Gjendja e rëndë e krijuar në shumicën e qyteteve të vendit nga reshjet e jashtëzakonshme nuk janë fenomen i ri dhe as i programuar. Ndodhin kudo, kanë ndodhur në Shqipëri periodikisht çdo dy ose tri vjet, prej ditësh kanë ndodhur në Itali dhe vendet fqinje dhe janë e mbeten tipare të ndryshimeve atmosferike globale. Në traditën shqiptare përmbytjet kanë qenë gjithnjë të pranishme. Durrësi i sotëm shtrihet mbi dy qytete të përmbysura e shkatërruara më parë. Rreth 10 qytete të tjera kanë të njëjtën histori. Ndaj vetë mënyra jonë e jetesës, raporti ynë me kohën, motin dhe të mirat e dhimbjet që vijnë me to, ka qenë e mbetet bilanc i një bashkëjetese të gjatë dhe aktive.

Pikërisht për këtë arsye përjetimi i ngjarjeve të tilla do të duhet të jetë gjithnjë e më pak dramatik, paralajmërimi dhe përgatitjet do duhet të jenë gjithnjë e më funksionale. A reagojmë në tëvërtetë kështu? Jo. As dje, as sot dhe siç po sillemi, me siguri as nesër. Disa vite më parë patëm një ministër që na tha se përmbytja ndodh një herë në 100 vjet dhe lidhet me lëvizjet e hënës. Shkurt, punë e zotit, dhe përpara zotit politika e qeveria ndjehen të pafuqishme. Sot ai nuk është në politikë, por gëzon disa milionë euro që fitoi përmes një operacioni financiar abuziv dhe thellësisht korruptiv. Qeveria e mëparshme na thoshte se përmbytjet burojnë nga pasojat e abuzimit të paraardhësve të tyre me fondet e parandalimit dhe masat mbrojtëse. Qeveria sot bën të njëjtën gjë. Edhe pse ka brenda saj ¼ e ish qeverisë së vjetër, të cilën e akuzon.

Ka një paradoks në sjelljen politike e shtetërore ndaj fatkeqësive. Kur ndodhin në ndonjë vend perëndimor, autoritetet vendore, të emergjencës, të ushtrisë dhe tëadministrimit lokal vendosin në funksion një zinxhir të gatshëm masash, ku përfshihen të gjitha kapacitete shtetërore, publike por edhe grupet vullnetare qytetare. NëShqipëri ndodh ndryshe. Si dje, ashtu edhe sot, në krye të punëve nuk janë ata që paguhen të jenë, pra autoritetet vendore dhe teknike, por shohim parakalim ministrash e deputetësh të listave që shpërndajnë titra në media mbi seriozitetin e punës dhe fjalëve të tyre.

Imagjinoni që të gjeni nëçdo zonë të përmbysur italiane apo gjermane ministra e deputetëqë kujdesen të marrin me vete jo mjete ndihmëse për njerëzit në nevojë por kamera të panumërta televizive! Vetëm këtu ndodh që politikanët qendrorë e vendorë veshin kostumet më të shtrenjta dhe përdorin helikopterët jo në ndihmë të të rrezikuarve por për vizita blic në zona të rrezikuara, për konferencat e radhës përpara medias.

Politikanë të veshur me mjete pune dhe që ndihmon? As nuk imagjinohet. Imagjinoni më tej që lajm i parë në përmbytje në perëndim të mos jetë lajmërimi për qytetarët, orientim për kujdes ndaj jetës e pronës së tyre, njoftime për energjinë, shkollat, njësitë prodhuese, etj, por të jetë lajmi absurd dhe standard shqiptar se shefi i ministraveështë i shqetësuar dhe se qeveria ka ngritur një shtab emergjente ku bëjnë pjesë 2-3-4-5 ministra! Kujt i shërben ky lajm? Banorëve? Njerëzve në nevojë? Familjeve që rrezikojnë jetën apo bizneseve që rrezikojnë mbijetesën edhe fizike? As njërit, as tjetrit. I shërben politikës, vetëm politikës. Një traditë lindore e krijuar gjatë periudhës propagandistike komuniste dhe që vijon të jetë tipar kryesor i çdo qeverie prej vitit 1990, e majtë apo e djathtë qoftë ajo.

Shumëkush mund të pyesë: çfarë pritet nga qeveria dhe politika në raste të tilla. Përgjigjjaështë një dhe e thjeshtë: të ndihmojnë duke bërë sa më mirë punën e tyre për të cilën paguhen me taksat tona, dhe me sjellje serioze e të përgjegjshme të mos e përmbysin mjedisin publik edhe më shumë me sjellje abuzive prej të cilave kërkojnë të përfitojnë. Ja p.sh, çdo qeveri, përfshirë edhe kjo e sotme thotë se paraardhësit janë fajtor për mungesën e investimeve, por “harrojnë” të na tregojnë, p.sh, sa është shuma e parashikuar në buxhetin e ri shtetëror që sapo miratuam për parandalimin e ngjarjeve të tilla. Sepse investimi ose është zero lekë ose aq simbolik sa nuk mjafton të shpëtojë nga përmbytjet as shkollat nëqendër të Tiranës.

