Restaurimi dhe ridublimi i filmit Skënderbeu, padyshim një nga ikonat e filmit shqiptar, ndonëse ka qenë një prodhim i përbashkët, shqiptaro-sovjetik, në vitin 1953, po përcillet me fanafara të papame, nga ata që po rreken që të prezantojnë idenë e restaurimit, si një kulm, madje sikur të ishte fjala për një filmi.ë ri, prodhuar enkas në këtë periudhë, në kuadrin e 100 vjetorit të Pavarësisë. Në rrethanat që filmi i parë, pra prodhimi i dikurshëm, për shkaqe të ndryshme, ka shumë mundësi që të jetë dëmtuar gjatë kohëpërdorimit, se përndryshe nuk kishte shkaqe të mjaftueshme për ta marrë përsipër këtë ndërhyrje, aq më tepër për të shpenzuar jo pak para MTKRS, dikasteri qëndror i kulturës, e mandej për të hyrë, krejt shkujdesshëm në betejën mediatike se më këtë akt kemi arritur një sukses të jashtëzakonshëm. Krahas restaurimit të filmit, gjithnjë simbas burimeve të ndërhyrsve restauratorë të filmit, është realizuar edhe ridublimi, pra jo se nuk ka patur dikur, por mbase është humbur ngjyresa e dublimit të parë.

Restaurimi, si proces ndërhyrës, së paku nisur nga teoria dhe praktika e restaurimit të monumenteve të kulturës, ma do mendja që edhe filmi për Skënderbeun, vetiu që hyn në monumentet e kulturës shpirtërore, ka si thelb ndërhyrjen rregulluese dhe restauruese, por njëherit duke ruajtur vlerat unike të monumentit. Në këtë rast klasik të restaurimit, gjithnjë simbas teoritikës së restaurimit, nuk është normale që një ndërtesë {kështjellë} me gur të restaurohet duke u zëvendësuar më tullat e bardha të Vorës. Thelbi i restaurimit, duket se qëndron në ruajtjen e asaj shenje që është unike, e cila duhet bërë çdo përpjekje e mundshme për ta ruajtur, vlerën e përveçme dhe të papërsëritshme të saj.

Me filmin mbi Skënderbeun, siç po thuhet me krenari të habitshme, përveç restaurimit dhe ridublimit, që me sa duket ishte i pashmangshëm, për arsye të dëmtimeve nga përdorimi në kohë, është kryer edhe një ndryshim, thelbësor dhe letrar, që në njëfarë mënyre e ka tjetërsuar filmin e parë, pamëdyshje emblemë e skalitjes së Gjergj Kastriot Skënderbeut. Ideatori dhe regjizori, i restaurim-ndryshimit të gjuhës së personazheve, Piro Milkani, simbas një pohimi të bërë në gazetën Mapo të datës 4 dhjetor 2012, ndër të tjera thekson: Skënderbeu është dubluar në gjuhën letrare dhe kjo, sipas regjisorit Milkani është më se e domosdoshme, sepse gjuha ka evoluar që nga viti 1953 dhe filmi u përket të gjithëve. Pra, nisur këtu nga konceptet, ndërhyrës dhe restaurues, duket se kemi të bëjmë me dublim dhe jo me ridublim, kryesisht dhe vetëm për shkak të dëmtimeve.

