SHKODER- Edhe pse reshjet e shiut kanë pushuar, banorët e fshatit Obot janë të izoluar nga pjesa tjetër e vendit pasi uji në aksin që të çon në këtë fshat është e përmbytur ndërsa uji arrin deri në mbi 2 metër. Për tu futur në këtë fshat duhet të hipësh në njërën nga varkat e ankoruara të FNSH- së pranë aksit nacional Shkodër- Muriqan.

Uji tashmë ka arritur mbi 2 metër ndërsa përgjatë gjithë fushave vëren lehtësisht banorët e Obotit të cilët me mjete lundruese shikojnë nga afër dëmet e shkaktuara. Pas afro 10 minutash lundrim arrijmë në fshatin e Obotit i cili është plotësisht i izoluar. Brenda në fshat ka prani të konsiderueshme uji ndërsa 5 banesa janë të përmbytura dhe dhjetra të tjera janë të izoluara.

Dëmet në bujqësi sipas banorëve janë të pallogaritshme. E në mesin e banorëve është edhe një grua rreth të 40 vjeçe, të cilës i afrohemi për ta pyetur mbi situatën por kur nis e tregon i mbushën sytë me lot.

Djana Lohja, banore e Obotit sapo kishte marrë një kredi prej 5 milionësh për ngritjen e serës të cilën e kishte mbjedhë me speca mirëpo vërshimi i ujrave të Bunës pas shkarkimeve i ka shkatërruar cdo gjë. Në mes lotësh Lohja thekson se: “Përveç dëmit të shkaktuar tashmë do me duhet të përballem me pagimin e kredisë që do e laja pasi të merrja prodhimin, mirëpo uji më shkatërroi gjithçka. Nuk e di ku t’i marr lekët.

Po na shkatërrohet cdo gja pothuase çdo vit.” Ndërkohë kryeplaku i zonës Rrok Çukaj deklaron se “dëmët janë shumë të mëdha sidomos në bujqësi, pasi pothuajse të gjitha tokat janë mbjedhur dhe serat kanë qënë duke u përgatitur për prodhim, mirëpo uji i mori para.”

“Dëme të mëdha kemi edhe në pëmet dekorative pasi një pjesë e madhe e banorëve i kultivojnë.” Nga ana tjetër krykomunari i Anës së Malit, Xhevat Mollca shprehet se situata paraqitet problematike në këtë komunë e cila ka mbi 1 400 ha nën ujë ndërsa dëmet janë të mëdha. “Kemi 5 banesa të përmbytura ndërsa dhjetra të tjera të izoluara. Shpresojmë që të mos kemi reshje të shumta dhe mbi të gjitha shkarkime pasi tashmë pas tokave mund tu përmbyten edhe banesat.”- thekson Mollca.

Nga ana tjetërt kryekomunari bën të ditur se përveç prefektes askush nuk është kujtuar për këtë zonë. Pas dëmeve në sera dhe në tokat e mbjella nga përmbytja ekonomia e këtij fshati ka rënë përtokë dhe duhet filluar gjithçka nga zero.

E ndërkohë në komunën e Anës së Malit ka probleme të mëdha edhe në fshatin e Goricës, fshat ky i izoluar pasi uji ka kaluar mbi rrugë duke bllokuar qarkullimin. Ndërkohë forcat e ndërhyrjes së shpejtë janë në gatishmëri për ndërhyrje të menjëhershme në rast të ndonjë emergjence nga këto dy fshatra. E ndërkohë banorët mbesin me shpresën se reshjet nuk do të rikthehen e mbi të gjitha shkarkimet nuk do shtohen.