Fier dhe Vlorë
Edhe pse kanë nisur reshjet e borës, veriu i vendit duket më i qetë, ndërsa shumë problematike situata është në jug të vendit, ku lumi Vjosa ka vendosur në ujë disa fshatra të Fierit dhe Vlorës.
Sipas raportimeve më të fundit ka të dhëna se Vjosa ka nisur të tërhiqet, por përsëri prezenca e ujit është shumë e madhe dhe vetëm ditën e nesërme pritet që lumi të kthehet në shtratin e vetë. Zona e Novoselës, në Vlorë dhe të gjithë fshatrat që shtrihen në Jug të Fierit janë të përmbytura.
Në Fier janë përmbytur të paktën 333 banesa, ndërsa rrezikohen 250 të tjera në të gjithë qarkun. Janë evakuuar 70 familje nga Emergjencat Civile, dy persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore. Në total raportohet për 3500 hektarë tokë të përmbytura në Fier.
Situata ka qenë e rëndë edhe në Sarandë, ku një familje me një person të sëmurë u përpoq të kalonte lumin me zetor, dhe me ndihmën e policisë shpëtoi nga rrjedha e lumit. Në Delvinë një furgon me pasagjerë ka ngelur me rrotat në ajër, teksa rruga është shkëputur.
Berat
Në Berat disa familje janë përmbytur, por fatmirësisht nuk ka pasur rrezik për jetën e banorëve.
GJirokastër
Kritike situata ka qene edhe në rrethin e Gjirokastrës. Në fshatin Zhulas nga rrëshqitja e dherash është bllokuar rruga, duke izoluar më shumë se 800 banorë. Në Dropull janë shembur tre ura duke sjellë bllokimin e 7 fshatra të kësaj zone.
Korçë
Në qarkun Korçë më problematike ngelet situata në Maliq me disa toka nën ujë, dëmtime të vogla në banesa, ndërsa është rrëzuar një urë që lidh banorët e Liqenasit.
Durrës
Në Shijak, lumi Erzen ka dëmtuar më shumë se 80 banesa dhe janë evakuar 50 familje.
Situata ngelet mjaft e vështirë në Fushë-Krujë. Lumi Zezë është kthyer në shtrat, por ka lënë pas pasoja katastrofike.
Tiranë
Në Tiranë, nuk raportohen me problem ndërsa vijohet me rikuperimi e dëmeve në aksin Tiranë-Durrës si dhe dhjetëra familje të vendosura nën ujë në zonën e Valiasit.
Lezhë e Shkodër
Në qarkun e Lezhës dhe Shkodrës situata është e qetë, pasi kasakadat e Drinit në Koman e Fierzë janë poshtë nivelit kritike dhe digat nuk janë hapur që mund të rrezikojnë këto dy qarqe.
Kukës dhe Dibër
Qarku i Kukësit nuk është prekur nga reshjet e shiut, por dëbora ka arritur disa centimetra. Akset janë deri tani të kalueshme. Në qarkun Dibër nuk raportohen probleme.
Redaksia Online
J.Sh shqiptarja.com