TIRANE - Zyra e Përmbarimit të Tiranës ka nxjerrë nga banesat, rreth 17 familje në rrugën "Siri Kodra", të cilat strehoheshin në banesat e ish-pronarëve. Ndërmjet banorëve dhe përmbaruesve, që zbatonin urdhrin për daljen nga banesat të familjarëve, ka pasur debat dhe tension. Familja që ka lënë e para banesën ka qenë familja e Kujtim Kolës, pasi kjo familje e kishte humbur gjyqin me pronarin e truallit Ardi Prifti.

Por veç largimit nga banesa të Kujtim Kolës, Zyra e Përmbarimit ka dhënë urdhër që edhe banesat e tjera që ndodheshin pranë asaj të familjes Kola të dëmtohen. Fakt ky që ka degjeneruar në dhunë verbale dhe fizike  midis banorëve dhe Zyrës së Përmbarimit. Në vendngjarje ka qenë e pranishme edhe Policia e Rendit, të cilët kanë tentuar të qetësojnë konfliktin midis familjarëve dhe pronarëve.

Kujtim Kola, kryefamiljari që tani ka mbetur i pastrehë thotë se “ Unë e  kisha humbur gjyqin dhe ne kemi dalë vetë me vullnetin tonë. Por çështja është se këta kanë dëmtuar edhe banorët e tjerë, që ende janë në proces gjyqësor” thotë Kola. Po sipas banorëve para dy ditësh pronarit që i është dhënë trualli ka ardhur dhe ka prishur muret dhe oborrin e banesave të tjera.

“Më kanë prishur të gjithë murin e shtëpisë dhe oborrin. Këtu janë krahët e mi, janë lekët e mija, asnjë nuk mund të më kthejë dëmin që më është bërë. Këta kanë ardhur këtu pa asnjë vendim dhe më kanë prishur të gjithë oborrin. Ku mund ta kërkoj unë të drejtën” thotë një nga banorët e dëmtuar. Po sipas banorëve që u janë dëmtuar banesat në kohën që ka ndërhyrë fadroma, policia  nuk ka marrë asnjë masë për ta ndaluar.

“Policia ka qenë këtu kur na është prishur muri dhe nuk ka ndërhyra fare. Sot na prishën oborrin dhe murin, nesër na vijnë na prishin shtëpinë. Kur nuk kemi mbrojtje nga shteti, nga kush do kemi” ankohen familjarët e banesave të dëmtuara. Sipas banorëve godina ku ata jetojnë aktualisht ka qenë magazinë më parë dhe u janë dhënë për banim disa ish-punëtorëve që punonin në magazina.

“Unë kam 30 vite që jetoj në këtë banesë, atëherë ja kanë dhënë burrit, sepse punonte në magazinë. Si mund të dalim ne tani? Kemi vite që jetojmë këtu” thotë një nga banoret. Ndërsa Ardi Prifit, pronari i truallit thotë se “ Unë jam pronar i ligjshëm i godinës dhe këtë e kam fituar me vendim gjykate.

Prandaj këtu dua të marrë pronën time” shprehet prifti. Godina ku banojnë 17 familjet kërkohet t'u kthehet ish-pronarëve sipas aktit normativ të miratuar nga Qeveria për kthimin e godinave të ish pronarëve. Që nga koha kur ka dalë akti normativ i Qeverisë për kthim të pronave te ish-pronarët, Zyra e Përmbarimit, ka nxjerrë shumë familje nga banesat e tyre.

Sipas aktit normativ familjet e pastreha kanë të drejtë të marrin kredi të zbutur ose të përfitojnë banesa sociale. Nëse qiramarrësi nuk liron pronën, pronari ose përfaqësuesi ligjor i tij i dërgon njoftim Entit Kombëtar të Banesave.

VJOLLCA KOLA: KEMI NJOFTUAR TË GJITHA INSTITUCIONET, ASKUSH S’NA KA NDIHMUAR

Vjollca Kola është e para nga familjet që është nxjerrë jashtë nga Zyra e Përmbarimit Tiranë, pasi gjykata nuk e ka cilësuar bashkëshortin e saj pronar të banesës ku ata jetonin. Familja e Vjlllcës ka gati 15 vjet që jeton aty, por tani ajo është e detyruar të dalë jashtë, duke mbetur në rrugë të madhe.

Vjollca është nënë e dy djemve, më të madhit 17 vjeç dhe tjetrit 9 vjeç. “Kemi 15 vite që i bëjmë kërkesë Ministrisë së Ekonomisë dhe privatizimit, për përfshirjen e 15 familjeve, në ankand. Shteti nuk mori parasysh asgjë” thote Vjollca. Ajo tregon se është 4 veta në familje dhe tani nuk kanë ku të shkojnë “Ne jemi 4 veta në familje.

