Përjashtimi i Nokës,Balla: PD
skenar për bllokimin e Kuvendit

Përjashtimi i Nokës,Balla: PD<br />skenar për bllokimin e Kuvendit<br>
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka folur jashtë dyerve të Kuvendit, pas ndërprerjes për pesë minuta të seancës, pasi Gramoz Ruçi përjashtoi deputetin demokrat, Flamur Noka.

Balla tha se po bëhemi dëshmitarë të një skenari të parapërgatitur, pasi në çdo seancë PD shpik një arsye për të bllokuar punimet e Kuvendit me shpërdorim deputetësh.

“Po bëhemi dëshmitar të një skenari të parapërgatitur. Në çdo seancë ku menjëherë sapo fillon seanca PD shpik një arsye për të bllokuar punimet e Kuvendit me shpërdorim deputetësh. Në seancën e kaluar u shpërdorua vetë Basha, sot Noka, që kam besimin që do jetë një shpërdorim në vijim i mandatit të besuar nga populli i Kukësit, Tropojës e Hasit në zgjedhjet e 25 qershorit. Ju  dini se ne nuk kemi kohë për të humbur, sepse shqiptarët na kanë besuar për më shumë punë. Na vjen keq që PD është kthyer në skenarët e bllokimit, që nuk i bën mirë Kuvendit”, deklaroi Balla. 

Prononcimi i plotë i Ballës:
Sot të gjithë ne si njerëz të thjeshtë e të zakonshëm të këtij vendi po bëhemi dëshmitarë të një skenari të parapërgatitur. Në çdo seancë tashmë të Kuvendit të Shqipërisë, menjëherë sapo fillon seanca Partia Demokratike shpik një arsye për të bllokuar punimet e Kuvendit, me shpërdorim të njëpasnjëshëm deputetësh. Në seancën e kaluar u shpërdorua vetë kryetari i Partisë Demokratike. Sot po shpërdorohet Flamur Noka, që kam besimin se do jetë një shpërdorim në vijim i mandatit të besuar nga populli i Kukësit, Tropojës e Hasit në zgjedhjet e 25 Qershorit. Por ju të gjithë e dini që ne nuk kemi kohë për të humbur, sepse shqiptarët na kanë besuar Shqipërinë që duam, për më shumë punë, mirëqenie dhe shtet. 

Na vjen keq që Partia Demokratike është rikthyer në të njëjtët skenarë antiparlamentarë; një bllokim i cili nuk i bën mirë Kuvendit të Shqipërisë, po të kemi parasysh dy çështje shumë të rëndësishme që diskutohen sot. Së pari është ligji për Pakicat Kombëtare i cili, duhet ta sqaroj për të gjithë, ka kaluar përmes një konsensusi të plotë nga Partia Demokratike, nga Lëvizja Socialiste për Integrim; sigurisht me një punë shumë efikase të anëtarëve të Komisioneve të Jashtme e të Çështjeve Ligjore nga ana e Partisë Socialiste dhe me një punë, as një, as dy, por mbi trevjeçare të Ministrisë tonë të Jashtme së bashku me Ministrinë e Brendshme, së bashku me Ministrinë e Drejtësisë. 

Gjithë kjo histori që kulmoi me mbërritjen e liderit historik të Partisë Demokratike,- i cili i udhëzoi deputetët e PD-së të pushtojnë foltoren pasi e kishte pushtuar Lulzim Basha javë më parë,- është e papranueshme. Por nuk kemi çfarë t’i bëjmë, kështu e lexon PD votën e 25 Qershorit. Ne e lexojmë tërësisht ndryshe votën e 25 Qershorit: jemi këtu për t’u shërbyer qytetarëve shqiptarë.

Z. Balla si e lexoni ju Rregulloren, a ka ajo ndonjë ndalesë për ta marrë fjalën për procedurë përnjë deputet të caktuar?

