Përkujtohet 25-vjetori i rivendosjes së
marrëdhënieve diplomatike me SHBA

25-vjetori i rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike Shqipëri-SHBA është përkujtuar sot me një aktivitet të zhvilluar në ambientet e Qendrës kulturore “Tulla”, me pjesëmarrjen e të rinjve shqiptarë. 

Në aktivitetin e zhvilluar nga ministria e Jashtme dhe ambasada e SHBA-ve, kryediplomati shqiptar Ditmir Bushati dhe ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu, u ndalën në marrëdhëniet mes dy vendeve.

Bushati theksoi se shqiptarët ndajnë me Shtetet e Bashkuara një histori të re të marrëdhënieve shumë të ngushta, të cilat në prill të vitit 2015 morën një hov të ri, përmes nënshkrimit të Deklaratës së Partneritetit Strategjik në Uashington.

Ai deklaroi se ky është një dokument që pasqyron partneritetin mes dy shteteve në tre plane: partneritet për çështjet globale, çështjet rajonale dhe agjendën dypalëshe–dialogu politik, siguria, forcimi i shtetit të së drejtës në Shqipëri, zhvillimi ekonomik, siguria energjetike dhe shkëmbimet arsimore-kulturore.

Ky dokument ka përcaktuar mirë standardet për zgjerimin dhe thellimin e bashkëpunimit tonë në dekadën e ardhshme, shtoi ministri.

Ndërsa, ambasadori Lu tha se si partnerë strategjikë, Shqipëria dhe SHBA-të bashkëveprojnë në fronte e misione të rëndësishme ndërkombëtare dhe bashkëndajnë sfidat e sigurisë në planin rajonal dhe global. 

25-vjetori i rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike u përcoll në këtë aktivitet edhe përmes shfaqjes së dokumenteve historike.

Redakia Online
(m.b/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

Ishte duke prerë dru bashkë me djalin, plagoset aksidentalisht 59-vjeçari