Dhe, duke vazhduar në logjikën e dublimit, në fakt kemi të pranishëm, një ndryshim thelbësor, të mënyrës së të folmes së personazheve. Kuptohet se procesi i restaurimit ka patur si lartsynim, parak dhe thelbësor, dublimin nga e para, pra ndryshimin më çdo kusht të ligjërimit të personazheve. Pikërisht, këtu shfaqet problemi, sepse tanimë qartësohemi se më tepër kemi të bëjmë me një qasje për të ndryshuar dialogun e personazheve, nga gegnishte ato duhet të flasin, sipas shijes së restauratorëve, tashmë në gjuhën letrare, sepse filmi deri më tani nuk u paskërka përkitur të gjithë shqiptarëve. Ndryshimi i gjuhës së personazheve, në parimet e restaurimit, të shpie në humbjen e unikes dhe kjo quhet shkelje, prishje e vlerës së mëparshme, humbje e përgjithmonshme e vlerës unike të veprës. Madje, për të vijuar në pasojat e krijuara, prej dijes dhe ngajses së paragjykimit, problemi i restaurimit të filmit, tanimë lidhet me një situatë të re, të përkthimit nga shqipja në shqipe, me synimin fshirjen e gegnishtes. Dija shkencore e linguistikës, klasike dhe moderne, na thotë se gegnishtja është variant i gjuhës shqipe, që zë fill qysh me Mesharin e Buzukut, në vitin 1555, e në vijim është një variant që shkruhet dhe flitet, pashkëputshëm në hapësirat dërrmuese të trojeve shqiptare.

Lidhja e shkurtër, më e pakta fjalë që mundet të thuhet në këtë rast, kur flitet për restaurimin, e në fakt më tepër është realizuar ndryshimi, në të folmen e personazheve, madje një ndryshim i madh, në masën e vetë, i pavend dhe paragjykues, sepse as vetë Kongresi i Drejtshkrimit i vitit 1972, që synon standardizimin dhe jo ndalimin e ligjërimit letrar të varianteve të ndryshme, së paku në letërsi, as atëherë nuk e ka çuar nëpër mendje asnjëri nga firmatarët, mbylljen në muze të gegnishtes. Rrethanat e lirisë dhe të diversitetit, politik dhe fetar, gjuhësor dhe letrar, nuk lënë hapësira për të saknsionuar paragjykimin, qoftë edhe nga figura të njohura të filmit shqiptar.

Aq më tepër që në dilogun e personazheve, të cilët dihet se bartin koloritin e kohës, të hapësirës, madje edhe të marrëdhënieve kur dialektet {arbërishte, toskërishte, gegnishte} nuk ishin tejlarguar, duket krejt absurde vënia në gojën e aktorëve, të fjalëve të ligjërimit modern, pra duke humbur jo pak nga ndërlidhja me kohën dhe hapësirën. Ata, ideatorët e përkthimit nga shqipja e gegnishtes në shqipen e standardit, nëse do të kishin frymëzimin e nevojshëm, le t`ia hynin realizimit të një filmi të ri, e jo të shartonin mollët me kungullin. Pas logjikës së tyre, të ndryshimit jo të bazuar shkencërisht artistikisht, duhet përkthyer Buzuku, Fishta, Mjeda, Migjeni, Gurakuqi, Shiroka, Camaj, De Rada, Skiroi, Serembe, Pipa, Pashku etj. , simbas gjuhës letrare, sepse gjuha jonë ka evoluar. Në të gjitha anët që ta kapësh çështjen, ka një thelb të pa kundërshtueshëm, arti i fjalës, ku përfshihet edhe dialogu, që bashkëshoqëron elmentët e tjerë filmikë, është gjuhë autoriale, pra e pandryshueshme, sepse është unike dhe specifike. Restaurimi, dublimi i ri, si dhe ndryshimi i ligjërimit të personazheve, është shoqëruar me pasurimin e teknikave të reja, siç është kalimi në HD, por që duket se ka bjerrë vlerat unike të filmit Skënderbeu, i cili është gdhendur në kujtesën e të gjithë shqiptarëve, për madhështinë e heroit, por edhe për ngjyresat filmike, që buron edhe nga ligjërimit koloristik, kohor, hapësinor dhe tipologjik i protagonistëve të motit të madh, si dhe të filmit që ka në qendër atë kohë.

Shkrimi u publikua sot në gazetën Shqiptarja.com(print), 8 dhjetor 2012
(ad.ti/shqiptarja.com)