gjykatë. Ndërsa për t’u shprehur mbi këtë kërkesë gjyqtari Idriz Mulkurti vendosi që më parë të kryhet një ekspertizë mjeko­ligjore për situatën shëndetësore të prokurorit nën hetim. Problemet shëndetësore janë bërë shpesh shkak që persona në paraburgim të lënë qelinë dhe të hetohen në gjendje të lirë. I tillë është edhe rasti i prokurorit të Kavajës Haxhi Giu të arrestuar për korrupsion.

Prokurori ka lënë qelinë e paraburgimit prej më shumë se një javë dhe është shtruar në spitalin e burgut për shkak të rëndimit të gjëndjes së tij shëndetësore, pasi thotë se i janë shfaqur probleme me zemrën. Në këto kushte avokati i tij Neshat Fana nuk ka ngurruar t'i kërkojë Gjykatës së Apelit revokimin e masës së sigurisë "arrest me burg" që kanë vendosur Krimet e Rënda. Me dyshimin se mund të bëhet fjalë për ndonjë "truk" për të fituar lirinë, gjykata ka kërkuar që vendimin për kërkesën e avokatit ta marrë pasi të ketë në dorë një ekspertizë që të vërtetojë problemet kardiake që pretendon prokurori.

Haxhi Giu u arrestua me 2 dhjetor 2015 për mitmarrje, pasi dyshohet se ka marrë 29 mijë euro për të ndryshuar akuzen e një të arrestuari. Vetë Giu e ka mohuar akuzën ndërsa si provë prokuroria ka përdorur pamje filmike në një exchange duke tërhequr para që implikojnë Haxhi Giun me vëllezërit e të pandehurit që hetohej prej tij.


Redaksia Online
(E.Ç./shqiptarja.com)