Të gjithë e dimë që fjala për procedurë jepet, por në momentin që deputeti i cili ka radhën e diskutantit është në foltore, fjala prevalon për deputetin që është në foltore. Menjëherë më pas, pasi deputeti është në foltore e mbaron fjalën e tij, fjala i jepet menjëherë atij që ka kërkuar procedurë. Por është fyese ndaj një deputeti të ri por me një eksperiencë të madhe si profesor, zotit Shezai Rrokaj t’i shkojë një uzurpant dhe një deputet si Flamur Noka, e t’i thotë: “Ti duhet të largohesh se këtu do e marr unë fjalën”.

Këto historia,- “kjo është tokë e xanun” dhe “unë do të zë fjalën këtu se më ka dhënë urdhër Sali Berisha që të bllokoj seancën bashkë me Lulzim Bashën,”– nuk mund të vazhdojnë. Kjo është e papranueshme. Për të mos thënë pastaj që të gjitha fjalët fyese të përdorura nga Flamur Noka, përkundrejt drejtuesit të seancës apo përkundrejt Këshillit të Ministrave, janë çështje që Byroja e Kuvendit do t’i shqyrtojë. Është e domosdoshme që praktika tashmë e konsoliduar, e iniciuar nga z. Ruçi si Kryetar Kuvendi për respektimin fjalë për fjalë e gërmë për gërmë të rregullores të zbatohen edhe në këtë rast. U bë një përjashtim seancën e kaluar për deputetin e ri Lulzim Basha, por jo për deputetin me më shumë eksperiencë Flamur Noka.

Zoti Balla, Flamur Noka pretendon që Kryeministri ka ofenduar ish kryeministrin duke e quajtur “të rrjedhur”. A është etike që kryeministri të flasë pa mikrofon dhe t’i drejtohet me fjalë fyese Partisë Demokratike? Të paktën burime nga Partia Demokratike këtë pretendojnë.

Burimet e PD duhen pastruar, sepse kam frikë se furnizohen me ujë jo të pastër. E dyta, Rregullorja e Kuvendit në çdo rast e ka të parashikuar se si funksionon. Rregulloren e Kuvendit nuk e imponon dot asnjë deputet i Partisë Demokratike. Në rastin më të parë që deputetët e Partisë Demokratike do të kishin një ankesë në lidhje me respektimin e rregullores nga ana e Kryetarit të Kuvendit, gjithçka bëhet sipas procedurës, sipas neneve 63, 64, 65 të Rregullores së Kuvendit. Çdo grup prej 7 deputetësh rezervon të drejtën t’i drejtohet Byrosë së Kuvendit, kur mendon që një deputet i caktuar apo një anëtar i Këshillit të Ministrave mund të ketë përdorur fjalë fyese. Ky është një skenar i parapërgatitur. Në seancën e kaluar u shpërdorua deputeti Lulzim Basha, ndërsa sot po shpërdorohet deputeti Flamur Noka. Të jeni të sigurt që të enjten e ardhshme apo kur të kemi seancën tjetër do të shpërdorohet një deputet tjetër në funksion të një skenari të parapërgatitur.

A është etike që kryeministri të flasë pa mikrofon dhe të ofendojë opozitën?

Më falni, ju ishit në sallë? Atëherë, kur të jeni në sallë dhe kur të jeni këtu në një takim me mediat, duhet të kuptoni që çdo deputet nuk ka të drejtë të uzurpojë foltoren e Kuvendit. Ka mekanizma parlamentare që sapo jua thashë dhe sapo jua shpjegova: duhet që çdo deputet, përmes grupit të tij parlamentar, t’ia adresojë Byrosë së Kuvendit. Se kush ka gabim e kush ka të drejtë, nuk e cakton çdo deputet, por e cakton Byroja e Kuvendit apo instancat e tjera të strukturës vendimmarrëse të Kuvendit.

Redaksia Online
D.Ç./Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Skandali tek Onkologjiku, a duhet hetimet të shkojnë përtej mjekëve?



×

Lajmi i fundit

Çfarë pritet nga zgjedhjet në Mbretërinë e Bashkuar?

Çfarë pritet nga zgjedhjet në Mbretërinë e Bashkuar?