Pas dy javësh ankth dhe kërkimesh intensive, është gjetur 13-vjeçari nga Kavaja, i cili ishte larguar nga banesa dhe kishte humbur çdo kontakt me familjen. Rasti u trajtua në emisionin ‘Pa Gjurmë’ në Report TV nën moderimin e gazetares Odeta Dume, ku prindërit e divorcuar kërkuan ndihmën e qytetarëve dhe institucioneve për lokalizimin e të miturit. Falë informacioneve të ardhura nga qytetarët dhe ndërhyrjes së policisë, 13-vjeçari u gjet dhe u rikthye në banesën e babait. Në studion e emisionit, gazetarja e programit Klaudja Habili tregoi detaje mbi operacionin dhe mënyrën si u bë e mundur gjetja e tij.
Ndërkohë, dëshmia e të miturit ka tronditur opinionin publik. Ai rrëfeu se gjatë kohës që ishte larguar nga shtëpia kishte qëndruar me persona të rritur dhe pretendoi se ishte nxitur të konsumonte alkool, lëndë narkotike dhe të kryente vjedhje nëpër banesa.
“U largova sepse nuk dua të jetoj më me babain, ai nuk më trajton mirë. Ika dhe qëndrova në një familje për disa ditë. Kam shumë shokë të rritur dhe kam konsumuar lëndë narkotike me ata. Paratë i kam siguruar duke vjedhur nëpër banesa qytetarësh. Do iki prapë nëse mami nuk më merr me vete, babain nuk e dua”, u shpreh 13-vjeçari gjatë intervistës.
Nga ana tjetër, nëna e të miturit deklaroi se djali nuk është në gjendje të mirë psikologjike dhe shprehu frikën se ai mund të largohet sërish. Ajo ngriti dyshime se i biri mund të jetë shfrytëzuar gjatë kohës që ka qenë larg familjes.
“Gabimi nis me ish-bashkëshortin, pasi ai e ka kujdestarinë e djalit. Ai nuk është kujdesur fare për të, ndaj përfundoi në këtë gjendje. Kërkoj ndihmën e shtetit që ta fusë në një qendër rehabilitimi, pasi nuk është mirë”, u shpreh nëna e shqetësuar.
Historia e 13-vjeçarit nga Kavaja rikthen edhe një herë vëmendjen te problematikat sociale dhe rreziku me të cilin përballen të miturit që largohen nga familja, ndërsa apelon për më shumë kujdes dhe mbështetje institucionale për fëmijët në situata të vështira familjare.
Komente