Një politikë serioze do vepronte me instrumente seriozë. Për shembull, le të shohim vendimmarrjet vjetore të pushtetit lokal e të shohim sa vendime, sa investime, sa masa janë marrë për parandalimet e situatave të tilla. Me siguri, në rastin më të mirë ka vetëm ndonjë zë simbolik. Kjo analizë merr rëndësi edhe për shkak se pas ca muajsh ata që drejtojnë sot rikandidojnë dhe do kërkojnë votën e atyre që ndodhen në ujë, edhe për shkak të paaftësisë lokale të administrimit.

Ose më tej, në plan kombëtar, pasi të ikë uji (sepse zgjidhja e vetme për ne vijon të jetë pritja e shpresa që uji të ikë vetë), le të krijojmë një strukturë hetuese dhe parandaluese, e cila të analizojë të gjitha burimet e rrezikut natyror në vend dhe të propozojë masa konkrete afatshkurta dhe afatgjata. Është një detyrim kushtetues dhe së fundi edhe ligjor, me miratimin e dokumentit të Strategjisë Kombëtare të Sigurisë, - por që fatkeqësisht asnjë qeveri nuk e ka bërë dhe nuk ka shenja se do të ndodhë as tani.

Një analizë e gjendjes dhe rreziqeve do të nxjerrë në pah abuzimet shumëvjeçare në miliarda në fondet e emergjencave dhe parandalimit, ekzistencën formale të kaskadave dhe strukturave të bonifikimit, sistemin gjysmak të shkarkimeve dhe evitimit të përmbytjeve, sistemin inekzistent të informimit të qytetarëve, si dhe faktin se përfituesit më të mëdhenj të fatkeqësive kanë qenë oligarkët kryesorë të politikës, ndërtimit, tenderëve dhe punëve publike. Pas çdo fatkeqësie ata përfitojnë të parët, ata ftohen e financohen, pavarësisht se produkti i tyre vijon të ketë jetë të gjatë deri nëreshjet e radhës.

Sistemi i vlerësimit do ti jepte përgjigje pyetjes, - përse janë lejuar dhe legalizuar banesa e biznese në zona me koeficient të lartë përmbytjeve të vazhdueshme; përse janë ndërtuar shkolla, kopshte, ndërtesa publike e dhënë leje ndërtimi për banesa që ndodhen mbi kolektorë, burime të rrjedhshme uji ose vende me potenciale përmbytjeje; përse harxhojmë miliona për koncerte politike e zhvendosje zyrash dhe nuk investojnë asnjë lekë në krijimin e një sistemi parandalimi, informimi dhe komunikimi me çdo qytetar në zonat me potencial rreziku. Janë këto e plot pyetje që një ditë do të duhet të marrin përgjigje. Tek ne, duket se përmbytjet e rrugëve, banesave e shesheve kanë përmbysur edhe aftësinë e reagimit profesional e vizionar, nevojën për sjellje institucionale dhe për një shtet funksional qënuk i lë qytetarët e vet në mëshirën e fatit.

Humbjet e disa jetëve janë lajm shumëfish tragjik i këtyre ditëve. Humbjet e jashtëzakonshme për familjet e bizneset, për entet publike dhe mjedisin publik, plotësojnë bilancin dramatik të përmbytjeve më të fundit. Sot gjysma e qytetarëve kanë nevojë për vëmendje, kujdes e ndihmë, - gjysma tjetër duhet të dëshmojë vullnet e aftësi ta ofrojë atë. Sot politika është e zënë me garën absurde të flamurit të shpëtimtarit në rrjetet televizive e sociale, kur ajo do të duhej të ishte më së paku e heshtur, dhe më së shumti kokulur.

Sot institucionet e shtetit, ekzekutivi dhe i gjithë zinxhiri i emergjencave do të duhej të kishin më pak fjalë dhe më shumë akte konkrete, të koordinuara dhe efektive, më tëfinancuara dhe më të pajisura me mjetet e nevojshme, më pranë qytetarëve dhe shumë më larg protagonizmit fals për të marrë flamurin e shpëtimtarit në një vend e situatë ku nuk ka vend për lëvdata dhe as poza triumfi. Diçka që ende nuk e kuptojmë dhe ende konsiderohet mëkat edhe nëse e shpreh apo e mendon.

Në fund të fundit, ngjarje të tilla do të duhet të jenë sprovë dhe reflektim, për të mësuar nga gabimet e të kaluarës dhe për të mos lejuar të paktën përsëritjen e të njëjtave gabimeve. Përgjatë një shekulli shqiptarët nuk janë dënuar nga zoti dhe as natyra, shumica e dështimeve dhe fatkeqësive i kanë ardhura nga vetë politika e keqe e administrimit të jetës dhe pronës së tyre. Sfida për të evituar të njëjtin rrezik, dhe për të kthyer sytë nga qytetari, ashtu siç rëndom na premtohet në fushatat elektorale, është e mbetet sfidë shumë më e madhe, më e nevojshme dhe më jetike sesa aksioni javor populist për të bërë politikë me fatkeqësitë dhe për të larguar sa më shumë prej nesh kërcënimin e ujit të padëshiruar dhe të pakontrolluar.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 20 Nëntor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)