Mesazh urimi dhe bekimi për shqiptarët kudo në botë përcolli edhe Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj në urimin e tij u ndal te deviza e njohur “Pa atdhe nuk ka fe”, ai bëri thirrje për më shumë paqe, unitet dhe solidaritet njerëzor për të përballuar sfidat e kohës.

" Me rastin e këtyre ditëve të shënuara, 28 dhe 29 nëntor 2026, si Kryegjysh Botëror i Bektashinjve, uroj e bekoj të gjithë besimtarët, shqiptarët në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi e kudo që jetojnë e punojnë nëpër botë, që të kenë më tepër dashuri vëllazërore, harmoni, mirëkuptim, respekt e unitet, shpresë e besim tek Zoti i Madh, për një jetë më të mirë e më të begatë, në mënyrë që të përballohen me efektivitet situatat e vështira që po kalon sot njerëzimi, me synim të një jete më të mirë dhe të begatë për të gjithë. Duke qenë së bashku, duke predikuar triumfin e së mirës ndaj të ligës, humanen ndaj indiferencës, bashkëjetesën, ne mundemi të përballojmë më mirë problemet dhe të afrohemi gjithmonë drejt të mirës. Përkujtimi i këtyre dy ngjarjeve të shënuara, është një tregues i rëndësishëm e ndjenjë përgjegjësie për vlerësimin e udhës historike të kombit tonë ndër dekada e shekuj, vlerësimin e sakrificave për lirinë e pavarësinë, është njëkohësisht dhe tregues i përgjegjësisë për rritjen e dashurisë për kombin dhe të Madhin Zot. Është e domosdoshme, që veçanërisht në këto dit, të ndërgjegjësojmë veten e të bëjmë apel për të gjithë, që secili, të angazhohet për rritjen e klimës së mirëbesimit e dashurisë së ndërsjelltë njerëzore, forcimin e unitetit, për bamirësi e ndihmë për ata që kanë nevojë, të pastrojmë shpirtrat tanë e familjarëve, të ndalojmë ndasitë, sherret e mëritë, luftërat, të lutemi tek i Madhi Zot që të na ndihmoj në këtë mision të përbashkët…Zoti i Madhërueshëm u bekoftë ju e familjet tuaja! Amin!”– thuhet në mesazhin e Dede Edmond Brahimajt.


Lajmi kryesor:

114 vjetori i Pavarësisë/ Mesazhe nga krerët fetarë, Kryepeshkopi Joan: Shqipëria e të gjithëve, jo e një grupi, as e një personi! Uron edhe kreu i Komunitetit Mysliman (VIDEO)