TIRANE - Kuvendi pritet të nisë shqyrtimin e ndryshimeve në p/ligjin "Për akcizat" që rëndon taksat mbi cigaret, përmes rritjes së akcizës dhe efektit nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar.
Sipas p/ligjit, propozohet rritja e akcizës së cigares, nga 90 lekë paketa me 20 cigare, në 110 lekë paketa me 20 cigare. Për vitin 2016-17 akciza do të rritet me 10 lekë.
Përmes kësaj mase, Qeveria u merr duhanpirësve 40 milionë dollarë taksa shtesë në vi, ndërsa argumenti i qeverisë ishte se rritja e akcizës ishte direktivë e Bashkimit Europian si dhe masë për uljen e duhanpirjes.
Për të mos lejuar që paratë të përfitohen nga tregtarët, Këshilli i Ministrave kishte parashikuar kufizimin e importeve deri në hyrjen në fuqi të ligjit me 15 për qind mbi mesataren e vitit të kaluar. Por, me propozim të Kryetarit të Ekonomisë, Erjon Braçe, masa u shtrëngua edhe më shumë dhe madje edhe koha në të cilën ajo nis efektet.
"Në rastin e një iniciative për ndryshime ligjore, që kanë për qëllim rritjen e nivelit të taksimit të akcizës, sasia e importit të mallrave të akcizës, nga çasti i vendimit të Këshillit të Ministrave për rritjen e akcizës, deri në hyrjen e ligjit në fuqi, nuk mund të jetë më e lartë se 5 për qind më shumë se mesatarja mujore e importeve të çdo kompanie në vitin paraardhës", tha kryetari i Komisionit, Braçe, gjatë shqyrtimit të p/ligjit në Komision në fillim të kësaj jave.
Veç taksës mbi cigaret, Komisioni ndryshoi edhe nismën e Qeverisë për të taksuar me akcizë të gjitha biokarburantet, si ato që prodhohen në vend, ashtu dhe ato të importit. Masat e miratuara nga Komisioni i Ekonomisë do të shqyrtohen sot në Kuvend, ku mbetet për t`u parë se cili do të jetë pozicioni i Qeverisë, veçanërisht ai për biodieselin, për të cilin Ministria e Financave gjate debatiit ne Komisionin e Ekonomisë nuk ra dakord me kërkesën e komisionit, por i qëndroi variantit për vendosjen në regjim akcize. /ATSH/