TIRANE- Ministria e Arsimit ka renditur mbi 1 mijë tituj të teksteve shkollore të cilat duhet të përzgjidhen nga mësuesi e shkollave deri më 21 prill. Në udhëzimin e Ministrisë së Arsimit është përcaktuar se do të jenë mësuesit e klasave ose komisionet lëndore ata që do të analizojnë të gjitha alternativat e teksteve shkollore dhe pas diskutimeve për to, vendosin për tekstin që do  të përdoret në secilën klasë/lëndë. “Zgjedhja e tekstit të bëhet me konsensus. Në rast se mësuesit e klasave/komisionet lëndore  nuk bien dakord, përzgjedhja bëhet me votim.

Fitues është teksti që merr shumicën e votave”, thuhet në udhëzimin e MAS. Po sipas këtij të fundit, në procesin e përzgjedhjes është e detyrueshme të ftohen edhe prindërit e nxënësve. Prindërit mund të mbikëqyrin procesin e përzgjedhjes, por nuk mund të marrin pjesë në votim. Mësuesit të cilët do të jenë pjesë e përzgjedhjes së teksteve do të mbajnë përgjegjësi për sasinë e teksteve të porositura, në mënyrë që ky numër të jetë deri në 95% i saktë. Por udhëzimi ka parashikuar edhe “futjen në lojë” të drejtorëve të shkollave të cilët deri në datën 22 prill duhet të përcjellë tek shtëpia botuese, kopjen origjinale të tabelës përmbledhëse.

Po kështu e njëjta tabelë brenda datës 23 prill duhet të dorëzohet pranë Zyrave të Arsimit, apo Drejtorisë Arsimore. “Drejtori i shkollës ka përgjegjësinë të njohë Këshillin e mësuesve të shkollës me   Udhëzimin e MAS për përzgjedhjen, shpërndarjen dhe shitjen e teksteve shkollore për vitin shkollor 2014-2015. Drejtori duhet të miradministrojë gjithë dokumentacionin që rrjedh nga zbatimi  i Udhëzimit të MAS, përfshirë edhe tekstet e dërguara nga  shtëpitë botuese, të cilat inventarizohen në bibliotekën e shkollës. Dokumentacioni që rrjedh nga zbatimi i Udhëzimit të MAS, ruhet në arkivin  e shkollës  për 2 vjet”, thuhet në udhëzim.

Ndërkohë sa i përket shitjes se teksteve ato duhet të bëhet nga njësitë tregtare të shitjes së librave. Shkolla u ve në dispozicion falas personave të ngarkuar nga shpërndarësit e rrethit (librashitësit), një ose dy klasa të sigurta për  shitjen e teksteve shkollore me hologramën e MAS-it, për periudhën 25 gusht -14 shtator. Një tjetër pikë që është parashikuar nga Ministria e Arsimit është edhe konflikti i interesit, ku çdo punonjësi të MAS dhe të gjithë institucioneve të varësisë u  ndalohet ndikimi në procesin e përzgjedhjes.

“Teksti, i cili ka autor mësuesin apo drejtuesin e njësisë vendore arsimore nuk mund të përzgjidhet në qarkun ku është i punësuar autori. Kur punonjësi ose personi ka konflikt interesi, konflikti zgjidhet në bazë të legjislacionit përkatës në fuqi”, thuhet në udhëzimin e MAS. Po kështu titullari i DAR/ZA-së, çdo punonjës i saj si dhe drejtuesit e shkollës e kanë të ndaluar të bëjnë presion apo të ndikojnë të mësuesit në përzgjedhjen e teksteve shkollore. Atyre nuk u lejohet favorizimi i shtëpive botuese apo i autorëve të veçantë, si dhe dallimi i teksteve të  veçanta në raport me të tjerat, thuhet në udhëzimin e MAS. Në rastet kur konstatohen shkeljet e sipërpërmendura, udhëzimi parashikon deri në largim nga detyra për këta punonjës. 

Shkrimi u publikua sot (16.04.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com