Kemi njoftuar të gjitha instancat shtetërore dhe absolutisht askush nuk ka marrë masa për të na ndihmuar dhe të na kthejë një përgjigje. Shteti na hodhi në rrugë të madhe, nuk e dimë ku do shkojmë”. Ajo tregon se  nuk mund të përfitojnë edhe nga mundësia për të marrë kredi të zbutur për shkak të kushteve ekonomike.

Vjollca me lot në sy tregon së është nëna e dy fëmijëve, ku njërin prej tyre e ka të sëmurë dhe e kuron nga tumori. “Kam dy fëmijë djali i madh është 17 vjeç, kurs tjetri është 9 vjeç dhe është i sëmurë me tumor” tregon Vjollca. Familja Kola tashmë është lënë në rrugë dhe pa asnjë vend ku të strehohet, e vetmja mundesi për ta për pak ditë janë fqinjët e tyre.

BANORËT: NA PRISHËN SHTËPITË PA VENDIM

Banesa e Viktorë Gjikës është një nga  shtëpitë e dëmtuara, nga Zyra e Përmbarimit edhe pse Gjika është në proces gjyqësor, pasi vendimi është pezulluar dhe çështja është në rishqyrtim. Sipas Viktor Gjikës, banesa e tij është dëmtuar për ti bërë presion, pasi ata nuk mund të ndalin pa një vendim gjykate.

Bonorët e godinës në rrugën “Siri Kodra”, ku jetojnë mbi 15 familje  kanë gati 6 vite që janë në proces gjyqësor me pronarin e truallit. Sipas tyre pronari nuk e ka marrë këtë truall në mënyrë të rregullt. Por familja e Viktor Gjikës, duket se nuk është e vetmja, që është dëmtuar nga fadromat e sjella në mënyrë private nga pronari, edhe banesa të tjera janë dëmtuar, ndonëse ende nuk ka një vendim gjykate që ata të dalin nga shtëpitë e tyre.

Banorët thonë se kanë vite që jetojnë këtu dhe nuk mund të dalin kështu, pasi ata kanë bërë gjithë atë mundim për të ndërtuar dhe mirëmbajtur këto banesa. Viktor Gjika në pronën e dëmtuar na tregon se si ja kanë shkatërruar hyrjen e shtëpisë, pa e pyetur fare dhe pa zbatuar vedimin e gjykatës.

Juve jua u kanë dëmtuar shtëpinë?
Po. Ma kanë prishur pa më pyetur fare. Jemi dakord që të zbatohet ligji, por jo në këtë formë. Sipërfaqja prej 24 metra katrorë, në pronësi të Viktor Gjikës, me një mur rrethues. Kjo sipas vendimit të gjykatës.

Me cfarë jua u kanë dëmtuar banesën?
Kanë ardhur me mjete private, dhe në prani të Policisë së Shtetit, u them që jam në proces gjyqësor. Është pezulluar vendimi i Përmbarimit dhe jemi në pritje të rishqyrtimit të çështjes. Kam edhe vendimin e Gjykatës së Lartë që thotë prerë pezullimin e vendimit të Përmbarimit. Kemi 6 vjet që e kemi ndjekur këtë çështje.

Sa vite keni që jetoni këtu?
Kemi 20-30 vjet në këto banesa. Pronari pretendon që ja ka blerë pronarit italian 40 mijë euro në vitn 1997 gjatë kohës së rrëmujave.

Ju keni bërë keni bërë ndonjë bisedë me pronari e truallit?
Kemi takuar këtë që pretendon të jetë pronari, pimë kafe me të. E lamë që pas vitit të ri të blinim tokën bashkarisht. Në 4 janar e takoj dhe më thotë që nuk janë dakord vëllezërit dhe nuk do ti përmbahej paktit që kishim bërë. I vetmi pretendim i imi është si mund të nxirren nga banesat familjet që kanë dokumente të rregullta dhe Gjykata nuk ka dhënë një vendim ende. Gjykata e Lartë ka pezulluar vendimin e Përmbarimit. Si mundet të ekzekutohet një urdhër që është pezulluar? A ishte e nevojshme që të vinin kaq shumë policë për të nxjerrë një familje nga banesa e ligjshme e tyre?

Kush ka tentuar tu nxjerrë jashtë?
Përmbaruesi privat urdhëroi policinë që të më nxirrte mua nga banesa. Policia e Shtetit është në mbështetje të Përmbarimit, dhe jo të ekzekutojë urdhërat e tij i cili nuk denjon as të tregojë dokumentin ku është urdhër ekzekutimi.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 27.03.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)