Kreu i PD, Lulzim Basha ka reaguar pas përmbytjeve në Laç duke akuzuar qeverinë për cilësinë e investimeve.
 
Kryeopozitari shprehet se qytetarët janë braktisur nga kjo qeveri e papërgjegjshme që kujtohet për ta vetëm për t'ju marrë votën.
 
Basha i shpreh ngushëllimet familjes së 48-vjeçarit që humbi jetën, ndërsa i bën thirrje qeverisë që të marrë situatën në dorë.
 
"Ndërkohë që Edi Rama rrihte gjoksin për suksese imagjinare, qindra familje te Lacit dhe Fushë Krujës u lanë në mëshirë të fatit.
 
Këto janë investimet e rilindjes: me shiun e parë qytetet përmbyten, shtëpitë e bizneset po ashtu.
 
Qytetarët janë braktisur nga kjo qeveri e papërgjegjshme që kujtohet për ta vetëm për t'ju marrë votën.
 
Fatkeqësisht përmbytjet mbrëmë shkaktuan një tjetër viktimë, ashtu si edhe një vit më parë.
 
Duke shprehur ngushëllimet për familjen e Kol Mengës që humbi jetën tragjikisht për shkak të përmbytjeve, i bej thirrje qeverisë të lerë propagandën dhe të marrë në dorë situatën për të ndalur cdo fatkeqësi tjetër dhe për t'ju ardhur në ndihmë banoreve të goditur
" shprehet ai.
 
Nga përmbytjet në Laç humbi jetën një person, 6 familje u evakuuan, ndërsa 50 banesa dhe 1500 ha janë në ujë.