TIRANE - Është përuruar ditën e sotme shtatorja e Ismail Qemalit në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

I pranishëm në ceremoninë e përurimit të monumentit të Ismail Qemalit Kryeministri Berisha u shpreh se sot jemi këtu për të uruar babain e pavarësisë së Shqipërisë.

“Jemi këtu për të përuruar shtatoren e atit, babait të pavarësisë së Shqipërisë. Njëri prej burrave më të mëdhenj, më të guximshëm të kombit tonë, Ismail Qemal Bej Vlora, Pasardhës i njëri prej familjeve më të fuqishme shqiptare”, u shpreh Berisha.

Më tej në fjalën e tij Berisha vlerësoi figurën e Ismail Qemalit duke thënë se “Ismail Qemal Vlora jo vetëm është ati i pavarësisë por ai themeloi dhe kryesoi qeverinë e parë të shqiptarëve në një vend të pavarur, qeveri e cila përcaktoi interesin kombëtar. Themeluesi i pavarësisë sonë njihte më mirë se kushdo tjetër planet ogurzeza që ishin thurur për trojet shqiptare. Ai nuk mund të pajtohet kurrë, prandaj shpalli Vlorën, shpalli pavarësisë me synimin e vetëm që ky akt të përfaqësonte pavarësinë shqiptare”.

Kryeministri Berisha theksoi se sot ne jemi të lirë falë aktit të pavarësisë dhe Ismail Qemalit, pasi ky ishte akti shpëtimtar për kombin shqiptar.
“Akti i shpalljes së pavarësisë ishte një akt shpëtimtar për kombin shqiptar, në rast se sot ne jemi të lirë jemi të lirë dhe ekzistojmë si të tillë falë këtij akti dhe këtij burri, i cili me bashkëpunëtorët e tij me kushte të tilla dhe me një guxim madhor ngritën në Vlorë flamurin e Skënderbeut”, tha Berisha.

Në fund të fjalës së tij Kryeministri u shpreh se të gjithë duhet të mësojmë prej historisë tonë, duke bërë thirrje që të gjithë të zotohen që të plotësojnë ëndrrën e Ismail Qemalit dhe të rrinjve shqiptar: ëndrra për një Shqipëri të bashkuar.
“Në këtë 100-vjetor më shumë se çdo gjë tjetër duhet të përpiqemi ta lexojmë historinë tonë, të mësojmë prej saj, të nxjerrim mësimet e duhura. Të gjitha shqiptarët që luftuan që nga “Lidhja e Prizrenit” deri më sot mbyllën sytë me një ëndërr të vetëm dhe çdo shqiptar duhet ta lexojë, ajo ishte ëndrra e bashkimit të shqiptarëve.
Shqiptarët duhet të festojnë me zotimin që do të bëjnë realitet ëndrrën e Ismail Qemalit, ëndrrën e Adem Jasharit, ëndrrën e të rinjve shqiptar për të qenë të bashkuar.
Sot prehesh në gur të marrë nga Kanina e Vlorës, në shenjë respekti për ty Ismail Qemali”, përfundoi Berisha.

(eç/shqiptarja.com)