Kreu i Bashkisë më të madhe në vend pohoi se thirrur Shtabin e Emergjencës për të diskutuar mbi situatën dhe masat e nevojshme që duhen marrë, ndërsa shtoi se në terren janë dërguar “punonjësit e Ndërmarrjes nr. 1 dhe 2 të Ujësjellës – Kanalizimeve, operatorët e pastrimit, punonjësit e Policisë Bashkiake, inspektorët e Inspektoriatit të Ndërtimit etj, me qëllim rikthimin e situatës në normalitet dhe minimizimin e pasojave nga vërshimi i ujit”.
Në një njoftim për shtyp të Bashkisë së Tiranës, theksohet se Basha ka ndjekur personalisht nga afër situatën në disa prej zonave më problematike, si tek “Don Bosko”, në Shkozë e në Qytetin e Nxënësve.
Kreu i Bashkisë së Tiranës deklaroi gjithashtu se grupi i punës “ka marrë udhëzime për të monitoruar situatën nga afër, pasi edhe në tre ditët e ardhshme, rreshjet do të vazhdojnë të jenë të larta, deri në 60 mm shi, një sasi e madhe rreshjesh për qytetin e Tiranës”.
Prononcimi i plotë i Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha:
“Situata është nën kontroll. Rreshjet e sotme kanë përmbytur disa pika të nxehta të Tiranës, siç është rruga “Don Bosko”, kanë shkaktuar dëm në argjinaturën e Lanës, tek ura e Shkozës si dhe kanë shkaktuar përmbytje të përkohshme në disa pika të tjera të qytetit por për momentin nuk kemi lajmërime për dëme të mëdha apo për futje uji në prona private. Aktualisht, grupi i punës po punon për eleminimin e pasojave të rreshjeve aktuale, në dy pika të qytetit, ndërkohë që ka marrë udhëzime për të monitoruar situatën nga afër, pasi edhe në tre ditët e ardhshme, rreshjet do të vazhdojnë të jenë të larta, deri në 60 mm shi, një sasi e madhe rreshjesh për qytetin e Tiranës.
Dua të theksoj se pastrimi i shtratit të Lanës nga Bashkia e Tiranës ka dhënë një impakt pozitiv, duke eleminuar përmbytjet që ndodhnin gjithnjë tek zona e Pallatit me Shigjeta dhe pjesa tjetër, ndërkohë që në një situatë të tillë do të ishin përmbytur me sasi të mëdha ujore. Kjo situatë normale në këtë zonë, e cila deri dje ka qenë tejet problematike, na ka lënë dorë të lirë, për tu fokusuar në zonat e tjera problematike siç është “Don Bosko”.
Situata e “Don Boskos” ka të bëjë me një investim të gabuar, pra kolektori është ndërtuar pa pjerrësinë e nevojshme. Ne kryem një ndërhyrje emergjente vitin e kaluar, për të përmirësuar pjerrësinë dhe kjo solli një ndryshim, sa i përket situatës tek “Don Bosko”, por nuk është zgjidhja përfundimtare. Për këtë arsye, para një muaji, Ujësjellësi ka angazhuar kontraktorë, për të ndërtuar një kolektor të ri, që është një mëkat, pasi është shpenzim i dyfishtë, por kështu është kur punët bëhen pa cilësi. Unë besoj se kolektori i ri i “Don Boskos” do të jetë në funksionim brenda 4-5 muajve të ardhshëm dhe në këtë mënyrë do të zgjidhet edhe çështja e përmbytjes në 90% të itenerarit të rrugës “Don Bosko”.
Në Shkozë kemi një tjetër situatë, ku niveli i Lanës është më i lartë në situatë të tillë reshjesh, se sa kuota e kolektorit e cila sjell vërshimin e ujërave të zeza në oborret e 10 apo 12 banesave. Unë isha personalisht atje, për të parë situatën. Ne po dislokojmë mjetet e Ujësjellës-Kanalizimeve, për të pastruar shtratin e Lanës aty dhe për të ndërtuar një argjinaturë të përkohshme, ndërkohë që në një periudhë afatgjatë, aty do të sistemohet shtrati i Lanës, siç është sistemuar edhe në pjesën tjetër, tek “Koço Glozheni”.
Situata e përmbytjeve në qytet është minimale dhe nën kontroll dhe ne do të vazhdojmë të monitorojmë çdo cep të qytetit, duke marrë sipas rastit masat e nevojshme”.